Nga gazetari Armir Shkurti:
9 mars mbylli shkollat. Dhe askush s’reagoi.
10 mars mbylli komunikimin ajror dhe detar me Italinë. “Oh mos”- qe reagimi.
11 mars mbylli disko, kafe, palestra, klube nate, mjedise të mbyllura për fëmijë. “Sa mirë”! – thamë
12 mars. Që nga mesdita nuk ka më transport urban në Tiranë e Durrës. Heshtje!
Po atë ditë:
Anulohen shërbesat fetare katolike dhe të martat e pelegrinazhit në Shna Nou! Heshtje!
13 mars Rama ndaloi lëvizjen e makinave nga e premtja ora 18 deri të dielën në mesnatë. Heshtje!
Atë ditë në rrugë del ushtria. “Sa mirë. Ky popull derr me dajak merr vesh”
14 mars ndalohet shëtitja. Mbyllet parku i Liqenit Artificial. Më pas ndalohet edhe ulja në stola të lulishteve. Heshtje!
15 mars. Për herë të parë shfaqen masat për ata që thyejnë urdhërat. Heshtje!
16 mars vendoset ndalim qarkullimi pas orës 18.00 dhe gjoba për këmbësorët. Heshtje!
19 mars reduktohet orari i daljeve. Vendoset orari 06.00 – 10.00 dhe 16.00 – 18.00. Heshtje!!
21 mars Orari 05. – 13.00. Orari shtrëngohet në 05.00 deri 13.00. Heshtje dhe bindje!
21 mars. Ndalohet absolutisht çdo dalje nga shtëpia për fundjavë.Heshtje dhe bindje!
23 mars njoftohen arrestime “të pabindurish”. Heshtje!
30 mars del aplikacioni ku duhet të marrë leje vetëm 1 orë në ditë vetëm një pjestar i familjes për të bërë pazaret. Heshtje…
Më 16 prill janë njoftuar ndryshimet në Kodin Penal dhe Rrugor. Parashikohen deri 15 vjet burg dhe sekuestrim pasurie po shkele urdhërat e kryeministrit.
Heshtje e plotë!
Ju kujtohet historia e mësuesit amerikan Harri Fulc në Tiranë?
U hoqi frutin në drekë nxënësve. Heshtën. Të nesërmen u hoqi sallatën. Heshtën! Hoqi ëmbëlsirën. Heshtën deri kur i la me bukë e supë! Pastaj i rrevoltuar i mblodhi në shesh të shkollës dhe nuk u la gjë pa thënë, për mungesën e dinjitetit dhe sidomos mungesën e shpirtit të protestës.
Për fat të keq te ne nis që në djep. Fjala e babit është ligj, edhe kur babi mund të jetë idiot. Fjala e mësuesit është ligj, edhe kur mësuesi është maniak. Mësimi është dogmë dhe fëmija as duhet ta çojë ndërmend të pyesë, pale të verë në diskutim vërtetësinë. I gjithë sistemi punon me kapacitet të plotë për të prodhuar konformizmin, dogmatizmin e për të asgjësuar çdo farë mendimi të pavarur dhe mendimi kritik.
Pas këtij farkëtimi që nga djepi, kush vallë ka lëndë brenda kafkës (pale pastaj vullnet e dëshirë) të diskutojë me vete urdhërat, udhëzimet, vendimet? Aq më shumë kur pas tyre ndodhet polici me dajak e pranga!