Fjalët e kryeministrit kanadez, e para pak ditëve, që u bë virale në mediat shqiptare, dëshmonte një kulturë komunikimi që ndante çdo hendek nga një qeveritar barbar. Me shpejtësi të jashtëzakonshme ky fjalim ishte përkthyer në shqip dhe po përhapej nëpër rrjetet sociale, mënyre se si duhej të sillej dhe kryeministri ynë: Qetësi, inkurajim dhe mbështetje, pa kurrfarë demonizimi psikik, terror.
Por ka edhe arsye të tjera pas këtij komunikimi të kryeministrit kanadez. Ashtu si shumë qeveritarë e krerë shtetesh që sot po përballen me popullatën mes dy gjendjesh: izolimin nga virusi, si dhe përballjen ekonomike.
Në fakt duket sikur kjo pandemi e ka luftën më të madhe me politikën, qeveritarët. Sepse të vetmit që po shfaqen nëpër ekrane, dhe po “mobilizojnë” popujt për mbyllje e izolim, janë pikërisht liderët politikë.
Fuqitë më të mëdha kanë të njëjtën situatë si kombet e vogla. Sëmundja dhe ekonomia, janë aksioma që po përsëriten e merren në konsideratë në çdo fjalim politik të këtyre ditëve. Secili të tregojë potencën dhe gjakftohtësinë, optimizimin dhe garancinë e vazhdimsisë së jetës.
Po sjellja e kryeministrit shqiptar përballë “botës”, çfarë po shfaq, çfarë tregon?!
Gjendja ku jemi sot është produkt I gjithë udhëheqjve politike në këto tri dekada. Ekonomi mjerane, njerëz me mosbesim të theksuar tek politika, dhe qeveritë që e drejtojnë, për pasojë zgjedhje të vjedhura, pushtetarë që hyjnë në politikë të varfër e dalin miliarderë, oligarkë që kanë kapur shtetin, trafikantë që kërcënojnë qeveritarët, politikanë të mpleksur me punët e pista të njëri tjetrit, sa majtas djathtas, pushtetarë që kanë ndërtuar një administratë inefiçente me njerëz militant…Ndaj në këtë pasojë, frika e rrënimit ekonomik e prek në një risk të jashtëzakonshëm Shqipërinë, së cilës nuk këta politikanë nuk I ka mbetur asnjë centim tokë e lirë. Pushtetet kanë blerë njëri pas tjetrit gjithë bregdetin, malet, parqet, dhe kanë bërë ndërtime mafioze në kurriz të pronarëve, duke ua rrëmbyer pronat. Shqipëria si çiflig sot është në duar të këtyre pushtetarëve.
Me daljet e tij publike Edi Rama kësaj i druhet; përmbysjes ekonomike. Paketa sociale është një fiasko, që e konservon dhjamin e oligarkëve dhe i mbron ata, duke çuar drejt falimentit biznesin e vogël, dhe lënë jashtë skemës përqindjen më të madhe të shqiptarëve që sot gjenden pa punë, pa siguracione, dhe ata që punojnë të diskretituar nga ajo minimalja. Nderkohë që, vazhdon tenderat për veten, me shpenzime marramendese prej 411 mln per rregullimin e zyrave, turizmi ne vend është falimentuar, duke mos shpallur asnje stradegji deri tashi, se çdo të bëhet.
Ndaj ngjan krejt e kundërta gjuha e Ramës para videoselfit krahasuar me liderët e vendeve të tjera.
Fataliteti që shfaq kryeministri ynë sigurisht që krijon reaksion duke prodhuar një gjuhë arrogante, të demonizuar, gjendje deliri, deri në konsiderimin e vetvetes “babai i kombit”.
Rama e di se e gjithë “lufta” e tij përballë shqiptarëve është dështim. Dështim i tij personal, për mënyrën se si ka mbërritur në këtë pushtet absolute. Doza e frika nga ky dështim është e qartë kur klith për izolim. Sistemi shëndetësor është dështim, ekonomia është dështim. Dy kushtet thelbësore për ekzistencën e një vendi, në këtë kohë, që pa dyshim do të na çojë në kolaps.
Unë nuk mund t’i besoj Ramës si politikan, aq më pak si kryeministri im. Për gjitha arsyet e mësipërme, por mbi të gjitha për egon personale, cinizimin duke e zbritur nivelin e tij politik deri në ushqim vetëm për militantët, që mund të jenë gati të puthin ekranin për udhëheqësin.
Këta e kanë sjellë në pushtet, e këta po e mbajnë, jo shqiptarët e lirë, qytetarët. Këta që prej ditës së ardhur në pushtet, Rama i ka shpërfillur, me neverinë më të madhe si “armiq” të pushtetit të tij.
Sepse Rama tashmë e ka ndërtuar “pallatin e ëndrrave” me kapjen e kushtetutës, me kapjen e mediave, me kontrollin mbi bizneset, me vendime arbitrare që dalin nga zyrat e kryministrit edhe pas mesnate, me rregulla e udhëzime, ligje që favorizojnë krimin e deri tek abuzimet me tenderat shumëmilionëshe, e fundit skandali i maskave, apo koncesionet.
Ja pse Rama i druhet një fjalimi inkurajues, të qetë, dhe mbështetës për qytetarët. Rama e di se kjo pandemi është e “pabesë” për të, duke zbuluar edhe qëndresën e fundit, ajo që po flitet prej vitesh, si e mbaruar, që është sistemi shëndetësor.
Rama e di se thirrja për izolim të shqiptarëve është diçka reminishente, që nuke ka kujtesën e largët. Rama e di se dalja në rrugë e zhvesh nga ekzistenca e liderit. Me frikën e asaj çfarë do të ndodhë nesër, kryeministri bën bariun e tufës, dhe përpiqet të prekë në zemër masën e shqiptarëve që ndjekin, sikur të ishte “babai”. Frika po e thërret më shumë Ramën se realiteti ku jemi. Frika e Ramës është dështimi, dështimi i shtetit që ka ndërtuar në këto dy mandate të drejtimit të qeverisë. Rama e ka dështuar këtë shtet, e ka minuar së funksionuari si shtet demokratik duke zhytur llërët në çdo pushtet. Ndaj sot, Rama edhe çirret duke e veshur si sshenjë sinqeriteti.
Rama thjesht çirret e kërcënon sepse nuk mund t’ju shërbejë më shqiptarëve, e ka të pamundur t’i nxjerrë nga katastrofa ekonomike ku po e çon. Rama si diktatura po vetëatrofizohet ekonomikisht, po bie vetë. Rama ka rënë vetë. Redaksionale/ standard.al