Evropës do t’i duhen të paktën 500 miliardë euro nga institucionet e Bashkimit Evropian për të financuar rimëkëmbjen e saj ekonomike pas pandemisë.
Kështu tha shefi menaxhues i Mekanizmit Evropian të Stabilitetit, Klaus Regling.
Në një intervistë në gazetën Corriere della Sera, Regling tha se mënyra më e lehtë për të organizuar fonde të tilla do të ishte përmes Komisionit Evropian dhe buxhetit të BE.
“Unë do të thoja se për fazën e dytë na duhen të paktën 500 miliardë euro të tjera nga institucionet evropiane, por mund të jetë më shumë”, tha Regling.
Ministrat e Financave të Bashkimit Evropian janë pajtuar më 9 prill, që zonës së euros, e cila FMN parashikon se do të zhytet në një recesion prej 7.5 për qind këtë vit për shkak të pandemisë, do t’i duhen para për t’u rikuperuar, por ata kishin ide të ndryshme se sa është shuma e nevojshme dhe si t’i siguronin ato.
Udhëheqësit e BE-së do të diskutojnë sërish në një video-konference më 23 prill.