Pandemia globale, Covid-19 ka injektuar një sasi të konsiderueshme dhe të paprecedentë pasigurie në ekonominë globale, në një kohë që thuajse të gjitha shtetet e botës po përballen me një shpërndarje eksponenciale të infeksionit. Në kohën që e gjithë bota është në kulmin e kësaj krize shëndetësore, ekspertët kanë filluar të bëjnë llogaritë se si do të jetë rimëkëmbja dhe cilat janë shtetet që do të rikthehen më shpejt në këmbë.
Një indeks global, ai i elasticitetit, nga FM Global për vitin 130, i jep një përgjigje të pjesshme kësaj pyetje. Indeksi është përpiluar në kohën kur bota nuk kërcënohej nga Sars-Cov-2, por rendit 130 shtete të botës bazuar në faktorë si: stabiliteti politik, rreziku ambiental, zinxhiri i furnizimit, transparenca, apo qeverisja e korporatave. E si renditet Shqipëria në këtë klasifikim? Mban vendin e 95-të ndër këto 130 ekonomi.
Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina janë bindshëm më mirë se ne, ndërkohë që Maqedonia e Veriut është në pozita më të dobëta. Kosova nuk është pjesë e klasifikimit. Bazuar në tre shtyllat; atë të rrezikut, që i referohet rreziqeve natyrore, si zjarre, përmbytje, etj; atë të zinxhirit të furnizimit, që ka të bëjë me faktorë si korrupsioni, infrastruktura, etj; dhe atë të ekonomisë, vendi ynë vlerësohet me një nivel elasticiteti mjaft të dobët.
Rezultati është zhgënjyes edhe në kriterin ekonomik, ndërkohë që zinxhiri i furnizimit merr pikët më të larta ndër të tre kriteret. Elasticiteti, në rastin konkret, është aftësia e një shteti për të përballuar kriza të mundshme, dhe sa më i lartë të jetë niveli i tij, aq më i aftë vlerësohet një vend i caktuar për të përballuar “shock-un”. Në nivel global, në vend të parë klasifikohet Norvegjia, e ndjekur nga Danimarka dhe Zvicra./Scan