Kthjellim nga Gezim Xhepa
Përballë kësaj deklarate të KM, ndjeva presionin e shifrave të kobit, të përllogaritura nga kompetentë në krah të tij, që induktuan në Shqipëri një nga karantinat më të egra, më riskioze dhe më recesionuese në Evropë…!!!
E anashkalova si deklaratë, pasi e konsiderova lapsus politik dhe jo manovër politike, për vetë infatilitetin dhe butaforinë, që mbante në vete. Por fushata propagandistike mediatike që e shoqëroi, si dhe numri befasisht i ulët i moshës së tretë në qarkullim, gjatë fashës së lirisë orare të të shtunës, më bënë të reflektoj, se fatkeqësisht shifra ishte marrë seriozisht dhe kish suprimuar, duke ngjallur panik. Po marr përsipër të bëj argumentim të ftohtë matematik nga worldmeters of coronavirus…!!!
Së pari: Suedia, që nuk vuri asnjë masë izoluese, u pasua nga një vdekshmëri 152 vdekje/mln (vdekje/ për 1 milion banorë). Shqipëria vetëm 9 vdekje/mln, në rrethanat e mungesës së karantinës do kishte 442 vdekje, tmerrësisht larg 18000 vdekjeve të shifrës kryeministrore. Ky numër nuk merr parasysh ndryshimin epidemiologjik që shfaqi popullata e Evropës Lindore karshi asaj perëndimore në ndjeshmërinë, prekjen dhe agresivitetin e COVID-19, ku shifrat rezultojnë rreth 70% më të ulta. Pra numri i vdekjeve në mungesë karantine do na rezultonte rreth 133.
Së dyti: Në media u transmetua me bujë se Z. Tsipras vlerëson mjaft lart strategjinë e izolimit dhe bllokimit të gjithë jetës së vendit nga Qeveria Shqiptare dhe anashkalon problematikat e këtij bllokimi jo vetëm për ekonominë, por edhe viktimat që prodhohen nga nxjerrja jashtë loje dhe futja në kolaps të shërbimit shëndetësor. Z. Tsipras me strategjinë tuaj ju keni vetëm 2 vdekje/ mln më shumë. Pyetja është e thjeshtë: A është shembull për t’u marrë Shqipëria?! Ne me strategjinë tuaj, jo totalisht mbytëse, do kishim vetëm 5 vdekje më tepër, ose 31 vdekje
Së treti: Po trumbetohet me forcë suksesi i izolimit shqiptar në raport me rajonin dhe shoh ekzaltim butaforik, pa përllogaritje të dëmeve, që po pasojnë kohëzgjatjen dhe agresivitetin e këtij izolimi. Vdekjet/ mln në rajon në rend ngjitës janë Bullgaria 6, Mali i Zi me 8, Shqipëria 9, Greqia 11, Kroacia 11, Serbia 14, Bosnje Hercegovina 15, Maqedonia 24, Sllovenia 36. Shifrat dëshmojnë se nuk jemi as vendi që duhet marrë shembull dhe as më i problematiku në rajon. Duke ju kthyer tendencave për ligjërimin e problematikave të një karantine kaq agresive, numri i vdekjeve në Shqipëri do të varionte në vlerë absolute nga 18 (në situatën bullgare) deri në 108 (në situatën Sllovene). Një pyetje e thjeshtë per epidemiologët, sa janë viktimat e një epidemie gripi të zakonshëm në Shqipëri…?!!! Sa vdekje pritet të shkaktojë traskurimi i sëmundjeve kronike dhe jeta sedentare e moshës së tretë, në kushte të daljes jashtë sistemit e QSUNT për gjithë periudhën e izolimit…?!!!
Zoti Kryeministër, ekspertët tuaj kanë bërë një gabim trashanik me shifrën prej 18000 vdekjesh që ju kanë referuar në mungesë izolimi, se në skenarin më të keq që përmendet në analizat tuaja situata e kolapsit shëndetësor italian, shifra e të vdekurve në Shqipëri nuk mund t’i kalonte 1100 të vdekur.
I kthehem një analize disi më profesionale për rastet e reja që dalin dhe që evidentohen nga tamponimi i popullatës target, të kontakteve të drejtpërdrejta me coronavirusin. Të jemi të ndërgjegjshëm, që këto raste nuk influencohen nga karantina dhe agresiviteti i saj. Pasi këto raste shpesh janë në rrethin e ngushtë, ku nuk penetrojnë masat e karantinës, si p.sh.: brenda familjes së vogël, brenda një fisi, apo miqësie të ngushtë, etj. Në këtë popullsi, shkalla e infeksiozitetit rezulton nga 5 deri në 10% (jo për meritë të karantinës). Në këto rrethana janë serotestet në personat tampon negativ, që do vërtetonin nëse kjo është rezistencë gjenetike, apo skalionet e të infektuarve janë të fundit në një rreth social tashmë të imunizuar nga kalimi i virusit…!!!
Gjithë këtë analizë modeste e bëra, për të inkurajuar çlirimin e masave të izolimit, zbutjen e tyre, dhe kthimin gradual në normalitet të jetës sociale, ekonomike dhe atë shëndetësore në vend. Për dikë që shqetësohet nga analiza ime jo prej specialisti të mirëfilltë, po e sqaroj se analiza e mësipërme është më tepër matematike, se sa mjekësore…!!!