Art në distancë/ E bija e Lasgush Poradecit, Maria na kujton poetin, por edhe shenjuesin e estetikës së vargjeve, me një tekst eseistik kushtuar shkrimit letrar…
Nga Lasgush Poradeci
Pse shkruaj, pse parapëlqej të shkruaj vargje dhe jo prozë? Kur them vargje, kuptoj që duhet të jenë të përsosur nga arti. Vetëm këto të përsosurit rrojnë (dhe mezi dhe këto). Të papërsosurit vdesin. Sepse gjuha ndryshon pas 500 vjet. Ajo më s’është siç ishte. Është ligji i saj fiziollogjik dhe shpirtëror (siç është zhvillimi i njeriut). Bibla e Lutherit p.sh. e shkrojtur para 500 vjetëve më s’do mundte të përdorej prej gjermanëve pa i-u bërë përpunime gjuhe. Gjithashtu dhe përkëthimet e “përsosura” mjaftojnë për një kohë të gjatë, po dhe kjo kohë e gjatë një herë mbaron. Vetëm që kur përkëthimi ose një vepër origjinale janë të mira, kanë mundësi të qëndrojnë më gjatë. Pse? Sepse dyke qënë të përsosura, të derdhura si në mermer, pas mbarimit të kohës sa qëndron gjuha e tyre (p.sh. 500 vjet), ato mund të ripunohen në themel të formës, të derdhjes së tyre të parë, pa çformuar derdhjen e parë. Poezija ka mundësi të qëndrojë më shumë se sa proza, sepse poezija ka një formë më skulpturale një derdhje më të pandryshuar.
Përsa i përket toskërishtes, kjo siç duket, një herë mund të mënjanohet prej gjuhës së “mesme” (e cila e mesme, s’është veçse një gegërishte e zbutur -, e zbutur nga influencimi armonios i toskërishtes -).
Gegërishtja ka energji fizike, toskërishtja ëmbëlsi shpirtërore. Dyke bashkuar gegërishten me toskërishten, gegërishtja gjith dyke mos humbur forcën, energjinë, fiton dhe harmoní, ëmbëlsí (si gjuhë e “mesme” me karakter geg). Lufton pra forca fizike me harmoninë shpirtërore, trupi me shpirtin. Forca si një gjë brutale, do të fitojë (lëndërisht) përmi shpirtin, do të mbetet (mbase) gjuha e “mesme” gege, sepse gjithnjë forca fiton përmi shpirtin. Ky fitim është lëndor. Lëndërisht do kemi si gjuhë gegërishten (e “mesme”). Po një gegërishte të shpirtëzuar me infuencën e toskërishtes. Shpirtërisht toskërishtja nuk humb, shpirti do duket në ëmbëlsinë, harmoninë, bukurinë e gegërishtes se “mesme”.
Sa më e fortë, më e fuqishme, më e shumanëshme të jetë toskërishtja në harmoninë e saj, aq më shumë do të ndjehet fryma e saj mirëbërëse në gegërishten (e “mesme”).
Edhe unë mundohem, me fuqitë e mija, t’ja nxjerr në shesh toskërishtes potencialitetin e saj shpirtëror, bekimin e harmonive të saj, dyke bërë vargje të përsosur në harmoni. Harmoni nuk është formë (forma e përsosur s’është kurrë art, mund të jetë zejtari, po jo art).
Harmonija ime është manifestim (me anë të vargut), i vetë jetës dhe i vetë botës shqiptare, së kristalizuar në forma të dukura shpirtërore, të cilat janë simbole të jetës dhe të botës. Prandaj rima ime identifikohet me fondin, prandaj formë e fond janë një: janë realiteti shpirtëror i çfaqur identikërisht me anën e poezisë. Prandaj rima ime nuk kuptohet kurrë që është rimë, po tretet në simbolin e jetës, të cilin ajo e shpreh me atë simbol të përsosur. Ky është arti im, një art shqiptar. Kur them rimë, e bashkuar me fondin, nuk kuptoj vetëm rimën, po dhe ritmin dhe masën me stilin e jetës, të jetës shqiptare. Është jeta shqiptare, morali ethik shqiptar që çfaqet me atë simbol poetik, sepse vetëm gjuha shqipe (e derdhur në poezi) me tingujt frymorë dhe lëndorë të saj ka mundësi të shprehë harmoninë specifike së poezisë s’ime. Sa më e përsosur është një poezi, ajo është (njëkohësisht) dhe aq më e fuqishme, d.m.th. aq më shumë përmban potencialin e moralit frymor shqiptar.
Që dua të dali poezija ime (e cila është “harmonija” ime në kuptimin e rrëfyer më sipër) sa më potenciale, kjo nuk shkaktohet prej volles t’ime individore, po prej vetë potencialit të jetës dhe botës, i cili me vitalitetin e tij të plotë e shtyn vetveten që t’a çfaqi, t’a shprehi më plotërisht. Shprehjen ky vitalitet e di (nga vetë natura e tij) e dó të jetë njëjt me potencialin e vet të tij. Nuk ka potencial më të madh ose më të vogël në poezinë e përsosur, po ka vetëm potencial të plotë, d.m.th. vetëm gradën supreme të potencialitetit vital të jetës së racës. Jeta (p.sh. në manifestimin e saj si “dashuri”) ka vetëm një potencial, d.m.th. ajo është e përsosur, d.m.th. e fortë absolutisht. Prandaj dhe poezija duhet të shprehi jetën – me simbolin poetik – në maksimumin e saj, në potencialin absolut të saj. Atëhere poezija është e përsosur, perfekte. Kur s’është e përsosur: kur s’ka fuqinë supreme, poezija nuk se ësht’e metë, po s’i përshtatet, s’i përputhet potencialit moral të jetës, pra s’është poezi, nuk përfaqëson vitalitetin integral të jetës dhe të botës, potencialin absolut.
Nuk ka pra poezi të madhe ose të vogël, të mirë ose të keqe, por vetëm poezi që i përshtatet plotësisht potencialit jetësor dhe poezi që s’i përshtatet. Poezija që i përshtatet, është POEZIJA, ajo që s’i përshtatet NUK është poezi dhe pra duhet të vdesë, të mos rrojë – sikundër dhe s’rron po humbet.
Pse duhet të jetë poezija e fortë, potenciale, e përsosur? Sepse vetëm dyke qënë potenciale, ka fuqinë me vete që të transmetohet më tej, që të transformojë potencialitetin e jetës dhe racës më tej në të ardhmen njerëzore…
Transmetimi moral i jetës (me anë të simboleve poetike) lot një rol aktiv dhe jo absolut. Vërtet, se gjithë poezija sado e fortë, humbet, (edhe përkëthimi i bukur i Shakespeare-it prej Schlyel Tieck, ose përkëthimi i Biblës prej Lutherit) nuk rron përjetë, sado i përsosur që të jetë. Sepse gjuha ndryshon me kalimin e kohës, dhe gjuha si dhe stili i çdo përkëthimi duhet ndrequr, siç ngjet me gjermanishten e Biblës së Lutherit që sot e 500 vjet përpara.