Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili në një lidhje të drejtpërdrejtë në “News 24” deklaroi se nuk ka as marrëdhënie të ftohta e as të ngrohta mes Metës e Ramës.
Vasili theksoi se qeveria vazhdon të bëjë politika të gabuara për karantinën, duke vënë në dukje edhe faktin se nuk ka ende shërbim të mjekut të familjes etj.
“Pandemia e koronavirusit ka tronditur botën. Gjendja e fatkeqësisë u vendos, pas insistimit tonë. Sensi kritik e aktiv i presidentit ishte shpëtimtar që të mos kishim një legjislacion penalizues dhe anti-demokratik. Ne bëmë që legjislacioni ynë të afrohet me atë të Danimarkës. Zgjatja e afatit të pandemisë së virusit është e pakuptimtë.
Nëse nuk do të kishte bashkëpunim, situata do të ishte kritike. S’ka marrëdhënie të ftohta e të ngrohta mes Metës dhe Ramës. Bashkëpunimi ishte domosdoshmëri për të minimizuar krizën. Por, qeveria vazhdon që të bëjë gabime në politikat për karantinën, teksa ka edhe mungesë të mjekut të familjes”, tha Vasili.
Vasili ka komentuar ndryshimet e fundit në Kodin Penal, dekretuar disa ditë më parë edhe nga Presidenti Meta, ndërsa thekson se drafti i parë i prezantuar nga qeveria ishte mjaft i rrezikshëm për shqiptarët, ndërsa thekson se ndërhyrja e Presidentit Meta ishte shpëtimtare.
Është fakt që Kodi ynë Penal dhe legjislacioni ynë nuk kishte shprehi të qarta për raste pandemie. Ne paraprakisht u njohëm me një draft kritik në pikëpamje të parë dhe ishte i rrezikshëm. Ndërhyrja e Presidentit ishte shpëtimtare, për të zbatuar një standard shumë të lartë. Ky sens kritik ishte shpëtimtar për të mos pasur fakt të kryer këtë legjislacion kaq të rrezikshëm”, deklaroi Vasili.