Nga: Luan Rama
Ese
Nuk ka qenë një zgjedhje e rastësishme dhe as e paqëllimtë përcaktimi prej kryeministrit Edi Rama si “luftë”, i asaj që në fakt është përballimi i një sfide të imponuar jo vetëm ndaj nesh, por, ndaj gjithë botës prej pandemisë së koronavirusit.
E kam thënë edhe në një shkrim të mëparshëm dhe po e ritheksoj se lufta si koncept, por edhe si metaforë nëse do të përdorej, si realitet apo edhe si kërcënim eventual, si filozofi, si retorikë apo si mentalitet dhe psikologji qeverisëse, krijon panik, krijon konfuzion, mbjell frikë e disfatizëm.
Dhe kjo e gjitha është e shpjegueshme jo vetëm psikologjikisht, por më gjerë akoma edhe në planin njerëzor, teksa perceptimi për luftën ka po aq të pranishëm në vetëdijen e njeriut edhe vdekjen, dhembjen, vuajtjen e sakrificën, më shumë se sa fitoren.
Kësisoj, “lufta” u përdor si qëllimi për të justifikuar mjetet më shumë se sa si metaforë për të karakterizuar një realitet të caktuar apo specifik ku jeta ndjehet e kërcënuar prej vdekjes.
Përndryshe, për të përligjur edhe “eksperimentin” e durimit apo të nënshtrimit, të kamufluar tinëzisht nën petkat e kujdestarit të madh dhe të vetëm, apo të babait shpëtimtar të të gjithëve.
Ai pra, kryeministri, gjeti rastin të na thoshte se zoti i dritës dhe i diellit, roja i jetës dhe rendit nuk është më Apoloni siç na mëson mitologjia greke, por ai vetë, që po na mbron nga vdekja dhe po na ruan nga e keqja që ka kapluar gjithë botën.
Tipologjia e kësaj qasjeje dhe retorika e përdorur gjithashtu nuk janë të panjohura.
Historia politike e gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, apo ajo që në historinë moderne të Shqipërisë njihet si epoka e socializmit, na e ofron me tepri këtë model, mbi bazën e të cilit e gjithë propaganda dhe më tej akoma, e gjithë sjellja shtetërore, kushtëzohej prej psikologjisë së luftës nga njëra anë, dhe dominohej prej figurës së komandantit legjendar nga ana tjetër.
Luftë për të kultivuar frikën, pra edhe nënshtrimin, se përndryshe nuk shpëton dot, pasi shpëtimtari i vetëm jam unë, udhëheqësi i madh dhe i pagabueshëm.
Por, luftë edhe për të përligjur dhunën, represionin, sepse në kushtet e luftës është më e lehtë t’i ndash njerëzit në pro apo kundër, në armiq apo luftëtarë, siç është gjithashtu më e lehtë t’i ndërsesh të varfërit kundër të pasurve, turmat kundër atyre që nuk binden e nuk nënshtrohen.
Dhe si veshje artistike e gjithë kësaj luftomanie, na vijnë edhe vargjet “Nga lufta vijmë, në luftëra shkojmë,
dhe tjetër fat s’kërkojmë ne”.
Dhe shqiptarët, të gjendur përballë kërcënimit të luftës dhe me luftën mbi kokë, nuk kishin zgjedhje tjetër, por të punonin dhe të jetonin si në luftë, si revolucionarë në rrethim e me sytë nga udhëheqësi shpëtimtar, nga ai që na falte dritën dhe gëzimin dhe për të cilin ishim gati “të jepnim edhe nga ditët tona”, që atij t’i bëhej dita njëmijë, vetëm e vetëm që të na mbronte e të na shpëtonte nga lufta!
Sepse natyrisht, përballë luftës, jeta është me e vlefshme e nuk ka rëndësi në jeton në rrethim apo i mbyllur në shtëpi.
A nuk jemi në të njejtën tipologji edhe sot, kur lufta, burgu, sekuestrimi, mbyllja, bllokimi, dënimi janë refren i përditshëm i ligjërimit kryeministror?
A nuk gjendemi paradoksalisht edhe sot të kushtëzuar prej psikologjisë së luftës nga njëra anë, dhe të imponuar prej figurës së atij që vetshpallet si babai shpëtimtar nga ana tjetër?!
Edhe pse në fundvitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar kur socializmi shqiptar kishte marrë rrugën për në theqafjen pakthim, Edi Rama ishte ndër zërat më kontestues e stigmatizues ndaj butaforisë dhe idiotësisë së kokëboshëve të propagandës komuniste, mjerisht ka zgjedhur të njejtën gjuhë e të njejtën mënyrë performimi qeverisës, madje me një delirancë edhe më alarmante, edhe më fyese, edhe më poshtëruese.
I impostuar vizualisht në konturet e Ismail Qemalit e me një tendencë të pafshehur për të na u paraqitur si sozia e gjallë e tij, aq sa për këtë ka zgjedhur si sfond të shfaqjes publike pranëvënien me portretin e themeluesit të shtetit shqiptar, në slloganet që përdor, në thekset që vendos dhe në fjalët kyçe të artikulimit të tij, sfidon edhe vetë Enver Hoxhën, i cili në gjallje të vet, asnjëherë nuk guxoi të thotë se ishte babai i kombit apo shpëtimtari i madh i popullit.
Ai shkonte nga shkonte, gjithnjë thoshte partia dhe asaj ia dedikonte meritat, pavarësisht se partia ishte ai vetë dhe ajo, pra partia, ia atribuonte pastaj të gjitha meritat atij, udhëheqësit.
Ndërsa ky nuk ka skrupuj, nuk ka limite.
Si një maoist i pushtetit, pasi na tha se është timonieri i madh i shpëtimit të Shqipërisë nga krimi dhe korrupsioni në fushtën e zgjedhjeve të vitit 2017, pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, na tha se ai është shpëtimtari i vetëm që do të ndërtonte nga e para dhe më bukur madje gjithçka që u shkatërrua, ndërsa tani na bën babain e madh të të gjithëve dhe që e ka për detyrë të na mbrojë në këtë luftë me armikun e padukshëm, por që vetëm ai e sheh dhe që vetëm falë tij mund t’ia dalim të shpëtojmë!
Pa mua, thotë ky, nuk do t’i numëronit dot arkivolet dhe numri i të vdekurve do të ishte mbi 18 mijë! Dhe madje shkon edhe më tej në delirancën e vet, teksa na kujton se asnjë shtet tjetër në botë nuk ia ka dalë të bëjë më mirë se sa Shqipëria e qeverisur nga ai.
Duke u përpjekur ta shoh e ta vlerësoj gjithë sjelljen e Edi Ramës në pushtet gjatë këtyre gjashtë javëve ndryshe të jetës shqiptare, jo prej këndvështrimit politik, por nga raporti i qytetarit me atë që është kryeministër për të qeverisur dhe për të shërbyer, më është dashur të bëj përqasje me të tjerë kryeministra në vendet rreth e rrotull nesh apo edhe me tej në Evropë. Por nuk kam gjetur një të ngjashëm me të, sepse nuk ka një tjetër si ai.
Pasi, mbi çdo tipar, tek të tjerët dominon humanizmi apo thënë shqip, njerëzillëku. Dominon përgjegjshmëria dhe përgjegjësia institucionale dhe shtetërore, por edhe modestia e maturia që duhet të karakterizojë një njeri që është zgjedhur të udhëheqë.
Edhe ata në vendet e tyre janë në kushte të ngjashme e madje edhe më të rënda se Shqipëria, por askush prej tyre nuk ka deliruar deri në absurdin e vetshpalljes baba i kombit e shpëtimtar i popullit.
E para, sepse ata janë njerëz normalë e të përgjegjshëm, të vetëdijshëm që po kryejnë detyrën për të cilën janë zgjedhur.
Dhe e dyta, sepse popujt e vendeve të tyre, nuk do ta pranonin dhe as nuk do ta toleronin atë gjuhë fyerjeje e poshtërimi, që tek ky i yni, përveç se gjuhë, është edhe mentalitet, është edhe psikologji qeverisëse.
Përgjigjen se përse Edi Rama bën ndryshe prej të tjerëve, e gjejmë tek “Princi” i Makiavelit, sipas të cilit, parësore është të dish ti tundosh njerëzit dhe t’iu thuash atyre ato që ata duan të dëgjojnë, përmes shfaqjes karizmatike dhe gjuhës cinike, me synim manipulimin e tyre.
Fokusimi i psikologjisë së njerëzve në lojën mes jetës dhe vdekjes, këmbanat e luftës dhe alarmi për rrezikun prej saj dhe rolin e shpëtimtarit që ngrihet sa mbi patetizmin, kërcënimin, aq edhe mbi përgjërimin deri në përlotje, janë sjellja tipike prej makiaveli, e demonstruar ditë pas dite, me vetëdije dhe delirancë deri në kufijtë e abuzimit.
Është kjo arsyeja se përse ai ka zgjedhur luftën si paradigmë të delirancës së vet, duke na dëshmuar kësisoj atë që ka thënë shkrimtari i madh gjerman, nobelisti Tomas Man se: “Lufta është vetëm ikje burracake nga problemet e paqes”.