Nga Namir Lapardhaja
Ishte vetëm 28 vjeç, i martuar, me një fëmijë. Zotëronte 7 gjuhë të huaja. Nuk kishte kryer asnjë veprimtari armiqësore. Kishte mbaruar Medresenë e Lartë të Tiranës, ishte fetar, biri i një hoxhe, familje me tradita qytetare. Poet, përkthyes, publicist, gjuhëtar, studiues… I paangazhuar politikisht. Siç janë zakonisht njerëzit e kulturuar të kategorisë së tij, aq më tepër në një kohë të turbullt dhe të vështirë, ku e tashmja është e pasigurt, e nesërmja e panjohur. Vexhi Buharaja, një ndër intelektualët e rrallë të Beratit, arrestohet nga regjimi komunist më 7 shtator 1947. Akuzat janë absurde. Të pavërteta, të stisura. Merret në hetuesi, shtrëngohet, dhunohet nga injorantë që nuk dinë shkrim dhe këndim. Xhahilë pa din dhe iman shkruajnë në procesverbal se “i pandehuri e heq veten si fetar dhe qan përpara prokurorit”. Në një fushatë të gjerë arrestimesh, pasi kishin përfunduar eleminimet e para me gjyqe të shpejta, është radha e tij. Çfarë kishte bërë i riu Buharaja për t’u arrestuar dhe për t’u gjykuar? Sipas akuzës, “gjatë pushtimit i pandehuri Vexhi Buharaja ka qenë pjesë e organizatës tradhëtare Balli Kombëtar, ka shkruar artikuj propagandistik në mbështetje të kësaj organizate, ka pasur miqësi me Namik Mehqemenë dhe Resul Tozharin”. Pas çlirimit ka pasur marrëdhënie miqësore me armiqtë Kostaq Stefa, Fatmir Shehu, Hekuran Zhiti etj. Jo vetëm kaq, por, ashtu siç thuhet në akuzë, ka shkuar për ngushëllim në familjen e Namik Mehqemesë kur ky është pushkatuar nga komunistët. Vexhiu është i ri. I shkolluar, i kulturuar. Ai e di se me përbindshat që kishin ardhur në pushtet nuk mund të luhej. Pranon që nuk ka pasur simpati për komunistët, që ka folur individualisht kundër tyre, por pa qenë pjesë e asnjë grupimi apo organizate. Pranon miqësinë me Namik Mehqemenë, ku tregon se e ka njohur nëpërmjet arsmitarit Jani Dodi (të dy të pushkatuar nga regjimi). “Me Namikun, – deklaron Vexhiu, – kisha lidhje kulturore. Ai ishte poet, shkruante vjersha, dhe m’i tregonte për t’i lexuar dhe korrigjuar. Edhe unë bëja të njëjtën gjë me të.”
Kaq mjafton për akuzën, mbyllin hetimet dhe, së bashku me shumë intelektualë të tjerë beratas, dënohet. 8 vjet burg, humbje e të drejtës politike për 3 vjet. Vendimi jepet më 10 janar 1948. Në një farë kuptimi, Vexhiu brenda vetes me kaq është i kënaqur. Miqtë e tij u pushkatuan, disa u burgosën me dënime të rënda dhe të gjata. Të gjithë të pafajshëm, me akuza të fabrikuara. Regjimi po godiste thellë dhe rëndë pikërisht tek inteligjencia. Më pas do ta kishte më të lehtë të vijonte të sundonte. Nën dhunën dhe terrorin e viteve të para, do të marshonin të patrazuar, duke mbjell kulturën e dhunës dhe të frikës në popull. Fati e donte që Vexhiu të mos e kryente të plotë dënimin. Ashtu si të tjerë, nëpërmjet një amnistie doli përpara se ta përfundonte atë. Mirëpo, e ardhmja e këtij njeriu u shënjua që në vitet e para të regjimit. Koha e tregoi që, pavarësisht gjenialitetit të tij, do të jetonte i pavlerësuar dhe i shfrytëzuar maksimalisht, ndërsa nëpërmjet punës së tij do të përfitonin të tjerët, njerëzit e pushtetit dhe të partisë, kurse destini i tij e donte që ai të priste biletat në berberanën e qytetit.