Roberto Saviano është pothuajse gjithmonë një zë jashtë korit në analizën e tij politike, në zbërthimin sesi vepron krimi mafioz, në denoncimin e mungesës së të drejtave njerëzore apo në cështje specifike si legalizimi i drogave të lehta.
Po çfarë mendon Saviano mbi problematikat që u shfaqën nga pandemia? Aktualisht ai ndodhet në SHBA e ka pranuar një videokonferencë me një numër të ngushtë gazetarësh të huaj mes të cilave dhe gazetarja e RTV Ora News, Alba Kepi në Romë.
Roberto Saviano iu përgjigj interesit të gazetares mbi një opinion të tij mbi Shqipërinë, politikën dhe mafian shqiptare.
Intervista u transmetua ne emisionin “Tempora” ne TV Ora.
Alba Kepi (Ora News) – Po ju citoj fjalët e thëna ditë më parë nga kryeministri shqiptar Edi Rama. “Është e vërtetë që të gjitha shtetet janë mbyllur në kufijtë e tyre e vende shumë të pasura i kanë kthyer kurrizin të tjerëve”, fjalë që sollën një ovacion të fortë në rrjetet sociale nga publiku italian por dhe nga politika italiane, kaq pak kurajoze është diplomacia italiane që ka nevojë për fjalë të thëna me zë të lartë nga kryeministri i një vendi të vogël si Shqipëria e që për më shumë ende nuk është bërë pjesë e BE?
Roberto Saviano- Së pari shpresoj që Shqipëria të jetë shpejt pjesë e Bashkimit Europian. Shqipëria, mendoj se tha fjalë që italianëve u bëri mirë që i dëgjuan. Pasi Shqipëria është një vend fqinj, një vend kushëri i afërt për Italinë. Shqiptarët në Itali janë komuniteti i parë vërtetë i integruar në modernitet. Në Itali prej shekujsh jeton komuniteti i arbëreshëve, gjuha e tyre përodoret prej shekujsh, por për herë të parë shqiptarët e Italisë kanë sipërmarrësit e tyre, kanë fuqinë punëtore, janë integruar plotësisht e është ndër komunitetet e huaja të pozicionuar më pranë Italisë. Më ka impresionuar shumë fakti se brezat e të rinjve sot në Shqipëri flasin të gjithë gjuhën angleze duke injoruar gjuhën italiane, televizionin italian e ndryshe siç kishte ndodhur me prindërit e gjyshërit e tyre që ishin të fiksuar me televizonin e gjuhën italiane. Shqiptarët sot i kanë sytë më shumë në Gjermani, në Angli, në Amerikë, e jo më në Itali. Ka dhe një fakt tjetër. Është gjithnjë e në rritje numri i italianëve që sot emigrojnë në Shqipëri. Italia ëshë në gjunjë prej kohësh e qeveritë populiste janë një simptomë e kësaj krize që kurrë nuk është shfaqur qartë. Një vend i G7, i G8 që ulet mes më të mëdhenjve të botës, por që është një vend ku nuk ka më lindje fëmijësh, simptomë kjo e krizës së vërtetë, reale ekonomike, është një vend që ka një emigracion pa fund e që asnjë forcë politike nuk flet. Një vend ku është pothuajse e pamundur të kesh një kontratë pune të rregullt, e je i persekutuar nga sistemi fiskal, pra ku ka një sërë kushtesh që si punonjësi ashtu dhe sipërmarrësi janë në një presion të vazhdueshëm. Sipas mendimit tim Shqipëria në këtë rast nuk shfaqet si një vend i vogël që po ndihmon një vend të madh, por po shfaq ndihmën mes dy vendeve që njihen mirë, mjaft pranë me njëri-tjetrin, e po shfaqet si vendi që po mikpret emigrantët italianë, që dikur ishte vetëm një tendencë, pra mendoj se është një rishkrim i kushteve të raportit mes Shqipërisë e Italisë.
Gjithashtu qëllmi i dytë i operacioneve të ndihmës si në rastin e deklaratës së palës shqiptare apo në të ndihmës ruse o norvegjeze, pra qëllimi i dytë ka aspektin e propagandës, por është më shumë promovim për vendin e tyre e të kurajos së njerëzve që po sjell në ndihmë.
Alba Kepi (Ora News) – Ju e njijni mirë realitetin shqitpar. Çfarë mendoni për kriminalitetin në vend, lidhjet me politikën, riciklimin e parave të pista, korrupsionin, e investimet e mafias italiane në Shqipëri?
Roberto Saviano: Shqipëria është një vend plot mafia. E gjithë politika e mohon dhe ajo më e hapura apo brilante siç ajo aktuale. Mohojnë ekzistencën e mafieve e të dhënat janë të vështira për t’i kuptuar. Mafia shqiptare është e fuqishme në Itali, në Gjermani, në Francë, në Skandinavi, në New York. Mafie të fuqishme shqiptare janë; Mafia në Tiranë, në Prishtinë, në Mal të Zi e Mafia shqiptare në Maqedoni. Dhe në Greqi mafia shqiptare është e rëndësishme dhe e qëndrueshme. Këto mafie janë shumë të dhunshme. Menaxhojnë monopolin e marijuanës. Tani është më ndryshe por kujtoj Lazaratin parajësën tokësore të prodhimit e të trafikut të marijuanës. Politika shqiptare nuk bën dot pa marrëdhënien me mafian. Sa herë që unë flas del dikush në Shqipëri që thotë, “ne jemi kaq pak, jemi kaq vend i vogël, njihemi të gjithë me njërit-tjetrin, nuk besoj se është e vërtetë”. Por në të vërtëtë në Shqipëri bandat kriminale bëjnë punën e tyre. Problemi i vërtetë në Shqipëri është politika. Çdo tender, cdo mundësi qoftë e vetme fitimi i nënshtrohet tutelës së familjeve të politikës, të interesave, miqve, pra e ngjashme si dhe në Itali. Me shumë mundësi , mendoj se problemi i politikës shqiptare është më kompleks se ai i mafias.
Mafia shqiptare e mafia italiane janë sot një gjë e vetme, me një detaj të rëndësishëm sot Cosa Nostra amerikane, pra jo ajo italiane, por Cosa Nostra amerikane që bashkon të gjithë kalabrezët, napoletanë, puliezë, pranon në radhët e saj shqiptarë. Pra sot një shqiptar mund të jetë pjesë e Cosa Nostras amerikane. E kjo është një gjë e rrallë.
vijon