Vendimi i kryeministrit Edi Rama për të falur qiratë e bizneseve private, ka nxitur një debat politik dhe për PD nxit një përplasje civile.
Juristi Ledio Braho, thotë se nuk është botuar asnjë Akt Normativ i cili parashikon një vendim të tillë. Sipas tij, vendime të tilla Rama i ka komunikuar në rrjetin social facebook ku edhe i ka ndryshuar herë pas here.
”Nuk ka ndonjë akt normativ të botuar sot, është vetëm statusi në facebook, i cili vetë kryeminstri Rama e ka përditësuar. Edhe vetë Rama duket se ndryshon qasjen për atë se çfarë kërkon të rregullojë. Në kushtet kur tenton të drejta dhe detyrime që rregullohen nga Kodi Civil nuk mund të ndërhyjë qeveria. Kjo situatë nuk mund të lihet thjesht në zgjidhjen e dy palëve, qiramarrësit dhe qiradhënësit. Duhet që të asistojë qiramarrësin ose qiradhënësin që ti garantohet pagesa e qerasë dhe që nuk do të nxirret nga shtëpia. Ligji për Emergjencën, në nenin 41 parashikon që shteti të përgjigjet për dëmet që shkaktohen nga fatkeqësia. Nëse qiradhënësi do të ketë humbje, shteti duhet ti garantojë që pasi të mbyllet fatkeqësia do të dëmshpërblehet. Këto janë marrëdhënie zixhir, ku përfshihet sistemi bankar, shteti dhe palë të tjera. Kjo situatë nuk mund të prishë zinxhirin se si ecën ekonomia”.