Këngëtari i njohur i muzikës soul, Bill Withers, ka vdekur në moshën 81-vjeçare, për shkak të komplikimeve në zemër, sipas një lajmërimi nga familja e tij.
Withers ka shkruar dhe incizuar shumë hite të mëdha të muzikës botërore, duke përfshirë edhe këngët si “Lean On Me” dhe “Just the Two of Us”, para se të pensionohej në mesin e viteve të 80-ta, kur edhe ka zgjedhur të qëndrojë larg syrit të publikut.
“Ndihemi të shkatërruar për humbjen e burrit dhe babait tonë të dashur, të përkushtuar”, thanë familja e tij.
Kënga e tij “Lean on me” kohët e fundit iu përshtat pandemisë koronavirusi, shumë njerëz postojnë versionet e tyre, duke mbështetur punonjësit shëndetësorë dhe shërbimet tjera thelbësore.
Artisti është fitues i trefishtë i çmimeve Grammy. Ai ka lënë pas gruan dhe dy fëmijët e tyre.