Analisti Agron Gjekmarkaj mendon se kryeministri Edi Rama po sillet në kohën e pandemisë si në fushatë elektorale dhe thekson se opozita duhet t’i përgjigjet me politikë.
Sa i përket testimit masiv ai tha se është moto e OBSH-së dhe se sa më shumë tamponë e testime aq më e lehtë bëhet përballimi i pandemisë.
“Nuk e di cili është eksperti që këshillon km dhe qeverinë kur OBSH e pranoi që kishte gabuar që kishte hedhur teorinë e testimeve të lokalizuara. Tani ka një moto, testime, testime. Ke rastin e fundit në Krujë apo Kurbin, ku ka vatra të reja. Aty kishte një biznes fason, prej kohësh është thënë që duhet të mbylleshin fasoneritë, që të testoheshin njerëzit.
Kjo e testimeve lë për të dëshiruar, numri më duket minimal. Shpresoj dhe uroj që situata të zgjidhet edhe me ndihmën e Zotit por nuk mjaftojnë as lutjet e as shpresat por duhet mjekësi. Sa më shumë tamponë e testime aq më mirë mund ta përballojmë’, u shpreh Gjekmarkaj.
Në lidhje me ekonominë dhe paketat, ai tha se janë konfuze dhe modeste dhe se duken si paketa sociale për sot.
“Kapacitetet e Shqipërisë sigurisht që janë të kufizuara kështu që në këtë kontekst nuk mund të mendojmë se mund të bien kapakë floriri nga qielli. Paketat më duken konfuze, modeste. Më tepër se paketa ndihme për nesër më duken paketa sociale për sot. Shoh paqartësi. Nuk ka një vizion për turizmin përveç se thirrjeve patriotike rrini në Shqipëri. Nuk ka ende një projekt për plot biznese të tjera. Paketa ekonomike është një paketë sociale për momentin, mjaft e ngatërruar por nuk shoh një paketë të mirëfilltë ekonomike që mund t’i japë shpresë vendit”, u shpreh Gjekmarkaj.
Po a do ndryshojë shoqëria shqiptare pas pandemisë?
“Do ndryshojmë në një fazë të parë psikologjikisht. Do dalim në rrugë e do mendojmë se kemi një armik virtual. Do shtojmë distancat e higjienën, do shmangim tubimet. Do hyjmë me kujdes në një dyqan, në një auditor. Do ecim me kokën anash. Frika është humane”, tha Gjekmarkaj./BW