Filozofi Edgar Morin: “Nuk po them se e kam parashikuar këtë pandemi, por prej shumë vitesh them se me degradimin e biosferës tonë, na duhet të përgatitemi për katastrofat”
I mbyllur në shtëpinë e tij në Montpellier, filozofi Edgar Morin i mbetet besnik vizionit të tij global të shoqërisë. Kriza epidemike, thotë ai, duhet të na mësojë që ta kuptojmë me mirë shkencën dhe të (bashkë)jetojmë me pasigurinë. Si edhe të zbulojmë një formë humanizmi.
Pandemia e koronavirusit e ka vënë brutalisht shkencën në qendër të shoqërisë tonë. Do të dalë e transformuar ajo prej saj?
Ajo që më godet është se pjesa më e madhe e njerëzve e shohin shkencën si një freskore të vërtetash absolute, pohimesh të pakundërshtueshme. Dhe të gjithë ndjehen të sigurtë kur shikojnë se Presidenti është i rrethuar nga një këshill shkencor. Por çfarë ka ndodhur? Shpejt është kuptuar se këta shkencëtarë mbronin pikëpamje shumë të ndryshme dhe nganjëherë edhe kontradiktore midis tyre, si mbi masat që duheshin marrë, ashtu edhe mbi përdorimet e mundshme për t’ju përgjigjur emergjencës mbi vlefshmërinë e këtij apo atij ilaçi, mbi kohëzgjatjen e eksperimentimeve klinike për t’u realizuar… Të gjitha këto kundërshti kanë ngjallur dyshime në mendjet e qyetarëve.
Doni të thoni se njerëzit mund të humbasin besimin tek shkenca?
Nëqoftëse do të kuptojnë se shkencat jetojnë dhe zhvillohen nëpërmjet polemikash, jo. Për shembull, debatet mbi klorokinën kanë mundësuar që të ngrihet problemi mbi alternativën: urgjencë apo maturi? Bota shkencore ka përjetuar kundërshti të forta kur në vitet ’80 u shfaq AIDS-i. Tani, ajo që na kanë treguar filozofët e shkencave është saktësisht fakti që polemikat janë pjesë përbërëse e kërkimit. Deri i kanë nevojën që të ecin përpara. Fatkeqësisht, shumë pak shkencëtarë e kanë lexuar Karl Popper, që ka përcaktuar se një teori shkencore është e tillë vetëm nëse është e kontestueshme, Gaston Bachelard, që ka ngritur problemin e kompleksitetit të dijes, apo Thomas Kuhn, që ka demonstruar sesi historia e shkencës është një proces me intervale. Shumë shkencëtarë e injorojnë kontributin e këtyre epistemiologëve të mëdhenj dhe punojnë akoma me një perspektivë dogmatike.
Besoni se kriza që po përjetojmë do të shërbejë për ta modifikuar këtë vizion të shkencës?
Nuk mund ta parashikoj, por shpresoj se do të shërbejë për të zbuluar sesa shkenca është një gjë shumë më komplekse nga sa mund të besohet – qoftë nga ata që vihen nga ana e atyre që e shikojnë si një katalog dogmash, apo kush nuk i sheh shkencëtarët vetëm si Diafoirus-ë (sharlatan i të Sëmurit për Mend të Molière, shënimi im.) të shumtë që janë gjithmonë në kontradiktë… Shpresoj që kjo krizë do të shërbejë për të zbuluar sesa shkenca është shumë më komplekse nga sa mund të besohet. Ashtu si demokracia, është një realitet njerëzor që bazohet mbi debatin lidhur me idetë. Ashtu si demokracia, edhe shkenca është një realitet njerëzor që mbështetet mb debatin lidhur me idetë, anipse metodat e verifikimit të saj janë më rigoroze. Pavarësisht kësaj, teoritë kryesore e pranuara tentojnë të dogmatizohen dhe novatorëve të mëdhenj u është dashur gjithmonë të luftojnë për t’i bërë të pranueshme zbulimet e tyre. Episodi që po përjetojmë sot mund të jetë kështu momenti i mirë për të sensibilizuar qytetarë dhe kërkues lidhur me nevojën e kuptimit se teoritë shkencore, ashtu si dogmat fetare, nuk janë absolute, por janë të biodegradueshme…
Katastrofa shëndetësore apo situata e karantimit të paprecedent që po përjetojmë sot: sipas jush, çfarë është më e rëndësishme?
Nuk ia vlen të përcaktohet hierarkia midis këtyre dy situatave, pasi lidhja e tyre ka qenë kronologjike dhe bart një krizë që mund të quhet e qytetërimeve, pasi detyron që të ndryshohet sjellja dhe të ndryshohen jetët tona, si në nivel lokal, ashtu edhe në atë planetar. E gjitha kjo është një tërësi komplekse. Nëqoftëse dëshirohet të shikohet nga një këndvështrim filozofik, duhet tentuar të përcaktohet një lidhje midis gjithë këtyre krizave dhe parasëgjithash të reflektohet mbi pasigurinë, që është karakteristika kryesore. Ajo që është shumë interesante në krizën e koronavirusit është se nuk ekziston asnjë siguri lidhur me vetë origjinën e këtij virusi, as mbi format e ndryshme, mbi popullsitë tek të cilat përhapet, mbi nivelin e rrezikshmërisë së tij… Po ne po përjetojmë një pasiguri të madhe edhe mbi të gjitha pasojat e epidemisë në të gjitha fushat sociale, ekonomike…
Sipas jush, në çfarë e formojnë lidhjen midis të gjitha këtyre krizave këto pasiguri?
Duhet të mësohemi dhe t’i pranojmë e të bashkëjetojmë me to, duke qenë se qytetërimi ynë ka ngulitur tek ne nevojën për të pasur gjithnjë e më shumë siguri lidhur me të ardhmen, shpesh iluzive, nganjëherë të lehta, kur na kanë treguar me saktësi se çfarë do të na rezervojë 2025! Ardhja e këtij virusi duuhet të na kujtojë se pasiguria mbetet një element i padiskutueshëm i gjendjes njerëzore. Të gjitha sigurimet sociale që mund të nënshkruajmë nuk do të jenë kurrë në gjendje të na garantojnë se nuk do të sëmuremi apo nuk do të jemi të lumtur me familjen tonë! Kërkojmë që të rrethohemi nga të gjitha siguritë e mundshme, por të jetosh do të thotë të lundrosh në një det pasigurishë, nëpërmjet ishujsh të vegjël e arqipelagësh sigurie ku do të duhet të ndalemi për t’u furnizuar…
Është ky rregulli i jetës tuaj?
Do të thoja se ky ështtë më shumë rezultati i përvojës time. Kam asistuar në kaq shumëë ngjarje të paparashikuar në jetën time – nga rezistenca sovjetike në vitet ’30 tek rënia e Bashkimit Sovjetik, ppër të përmendur vetëm dy fakte historike të pamundura, përpara se të ndodhnin – sa që këto gjëra janë pjesë e mënyrë time së të qënit. Nuk jetoj në një gjendje të përhershme ankthi, por pres që të ndodhin ngjarje pakashumë katastrofike. Nuk po them se e kam parashikuar këtë epidemi, por, për shembull, prej disa vitesh them se me degradimin e biosferës tonë duhet të përgatitemi për katastrofat. Po, kjo është pjesë e filozofisë time: «Prit të papriturën». Veç kësaj, preokupohem për fatin e botës, pasi kur lexova Heidegger më 1960, kam kuptuar se jetojnë në epokën planetare; më pas në 2000 se globalizimi është një proces që mund të shkaktojë më shumë dëme sesa benefite. Për më tepër, vërej se shpërthimi i pakontrolluar i zhvillimit tekno – ekonomik, i ushqyer nga një etje e pakufizuar fitimi dhe e favorizuar nga një politikë neoliberiste e përgjithësuar, është bërrë e rrezikshme dhe shkakton kriza të çdo lloji… Qysh nga ai moment e prapa, unë jam i gatshëm intelektualisht që ta përballoj të paparashikueshmen, t’i përballoj tronditjet.
Për të qëndruar tek Franca, si e gjykoni menaxhimin e epidemisë të bërë nga ana e administratës publike?
Më vjen keq që nevoja të caktuara janë mohuar, si ajo për mbajtjen e maskave, vetëm për… të fshehur faktin që nuk kishte të tilla! Është thënë edhe se testimet janë të kota, vetëm për të kamufluar faktin se nuk kishte testime të disponueshme. Do të kishte qenë njerëzore të pranohej se janë bërë gabime dhe se këto gabime do të korrigjohen. Përgjegjësia kalon nëpër pranimin e gabimeve. Thënë kjo, kam vërejtur se qysh nga diskutimi i tij i parë për krizën, Presidenti Macron nuk ka folur vetëm për bizneset, por edhe për rrogat e për punëtorët. Është një ndryshim i parë! Shpresoj se në fund do të çlirohet nga bota financiare, më pas ka evokuar mundësinë e ndryshimit e modelit zhvillimor…
Po shkojmë drejt një ndryshimi ekonomik?
Sistemi ynë i bazuar mbi kompetitivitetin dhe mbi fitimin shpesh ka pasoja të rënda për kushtet e punës. Praktika e madhe e telepunës, e përhapur me këtë kufizim lëvizjeje, mund të kontribuojë në ndryshimin e mënyrës sesi funksionojnë bizneset që janë ende shumë hierarkike apo autoritare. Kjo krizë mund edhe të përshpejtojë kthimin tek prodhimi lokal dhe braktisjen e të gjithë industrisë së njëpërdorimshmit, duke u ofruar kështu vende të reja punë artizanëve dhe bizneseve lokale. Në këtë periudhë ku sindikatat janë dobësuar shumë, janë të gjitha këto veprime kolektive që mund të kenë një impakt ndaj përmirësimit të kushteve të punës.
Po përjetojmë një ndryshim politik, ku po transformohen marrëdhëniet midis individit dhe kolektivit?
Interesi individual ka dominuar gjithçka dhe tani solidariteti po rizgjohet. Le të shikojmë botën spitalore: ky sektor ishte në një gjendje konfliktesh dhe pakënaqësishë të thella, por, përballë fluksit të pacientëve, ka dhënë provën e një solidariteti të jashtëzakonshëm. Edhe pse e kufizuar nga lëvizjet, popullsia i ka kuptuar mirë, duke e duatrokitur çdo mbrëmje, të gjitha ata njerëz që dedikohen dhe që punojnë për ta. Padyshim që ky është një moment progresi, të paktën në nivel kombëtar. Fatkeqësisht, nuk mund të flasim për një zgjim të solidaritetit njerëzor apo planetar. Kështu qemë tashmë, qenie njerëzore, nga të gjitha vendet, që ndesheshin me të njëjtat probleme të degradimit mjedisor apo të cinizmit ekonomik. Ndërsa sot, nga Nigeria në Zelandën e Re, jemi të gjithë të mbyllur në shtëpi, duhet ta kuptojmë se fatet tona janë të gjithë të lidhur, na pëlqen apo jo. Tani do të ishte një moment i mirë për ta ringjallur humanizmin tonë, derikur do të fillojmë ta shikojmë njerëzimin si një komunitet të fatit, nuk do të mund t’i shtyjmë qeveritë të sillen në mënyrë novatore.
Nga filozofi që është tek ju, çfarë mund të mësojmë për t’i tejkaluar këto periudha të gjata kufizimi lëvizjeje?
Është e vërtetë se për shumë prej nesh që e jetojnë jetën larg shtëpie, kjo mbyllje e papritur në shtëpi mund të përfaqësojë një siklet të tmerrshëm. Ama mendoj se mund të jetë një rast për të reflektuar, për të pyetur se çfarë nga jeta jonë është e pavlerë apo e kotë. Nuk po them se urtësi do të thotë të qëndrosh të gjithë jetën në dhomën tënde, por ndoshta kjo mbyllje e detyruar në shtëpi do të mund të ketë ndonjë efekt mbi mënyën tonë e të konsumuarit apo të të ushqyerit dhe se ndoshta ky është pikërisht momenti për ta hequr qafe të gjithë këtë kulturë industriale të cilës i janë të njohur vese, ndoshta ky është momenti i dizintoksikimit. Është edhe rasti për t’u vetëdijësuar përfundimisht lidhur me këtë të vërteta njerëzore që njohim të gjithë, por që tentojmë t’i mbajmë të shtypura në nënvetëdije: dashuri, miqësi, komunion, solidaritet janë gjëra që na japin cilësinë e jetës.
(nga CNRS – Le Journal)
Përgatiti: ARMIN TIRANA