Mushkëritë e ekonomisë nuk ngopen me fjalime, qeveria po na çon në anarki

0
178

Nga Vehap Kola

Është data 7 prill 2020. Prej një muaji dyqanet, restorantet, hotelet, kateringu, institucionet private të edukimit, zyrat e konsulencës, klinikat e stomatologjisë, dhe pothuajse të gjitha shërbimet jashtë zinxhirit të furnizimit me ushqime bazë kanë qenë të mbyllura për shkak të karantinës së vendosur nga qeveria.

Në mungesë të shitjeve, pronarët nuk janë në gjendje të paguajnë pagat e shitësve dhe qiratë. Shumica e këtyre punonjësve nuk do të mund të paguajnë qiranë e shtëpisë për muajin prill, faturat e energjisë dhe ujit, telefonin dhe internetin. Pjesa më e madhe e tyre nuk kanë para mënjanë për të mbuluar nevojat për ushqim dhe ilaçe.

Qeveria ka vendosur të mos marrë përgjegjësitë që i takojnë. Ajo u ka kërkuar sipërmarrësve të mbajnë mbi supe një barrë të trefishtë: të sakrifikojnë xhiron ekonomike të muajit të fundit, të paguajnë punonjësit e tyre që janë izoluar në shtëpi dhe të paguajnë taksat sikur biznesin të mos ua kishte ndërprerë qeveria.

Nga ana e saj, edhe qeveria vetë e ka kaluar këtë muaj pa ndonjë ndryshim thelbësor. Buxheti për muajin mars nuk është prekur, pagesat për investime publike dhe kontrata koncesionare kanë vazhduar normalisht.

Paketa ekonomike e qeverisë, që parashikon të ndihmojë bizneset e vogla dhe të vetëpunësuarit, do të hyjë në fuqi në prill. Efektet e saj do të ndihen në fillim të majit, kur njerëzit të marrin pagën minimale të premtuar. Le të supozojmë se këto paga do të jepen më 1 maj, pa asnjë vonesë. Ndërkohë që 80 përqind e shqiptarëve nuk përballojnë dot as një javë pushime, sepse thjesht mbijetojnë, çfarë do të bëjnë këta 80 për qind për 3 javë pa asnjë të ardhur?

Qeveria Rama nuk ka marrë, pra, përgjegjësitë që i takojnë në këtë situate. Uria e qindra mijëra shqiptarëve nuk largohet duke luajtur në televizor si kryeministër i shqetësuar. Të prekurit rëndë nga virusi kanë nevojë për oksigjen dhe këtë mund ta zgjidhësh duke u ofruar një respirator. Por edhe ekonomia ka nevojë për oksigjen dhe mushkëritë e kontraktuara të saj nuk mund t’i ngopësh me tekste, video dhe fjalime. Oksigjeni i ekonomisë është cash-i, të hollat që qarkullojnë. Përndryshe ekonomia vdes dhe i lë vendin anarkisë.

Për fat të keq, Edi Rama nuk duket se e kupton këtë. Ai beson se shqiptarët do të mbijetojnë njësoj siç mbijetuan kur ai e ktheu buxhetin e shtetit në një xhep të madh me kontrata korruptive PPP.

Për të shmangur presionet social-ekonomike që krijon përqëndrimi i parasë në pak duar përmes kontratave koncesionare e monopolizimit të ekonomisë, Rama i la dorë të lirë industrisë së narkotikëve. Jeta e natës në të gjithë Europën gjallërohej mes tymit të kanabisit nga Shqipëria dhe kokainës së transportuar nga vendi ynë.

Të ardhurat në miliarda euro të kësaj industrie shtuan qarkullimin e valutës në treg dhe vlera e euros ra. Por prej një jave ajo është bërë rreth 8 lekë më e shtrenjtë. Përse?

Me ligjin e thjeshtë të kërkesë-ofertës, kur gjendja e një malli në treg pakësohet, çmimi rritet. Akoma më e madhe është kjo rritje, po të marrim në konsideratë rënien e kërkesës për euro nga sektori privat, që ka ndërprerë veprimtarinë ekonomike.

Po çfarë ka ndodhur që euroja është rritur? Jeta në Europë është paralizuar. Klubet e natës, diskotekat, shtëpitë publike, njësoj si pjesa më e madhe e veprimtarisë ekonomike, janë mbyllur. Konsumi i narkotikëve nga tregu europian ka rënë. Transfertat në euro janë reduktuar ndjeshëm. Remitancat gjithashtu kanë rënë. Shqiptarët e punësuar në vendet evropiane nuk mund të dërgojnë para kur janë të detyruar të izolohen në shtëpi. Një pjesë e tyre nuk do të përfitojnë dot as nga transfertat sociale të qeverive, sepse janë emigrantë të paligjshëm ose punojnë në të zezë.

Në këtë krizë Shqipërinë nuk mund ta mbajë me bukë as industria e narkotikëve, as dërgesat e emigrantëve. Këtë herë, Edi Rama ka fatin e tij të keq të mësojë se çfarë do të thotë ekonomi. Këtë herë, ai duhet të futë dorën në xhepat e tij të thellë dhe të nxjerrë para cash në ekonomi. Nëse nuk e bën, shqiptarët do të dalin të gjejnë bukën e tyre të përditshme në çdo mënyrë.

Depresioni social që ka shkaktuar kthimi në burgje masive i lagjeve të dendura dhe të ndotura të qyteteve tona është një tjetër kërcënim për paqen sociale. Shqiptarët e ngujuar në apartamentet e ngushta, të zënë në kurth nga paniku që shkaktojnë kanosjet e përditshme të kryeministrit për shkelësit e karantinës, dhe nga pasiguria për të ardhurat janë një minë sociale me sahat. Durimi i tyre mund të mbarojë nga çasti në çast.

Për këto arsye, të gjithë faktorët shoqërorë, duke filluar nga opozita, media, kleri, akademia, duhet të vetëdijësohen për zjarrin me të cilin po luan Edi Rama. Dhe ata duhet të flasin.

Stabiliteti dhe paqja e Shqipërisë nuk mund t’i lihet në dorë egos aventuriere të kryeministrit dhe yshtjes së tij për pushtet. Nëse nesër vendi rrëshket në trazira për pasojë të moskokëçarjes së qeverisë për ekonominë, ai që do të preket më shumë nuk do të jetë Edi Rama.

Destabilizimi prek jetët, ekonominë dhe të ardhmen e shqiptarëve të thjeshtë. Nëse përpara një skenari të tillë, partitë politike, kleri, akademia dhe media heshtin, ata janë që sot bashkëfajtorë me Ramën dhe grupimin e tij besnik. Heshtja e tyre sot dëshmon se edhe ata janë po aq të shkëputur nga interesi i përgjithshëm i shqiptarëve.

Që Shqipëria të mos rrëshkasë në një spirale kaosi dhe pasigurie, qeveria duhet të furnizojë ekonominë me minimumin e oksigjenit të humbur. Shtetet e pasura kanë vënë në dispozicion fonde marramendëse, deri në 20 për qind të produktit të brendshëm bruto. Shqipëria mund të mos bëjë kaq shumë, por mund të mbledhë një rezervë qindra miliona dollarëshe duke anuluar 120 milionë dollarë pagesa për koncesionarët, duke rishpërndarë fondet e parashikuara për investime dhe, sidomos, duke anuluar kontratat e kripura për ndërtimin e rrugëve më të shtrenjta të kontinentit.

Nëse Edi Rama, politika, komunitetet fetare, akademia dhe dhomat e biznesit nuk po e ndiejnë sot theqafjen drejt të cilës po shkon vendi, ata do të zgjohen më 7 prill, në ditën e fundit të rrogave për shqiptarët e thjeshtë, nga zemërimi i këtyre të fundit.

Qeveria duhet të paguajë të plota pagat e shqiptarëve të mbetur pa punë këtë muaj, që kjo të mos ndodhë dhe vendi të ketë qetësinë e domosdoshme për të menaxhuar emergjencën shëndetësore dhe për të shpëtuar ekonominë. Meqë Rama e ka quajtur luftë këtë situatë, nuk mund të fitohet një luftë duke lënë të uritur ushtarët.

/exit.al/

* Titulli origjinal: Duke mos bërë ekonomi, qeveria po sjell anarki

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here