“Ministri i Koronavirusit”, Arben Ahmetaj, i ftuar në emisionin “Opinion”, ka treguar numrin e shqiptarëve, që humbën punën e tyre brenda muajit, për shkak të krizës së krijuar nga Covid-19.
Ahmetaj tha se janë 40 mijë persona që kanë humbur vendin e punës.
“Të gjithë ata që kanë ikur nga borderoja deri në datën 10, përfitojnë 40 mijë lekëshin”, u shpreh ai.
Ahmetaj tha se gjithashtu në vend ka një rënie të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto me një vlerë minus 12- 18 përqind.
“Ulja e kërkesës së brendshme i dëmton të gjithë, shërbimet bazike, prodhuesit, fasonët. Unë mendoj se turizmi ka gjasa të dëmtohet më shumë, prodhimi gjithashtu sidomos ai për eksport, ka goditje për shkak të uljes së kërkesës”, u shpreh Ahmetaj.
Paketa e dytë e masave ekonomike, konceptuar për të lehtësuar krizën e shkaktuar nga koronavirusi, siguron të ardhura me vlerë 40 mijë lekë të reja, për 176 mijë familje dhe persona të specifikuar në tre kategori të ndryshme. Por, jo të gjithë do të përfitojnë nga kjo paketë e qeverisë.
Ahmetaj, bëri me dijë se janë 8 mijë profesionistë, në profesione të lira, që përjashtohen nga kjo paketë, ku përfshihen noterët, avokatët, etj.
““Noterët, avokatët, mjekët, farmacistët, arkitektët, inxhinierët, agronomët, vlerësues pasurish të paluajtshme, laborantë dentarë, ekonomiste, ekspertet kontabel, laborantet, janë të përjashtuar nga kjo paketë, sepse këta praktikisht në natyrën e punës nuk janë tek qytetarët në nevojë”, tha Ahmetaj.