Nga Kosova e Ahtisaarit, te “Kosova e Grenellit”

0
129

Nga Enver Robelli

Më 2008 pothuaj gjithë bota perëndimore ishte në anën e ish-presidentit të Finlandës dhe të mëvetësisë së Kosovës. Plani i tij ishte një shans.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e vulosi më 2010 bukur mirë legalitetin dhe legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës.

Pastaj politikanë të Kosovës që tuteshin se pas raportit të Këshillit të Europës do të përfundonin në burg, filluan negociatat me Serbinë nën “mbikëqyrjen e BE-së”.

Më 2013 u nënshkrua një “marrëveshje historike”. Pas kësaj “marrëveshjeje historike” një injorante proruse nga Italia me vend të punës në Bruksel ju dha leje dy presidentëve (të Kosovës dhe Serbisë) që të flasin për “çdo temë”. Edhe për kufijtë.

Dhe këta folën. U takuan në Bruksel dhe gjetiu nëpër Europë. “Marrëveshja historike” u harrua. Në vitin 2019 ra një qeveri për shkak se kundërshtoi planet për varrosjen e Kosovës së 17 shkurtit.

Në mars 2020 ra qeveria tjetër për shkak se kundërshtoi ngutësinë e paparë të një emisari amerikan për të gjetur një zgjidhje dosido për Kosovën dhe për të anashkaluar Bashkimin Europian (i cili për gati një dekadë ndoqi politika të gabuara ndaj Kosovës).

Llogaritë për secilin janë këto: emisari amerikan dëshiron t’i dëshmohet shefit para zgjedhjeve, presidenti serb dëshiron të prishë kufijtë në mënyrë që ta ketë derën hapur për projekte të tilla gjetiu në rajon, presidenti i Kosovës shpreson se edhe një “marrëveshje historike” e shpëton nga burgu. Interesat e qytetarëve të Kosovës në këtë muhabet nuk luajnë rol të madh.

“Kosova e Grenellit” do të jetë projekt për zhbërjen e besimit se Kosova bëhet shtet funksional. Shtet do të jetë, ndoshta jo me këta kufij. Shtet është edhe Somalia.

Hajdutët kanë arsye të jenë të lumtur. Projektit kundër Kosovës së 17 shkurtit i janë bashkuar edhe ata që deri dje bëheshin sikur janë kundër prishjes së kufijve të Kosovës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here