Bashkia e Elbasanit eshte rrethuar sot nga protesta e dhjetëra pjesëtarëve të komunitetit rom, te cilet ankohen pasi sipas tyre nuk kanë marrë shtesën e ndihmës ekonomike të thënë nga ana e qeverisë.
Sipas banorëve mbyllja në shtëpi si masë mbrojtëse ndaj kovid 19-të i ka krijuar probleme në sigurimin e mbijetesës. Të irrituar qytetarët pa respektuar distancën e tyre kërkojnë shpjegim se përse sorollaten pa arsye.
Ata shtojnë se e vetmja ndihme e marrë nga bashkia ka qenë një pako modeste para një muaji, por tashmë shprehen se nuk kanë më asgjë se çfarë t’iu japin fëmijëve.
Shumica e anëtarëve të këtij komuniteti jetojnë me punë në të zezë, dhe për këtë ata kërkojnë që të rihapet tregu i rrobave të përdorura, në të kundërt duhet që ndihma e dhënë nga shteti të jetë më e madhe.
“Me 40 mijë lekë çfarë të bëj unë, të laj borxhet në dyqane apo të ha. Deri dje dilja dhe lypja në rrugë merrja 2 mijë 3 mijë lekë, sa për bukë, tani nuk kemi as bukë thatë. Ndihmat që ndajnë nuk mjaftonin as nga një kokërr orizi”, shprehet një prej grave rome.