“Robotët” po vijnë…

0
163

Nga Majlind Lazimi  

 

Para dy vitesh isha në një vizitë pune në Shenyang të Kinës ku pata fatin të vizitoja Zonën e Lirë Ekonomike dhe Industriale. Pjesa më mbresëlënëse ishte ishte vizita në një kompani “high-tech” të prodhimit të robotëve, ku praktikisht “robotët prodhonin robotë”. Kur pyeta menaxherin e kompanisë si ka mundësi që keni më shumë “punëtorë robotë” sesa punonjës, përgjigjja e tij tingëllon edhe sot shumë aktuale me krizën globale ekonomike të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit. Ai duke buzëqeshur më thotë: “Robotët mund të punojnë tre turne dhe nuk ankohen siç bëjnë njerëzit”…

Sot, edhe për shkak të pasojave të pandemisë globale të koronavirusit, po përjetojmë një përshpejtim të transformimit revolucionar të asaj që quhet “inteligjenca artificiale”, e cila në përditshmërinë tonë po përkthehet si “robotizim i njerëzve dhe humanizim i robotëve”. Praktikisht, trendi më i fundit në Suedi është implantimi i mikroçipëve nën lëkurën e dorës së njerëzve për “identifikimin biometrik & dixhital”, për të kryer pagesa për shërbime të ndryshme. Sikurse, tashmë është realitet “roboti humanoid”, si rasti i “Sofias”, e cila mund të diskuton me ndjenja dhe argumenta llogjike si një qenje njerëzore.

Pasojat e krizës ekonomike globale të shkaktuara nga pandemia e koranavirusit, pashmangshmërisht do të ngjallin debate të zjarrta nëse inteligjenca artificiale është më shumë një “bekim” apo një “mallkim” për njerëzimin në dekadat që do të vijnë. Bota i ka “vënë qepenin” ekonomisë për shkak se njerëzve u rrezikohet seriozisht jeta. Pra, në theb kemi të bëjmë me një krizë ekonomike të paprecedent për shkak se “kapitali njerëzor” në nivel global u karantinua dhe prodhimi u ndal si me një shkop magjik. Vetëm imagjinata më e shfrenuar mund të aludojë se nëse e gjitha bota do të funksiononte si ajo kompania kineze, ku “robotët prodhonin robotë”, atëherë kjo krizë ekonomike mund të shmangej, sepse fabrikat dhe bizneset nuk do të kishin nevojë për punonjës. Pikërisht, ajo që do të jetë një kërcënim serioz për mbijetesën ekonomike të qenjeve njerëzore në botën “post-covid 2019”, është vetë realizimi i kësaj imagjinate.

Njerëzimi mund të jetë “viktimë” e vetë suksesit të revolucionit teknologjik, automatizimit dhe inteligjencës artificiale, me impakt të thellë në krijimin e një “papunësi strukturore” në nivele të paimagjinueshme. Një studim i Universitetit të Oxford, parashikon se në 20 vitet e ardhëshme rrezikohet të humbasin 47% e vendeve të punës dhe të zhduken shumë profesione ekzistuese për shkak të zhvillime të vrullshme teknologjike. Është ironike fakti se interneti, fillimisht si një shpikje qeveritare dhe infrastrukturë publike, sot është platforma dhe investimi kryesor i kompanive financiarisht më të fuqishme në botë. Praktikisht, Facebook – kompania më e madhe e medias sociale në botë nuk krijon vetë asnjë “përmbajtje”; Airbnb – platforma më e madhe e akomodimit në botë nuk ka pronësi të saj asnjë shtëpi apo hotel; Uber – kompania e shërbimit taksi më e madhja në botë nuk zotëron asnjë taksi. Kjo është magjia e “ekonomisë dixhitale” dhe “revolucionit të 4-rt” industrial që po na pushton të gjithëve.

Epoka e post-koronavirusit, mesa duket do të sjell zhvendosje tektonike në planin gjeo-strategjik, në paradigmën e zhvillimit ekonomik, në modelin social dhe në stilin e jetesës në nivel global.

Në kontekstin shqiptar këto zhvillime teknologjike do të kenë impakt edhe më të madh ekonomiko-social. Për analogji, jo vetëm transmetimet televizive por e gjithë ekonomia jonë në pak vite do të duhet të përshtatet duke kaluar nga “analog” në “dixhital”, nga masivizimi i manifakturës në atë të shërbimeve. Pikërisht këtu është dhe pika jonë e dobët, për të cilën askush nuk po mendon akoma. Për shkak të automatizimit vetëm në pak vite industria jonë fason mund të ketë fatin e “makinës së shkrimit” kur u shpik kompjuteri. Cila është fatura ekonomike, financiare dhe sociale për dhjetëra mijëra familje që ushqehen nga kjo industri. Cili do të jetë fati i agjensive turistike, në një kohë që edhe sot secili prej nesh mund të rezervojë hotelin dhe biletën në “booking.com” pa pasur nevojë për agjentin turistik. Cili do të jetë fati i punonjësve në dyqane apo qendra tregtare, në një kohë kur tregtia online po luëzon? Cili do të jetë fati i punonjësve në agjensitë e pronave të paluajtshme, në një kohë kur “realiteti virtual” apo “interneti i gjërave” na mundëson që të shikojmë çdo cep të një objekti që mund të jetë qindra kilometra larg, përmes një aplikacioni në celularin tonë ashtu sikur të ishim fizikisht atje. Cili do të jetë fati i punonjësve në “bankingun tradicional” kur shumë shpejt po shkojmë drejt asaj që quhet “shoqëria pa para kesh” (cashless society), e cila në fakt sot është një realitet në Suedi, ku nuk mund të përdorësh para kesh qoftë edhe për taksi apo për të blerë produkte ambulante.

Ka shembuj pafund sesi teknologjia ka transformuar jetët tona për mirë, por njëkohësisht po rrezikojmë ekzistencën e modelit klasik ekonomik dhe mbi të gjitha vendet e punës për miliona njerëz kudo në botë. Pa dyshim që këto janë sfida të përbashkëta globale, por si edhe në rastin aktual të pandemisë së “koronavirusit”, çdo qeveri dhe shoqëri duhet të ketë gati me zgjidhjet e saj. Shpresojmë që shpejt pandemia e koronavirusit do të largohet, por me siguri “robotët” do të vijnë, duam apo s’duam, për të jetuar gjatë me ne.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here