Në mbarë botën, kudo që janë përfshirë në betejën kundër koronavirusit, bluzat e bardha janë të gjitha njësoj. Pa asnjë diskutim. Merrni shihni lajmet e vendeve normale në Europë dhe kudo në botë.
Çdo mjek dhe infermier është në vijën e parë të zjarrit. Të gjithë janë të rrezikuar dhe të gjithë po përballen me rrezikun.
Aq më tepër mjekët dhe infermierët në Shqipëri, që janë infektuar dhe kanë rrezikuar edhe jetën për shkak të papërgjegjshmërisë së qeverisë që i kanë lënë pa mbrojtje.
Por sot ata janë përballur me shpërblimin e ‘premtuar’ nga qeveria. Nga 1 mijë euro të premtuara nga Edi Rama, ata kanë marrë diçka më pak se 40 euro. Të parët që dolën në protesta ishin mjekët dhe infermierët e Lezhës.
Një skandal i përmasave tronditëse. Por akoma më shokues është reagimi i kryeministrit Edi Rama, që me një postim online, nga vila-bunker, kërcënoi mjekët.
“Unë e kam thënë shqip që do të paguajmë 1000€ mbi pagën për mjekët e infermierët në Vijën e Zjarrit! Kush ka ngatërruar vijën e zjarrit në spitalet Covid e në autoambulanca, me detyrën e bluzës së bardhë në territor, duhet të kthjellohet e të mos turpërojë bluzën e bardhë!
Kush i nxit nga jashtë kërkesat për shpërblime pa asnjë sens bën politikën e mbrapshtë që ka bërë gjithnjë dhe do ndëshkohet nga populli, kush nga brenda bëhet mashë politike cënon misionin e shenjtë e moralin e bluzave të bardha në këtë luftë dhe nuk do të justifikohet në vijim!”, shkruan Rama.
Po mirë, ato bluza të bardha në Lezhë e Durrës, që u infektuan nga koronavirusi, në cilën vijë zjarri paskan qenë? Kush e përcakton vijën e zjarrit sot?
Pse qenkan më pak të rrezikuar mjekët e infermierët në Korçë, Shkodër, Vlorë e Fier?
Ky është një turp që i shtohet një njeriu që nuk guxon të vërë dorë aspak te miliardat e klientëve, por shpreson që kjo flakë të kalojë kështu duke djegur të tjerët, por asgjë nga miliardat e oligarkëve të qeverisë.