Nga ty pritet ndryshimi i botës…

0
174

Nga Astrit Patozi

Karantina të privon nga shumë të drejta, por jo nga fantazia. Fjala vjen, ti mund ta mendosh veten suedez e të pretendosh që jeta të vijojë normalisht, me restorante, dyqane e kinema të hapura, sepse COVID 19 është thjesht një grip si gjithë të tjerët. Nëse je edhe më trim se kaq, mund të kthehesh në australian e të mësysh plazhet, se koha nisi të ngrohë dhe detin nuk e kemi shumë larg.

Kjo mund të shërbejë pastaj që të rebelohesh dhe të kërkosh tenxheret nëpër shtëpi që t’i përplasësh me sa ke fuqi në ballkon. Dhe po e pe se shembullin tënd nuk e ndjek njeri tjetër, mos u mërzit, se jeta është e gjatë edhe në karantinë. Do të vijnë patjeter ditë më të mira dhe këtë nuk e thotë vetëm Mbretëresha Elizabetë.

Nëse do që të jesh më i sigurt për vdekshmërinë edhe po u preke nga korona, mund të shndërrohesh në gjerman, me taksën që mund të fillosh të biesh në dashuri me kryeministrin, sepse atje iu rritën menjëherë aksionet Merkelit, sapo nisën masat kundër pandemisë.
Por ti e ke vetë në dorë, zgjidh vetë një kryeministër tjetër dhe turru nëpër rrjete sociale, duke e lavdëruar dhe bërë tifozllëk për të, sepse është e sigurt që nuk do të ketë zgjedhje, që të provohet se nuk ke bërë gjetjen e duhur.

Në karantinë mund të ndërrosh edhe fenë, madje edhe mund të fillosh të besosh nga e para. Por mund ta bësh edhe me radhë, një ditë të jesh besimtar, ditën tjetër ateist. Mund të predikosh me zë të lartë se Zoti nuk do të na lërë të lëngojmë gjatë, por edhe mund ta kërkosh shpëtimin vetëm nga njeriu, si kapitali më i çmuar. Mjafton që të mos çmendesh.

Nëse do patjetër që ta fitosh luftën i pari, mos ngurro gjatë, por mendoje veten kinez, se nuk është ndonjë hall kaq i madh të jetosh në monizëm. Tek e fundit, duhet të jetë mirë se sa në një demokraci falso, si kjo e jona. Atje të paktën e ke me letra që ka vetëm një parti drejtuese dhe se nuk mund ta shash në asnjë rast udhëheqësin. Kurse këtu ta bëjnë edhe me keq dhe të thonë që është pluralizëm.
Mund të zgjedhësh edhe të jesh britanik, por në një vend ku u sëmurën njëri pas tjetrit kryeministri dhe princi i kurorës, nuk ka shumë siguri që korona mund të të kursejë ty, me gjithë rëndësinë që ke. Ndaj është më mirë të jesh irlandez, sepse ke mundësinë që, të paktën një herë në javë, të mos e shohësh në televizor kryeministrin. Ata e kanë mjek të tyrin dhe atje nuk lejohet të japësh inrvista nga spitali, si ato të Lali Erit, kur u çon ushqime të moshuarve nëpër fshatra.

Ti vërtetë që je i mbyllur, por nuk të ndalon askush që të parashikosh me ekzaktësi kur do të ndalojë epidemia, kur do të hapen shkollat, sa miliarda do të humbasin kompanitë në gjithë botën, por mbi të gjitha, kur do të zhvillohet finalja e Champions League dhe në do t’i jepet trofeu Liverpulit pa u mbyllur kampionati apo jo. E sigurt është që debati, nëse duhen apo nuk duhen maskat për t’u mbrojtur nga infektimi nuk do të jetë mbyllur edhe pasi lufta të mbarojë me dorëzimin e koronavirusit.

Në karantinë mund ëndërrosh të bëhesh amerikan, edhe me faturën që ta vuash si të gjithë të tjerët sëmundjen. Madje po të jesh në New York mund ta pësosh edhe më keq se kudo tjetër. Në këmbim mund të krenohesh që je shtetas i supërfuqisë së vetme të planetit dhe që nuk ke nevojë për vizë për të udhëtuar, kudo që të teket. Edhe pse tani kjo nevojë nuk para ekziston. I vetmi problem është se atje nuk e kanë për shumë zakon që të shajnë të pasurit, sa herë që bien në krizë.

Natyrisht, ti nuk ke asnjë arsye pse të zgjedhësh ta jesh italian, spanjoll apo francez, sepse në ato vende korona po bën kërdinë, ndërkohë që ti je shumë më i mençur, më i lexuar, më i pasur dhe më i kulturuar se ata. Sepse ti je, edhe shqiptar, edhe trim.

Ndaj vazhdo grindu, revoltohu, rrëzoje qeverinë, shkruaj peticione, fyeje dhe poshtëroje opozitën, kërko të drejtat e shkelura të qenit, përplas tenxheret, ndrysho kufinjtë, përmbyse botën, bëj revolucion, rivendose drejtësinë e munguar dhe sille më në fund botën, republikën, monarkinë apo monogaminë e re, që të gjithë po e presim prej kaq shumë kohësh.

Vetëm ti mund ta bësh, sepse ti je në karantinë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here