Aktori i madh i humorit, Gëzim Kruja, do të përcillet sot në banesën e fundit në një mënyrë të pazakontë, pa njerëz dhe pa homazhe e vlerësime, për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi.
Drejtoresha e Teatrit të Shkodrës, Rita Gjeka, në një lidhje me “Skype” për News24 tha e përlotur se kjo është jashtëzakonisht e dhimbshme, sepse Gëzim Kruja Meriton shumë më shumë.
Megjithahtë, Gjeka tha se do të bëhet një organizim i vogël, ku nga dritaret e shtëpive do t’i japin duartrokitjen e fundit qytetarët shkodranë, në momentin kur të kalojë makina e funerit.
“Qenka shumë e rëndë, unë e kam dhimbjen shumë të madhe, sepse Gëzim meriton shumë më shumë. Është bërë një organizim i vogël, që nga dritaret do të dalin të gjithë e t’i japin duartrokitjen e fundit, kur të kalojë makina e funeralit. Është një gjë jashtëzakonisht e dhimbshme. Isha 14 vjeçe kur kam dalë për herë të parë në skenë me Gëzim Krujën, nuk do ta harroj kurrë. Ai i ka marrë dhe do vazhdojë t’i marrë duartrokitjet, sepse është i pavdekshëm, por do na mungojë”, u shpreh Gjeka.
Që prej kur nuk ishte mirë?
Ka një vit e gjysmë që nuk ishte mirë. Megjithatë, shokët e tij i organizuan një drekë për 80-vjetorin. Atij iu bë shumë qejfi me të, dhe mund të jetë takimi i fundit që ai pati me të gjithë shokët dhe miqtë bashkë. Ai ka ditur me i fal dashuri gjithkujt. Ne mund ta numërojmë Gëzimin si një person i përditshëm. Edhe pse nuk ishte njeri i teatrit, ai ka qenë përditë me ne.