Kreu i Sindikates se Futbollistëve Profesionistë Andi Lila, në lidhje direkte në “News24”, tregoi se po bëhet çmos që t’u vihet në ndihmë mbi 270 kërkesave që kanë ardhur në drejtim të instuticionit që ai drejton.
Sindikata e Futbollistëve Profesionistë në vendin tonë, prej ditësh është vënë në lëvizje për të ndihmuar lojtarët dhe ish-lojtarët në nevojë, pasi siç e thotë ai vetë, si qeveria ashtu edhe FSHF, nuk u janë përgjigjur kërkesave të tyre. Dihet tashmë që qeveria e ka lënë futbollin jashtë paketës së ndihmës, ndërsa federata zgjodhi të ndihmojë vetëm klubet që varen nga privatët, duke lënë jashtë skemës së saj klubet që varen nga bashkitë dhe që në vendin tonë përbëjnë pjesën dërrmuese.
Lila theksoi se gjëja e parë që duhet bërë sapo të kalojë emergjenca e koronavirusit është statusi i futbollistit, që në vendin tonë mungon dhe i sheh lojtarët mes katër rrugëve sapo përfundojnë karrierën. Si lojtar i Tiranës që është, ai deklaron se nuk dëshiron ta marrë titullin në tavolinë, ndërsa vuri në dukje se po punohet me sindikatën homologe në Itali për një tjetër ndeshje bamirësie, të ardhurat e të cilave të shkojnë për spitalet. Në ndryshim nga sfida e luajtur për të prekurit e tërmetit në vendin tonë, kjo përballje pritet të luhet në Itali.