Në një intervistë për “STANDARD”, ish-ministri i Bujqësisë Edmond Panariti flet mbi pasojat që po sjell pandemia e Covid-19 te ekonomia shqiptare dhe specifikisht te bujqësia. Në këtë aspekt ai propozon të mbështeten direkt fermerët me fonde.
Ish-deputeti i LSI komenton edhe masat e marra nga qeveria ku kritikon vemdimet autokratike, ndërsa thekson se po shkelen të drejtat themelore të qytetarëve që janë të saksionuara në Kushtetutë. Po ashtu ish-ministri komenton edhe situatën e çmimeve të larta në tregje, ku thekson se Qecveria duhet të vendosë një “fixing” ditor ose javor të çmimeve të tregut të shumicës.
INTERVISTOI: Gëzim SALIU
Prej më shumë se një muaji vendi është në kushtet e karantinës për shkak të koronavirusit. Si e shihni këtë situatë?
Është një situatë jo vetëm kritike, por më shumë se kaq ende e paqartë për nga kohëzgjatja. Nëse virusi do të qarkullojë edhe për shumë kohë, do të na duhet të bashkëjetojmë me të dhe nga kjo pikëpamje duhet menduar për një strategji daljeje nga karantina e imponuar nga rreziku dhe rikthim gradual te normaliteti i mbikëqyrur.
Sa besoni se do jetë kohëzgjatja e kësaj pandemie dhe cilët do jenë sipas jush pasojat afatshkurtra dhe ato afatgjata për vendin?
Askush nuk mund ta thotë këtë me siguri dhe opsionet në këtë drejtim lëvizin që nga rënia e shpejtë e infeksionit në muajt e verës dhe deri në riciklim të tij në vjeshtë, apo ulja e agresivitetit të shkaktarit si rrjedhojë e mutacioneve të virusit siç ka ndodhur edhe me virusin H1n1 në 1918 dhe bashkëjetesa me të edhe me vendosjen graduale të imunitetit të tufës, të përforcuar ndofta nga prodhimi dhe dalja në qarkullim e vaksinës anti covid. Pasojat për vendin mund të jenë të rënda, ekonomia që tani ndodhet në recesion. Bizneset janë në paralizë nga bllokimi i tregut dhe i prodhimtarisë.
Cili është opinioni juaj mbi paketat e qeverisë në ndihmë të biznesit dhe atyre që kanë mbetur pa punë për shkak të bllokimit të aktivitetit nga masat kundër pandemisë?
Paketat ndihmë janë vetëm ato të cilat injektojnë para direkt te bizneset për të zbutur humbjet katastrofike. Nuk besoj te i ashtuquajturi fond i garancisë sovrane për kreditim të bizneseve për mbulimin e humbjeve. Nuk do të funksionojë! Sepse nuk ka funksionuar në situatë normale dhe jo më në situatë krize. Shembull për këtë është dështimi i kreditimit të bujqësisë me fondet e garancisë të BERZH dhe qeverisë para tre vitesh.
Duke qenë te masat e qeverisë, si i shihni ato. Ka shumë që mendojnë se janë të tepruara , gati drakoniane , e ndërsa të tjerë i aprovojnë. Ju si i vlerësoni?
Në përgjithësi qeveritë autoritare përqafojnë masat drakoniane të shtetrrethimit në raport me rekomandimet bazë të institucioneve botërore të shëndetësisë të cilat theksin e vendosin te testimi masiv i popullatës, izolim dhe karantinim të rasteve pozitive dhe përforcim i kapaciteteve spitalore reanimuese për rastet e rënda. Këto masa drakoniane shpesh marrin edhe trajta butaforie me nxjerrje blindash në rrugë dhe ngandonjëherë më tepër prishin punë se sa ndreqin.
Për shembull shtetrrethimi total i fundjaves, prishej të hënën nga dyndja masive në fashat orare të kufizuara të lirisë ku njërëz të shendoshë dhe të infektuar dyndeshin në markete për tu furnizuar dhe duke e nxitur përhapjen, të frenuar gjoja nga izolimi në fundjavë. Virusi nuk njeh fundjavë dhe javë. Tipike për qeveritë autarkike është qeverisja e kësaj situate me akte normative, anashkalimi i ligjeve dhe cënimi i të drejtave themelore të përcaktuara me kushtetutë. Padyshim të gjithë kemi pranuar të na kufizohet liria për përballjen e këtij infeksioni por jo demokracia.
Një nga sektorët më të prekur nga bllokimi ekonomik i vendit duket se është Bujqësia dhe veçabërisht fermeri. Si e gjykoni qeverinë në këtë aspekt dhe çfarë propozoni për një zgjidhje emergjente ndaj tyre?
Bujqesia te ne nuk është e financuar. Humbjet janë katastrofike dhe nëse nuk mbulohen të paktën kostot e prodhimit, falimenti i saj është i garantuar. Propozimi im është të mbështeten direkt fermeret me fonde për të mbuluar humbjet…Të përdoren pagesat direkte dhe të ngrijnë fondet për infrastrukturë bujqësore të parashikuar në programin IPARD të BE, këto para të rikanalizohen për të mbështetur prodhuesit në krizë.. Nëse qeveria do tja kërkonte këtë përshtatje të fondeve në përgjigje të situatës BE, jam i sigurtë që reagimi i tyre do të ishte pozitiv. Janë plot 72 milionë euro të pa përdorura ende të cilat rrezikojnë të digjen deri në fund viti nëse nuk veprohet.
Ndërkohë ju keni ngritur në publik edhe problemet për blegtorinë dhe barinjtë. Sa po ndikon kjo krizë te kjo kategori dhe cila sipas jush është zgjidhja imediate?
Blegtoria është e paralizuar nga mbyllja e tregjeve, shitjeve dhe pikave të therjes. Plot 2,4 milionë qingja dhe keca për mish rrezikojnë të mos shiten me një faturë humbjeje për blegtoret prej mbi 150 milionë euro. Në këto kushte duhet të ndalet importi i qingjave dhe bagëtive nga jashtë sepse ato duke u subvencionuar në origjinë shkatërrojnë tufat tona. E njëjta gjë vlen edhe për qumështin. Të rikthehen pagesat direkte për krerë për të ulur kostot shumë të larta të blegtorisë te ne.
Në këto kohë pandemie është vënë re një abuzim me çmimet në tregje. Cilat duhet të jenë sipas jush masat që duhen marrë në këtë aspekt?
Pandemitë dhe krizat janë moment i artë për spekulantët, kjo dihet. Ata bëjnë ligjin dhe diktojnë çmimet në treg deri te ato fundoret
Prandaj, Qeveria për të luftuar spekulantët së pari të përcaktojë: – Sa shumë është “shumë”? me çmimet e ushqimeve në treg. Vetëm më pas ajo mund të ndërhyjë me dënime dhe gjoba ndaj spekulantëve për të mbrojtur prodhuesit dhe konsumatorët !
Përndryshe në vend të luftës ndaj spekulantëve, ajo do tu bashkohej atyre! Kriza është një rast i artë për spekulantët!
Çoroditja e tregut, paraliza e transportit dhe kufizimi i lëvizjes së njerëzve, shpie në rritje spekulative të çmimeve. Një kg luleshtrydhe në tregjet e qyteteve sot, shkon tre herë më shumë se në tregjet e shumicës! E kështu me radhë për të gjitha prodhimet.
Nuk jemi në situatë normale, ku çmimet fundore i përcakton kërkesa dhe oferta dhe për rrjedhojë nuk justifikohet asnjë nderhyrje rregullatore. Por jemi në krizë!
Ku edhe oferta ashtu si edhe kërkesa për produkte janë të goditura rëndë dhe janë të shtrembëruara nga paraliza e COVID.
Prandaj duhet ndërhyrë, jo thjesht me kërcënime populiste për dënim të atyre të vegjëlve që tregëtojnë me çmimet që u imponojnë dhe vendosin “kartelet”, por duke gozhduar këta të fundit për spekulim dhe monopol.
Në mungesë të “bursës” bujqësore, Qeveria ka në dorë të vendosë një “fixing” ditor ose javor të çmimeve të shumicës të tregut të prodhimeve bujqësore dhe duke përllogaritur me bujari marzhet e kostove të magazinimit, transportit dhe fitimit të pakicës të vendosë çati maksimale për çmimet fundore në tregjet e pakicës së qyteteve. Të cilat kurrsesi nuk mund të jenë sa trefishi i çmimit të prodhuesve.
Kriza e kërkon këtë rregullim të përkohshëm. Përndryshe , fitojnë spekulantët, të tjerët humbin!
*Intervista është dhënë eskluzivisht për STANDARD.AL. Çdo ribotim i saj do mund të bëhet vetëm duke cituar të drejtat e autorit