Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë një interviste me Skype për “News 24”, u shpreh se, opozita do të mbështesë me çdo formë dhe mënyrë protestën e qytetarëve shqiptarë që kërkojnë të drejtat e tyre në këtë gjendje të krijuar për shkak të pandemisë së Koronavirusit.
A i sheh opozita si opsion protestat si në Brazil ku edhe presidenti iu bashkua qytetarëve?
Basha: Janë dy gjëra që s’duhet të ngatërrohen, mbështesim, inkurajojmë e do t’i japim kurajo protestës së drejtë të qytetarëve që tashmë ka nisur, për të drejtat e tyre, s’kërkojnë lëmoshë, e ka detyrim shteti, ai urdhëroi mbylljen e biznesit. Ligji i fatkeqësive natyrore e ka të shkruar që për cdo dëm material financiar që u vjen qytetarëve shteti duhet ti përgjigjet me ndihmë financiare.
Dëgjojini ato zonja, flasin për të gjitha zonjat e Shqipërisë që kanë ngelur në baltë. Janë të parat që përballen me mungesën e bukës për vogëlushët.
Opozita mbështet me të gjitha format e mënyrat protestat e qytetarëve për të kërkuar e fituar të drejtat e tyre e për ti dhënë fund dështimit nga qeveria.
Ajo që nuk do bëjmë është të shfrytëzojmë këtë zemërim popullor të drejtë për interesat tona politike, por do mbështesim gjithë qytetarët në kërkimin e të drejtave të tyre. I thua rri në shtëpi e nuk i tregon planin që ke për ta nxjerrë vendin nga kriza, i thua rri në shtëpi e nuk i jep një kacidhe, bëhet e gjitha që dhjetra veta të marrin qindra milionë euro të taksave të shqiptarëve, Rama këtë mundohet ta kalojë me sulme ndaj opozitës”.