Zullumet që nxori në shesh tërmeti po mbulohen me grabitjet në kohë pandemie…

0
119
Nga Ndriçim Mehmeti 

Shprehja e vjetër se “ujku mjegull kërkon”, po zbatohet në mënyrë më të mirë të duhur në këtë kohë pandemie. Turravrapi për të fituar me shpejtësi marramendëse nuk kursen asnjë sektor: Arsimim, shëndetësi, kulturë, art, bujqësi e gjithkund. Të gjithë ata që dinë si të grabisin ditën për diell, kohë më të mirë se tani nuk mund të gjenin. Na duhet të shembim një shkollë e bëjmë tani, na duhen maskat i blejmë të skaduara sa frëngu pulën  dhe ja japim mjekëve, etj. Na duhet të fitojmë e mbi fitojmë në merë të mësimit online, thërrasim në ndihmë kompanitë private dhe fusim a mijëra euro në xhep me të ashtuquajtura dhurata bamirëse në kompjuter e tableta.

Si i mbuloj pandemia zullumet e grabitjeve që nxori në shesh tërmeti?

Le të nisim me rikonstruksionin e vetëm dy shkollave: Gjimnazi “Sami Frashëri”, në Tiranë dhe shkolla “Ramazan Jangozi” në Thumanë. Çfarë ndodhi me shkollën “Sami Frashëri” në Tiranë? Në korrik të vitit 2018, në të gjitha televizionet dhe gazetat si dhe në faqen zyrtare të Bashkisë së Tiranës, Kryetari i kësaj bashkie do të deklaronte: “Veç projektit për ndërtimin e 20 shkollave të reja, Bashkia e Tiranës po kujdeset që shkollat ekzistuese të përmirësojnë kushtet për të mirëpritur nxënësit e tyre. Një prej shkollave që iu nënshtrua rikonstruksionit është edhe gjimnazi “Sami Frashëri”, nxënësit e të cilit mund të studiojnë në mjedise moderne. Bashkia e Tiranës, me mbështetjen e kompanisë “P. M” dhe organizatës “M. Sh”, rikonstruktuan fushat sportive brenda dhe jashtë shkollës, sallat e zhveshjes, dyert e klasave, si dhe laboratorët shkencorë (biologji, kimi dhe informatikë).”

Më pak se dy vjet më parë z. Veliaj na premtoi se “shkolla kishte kushte moderne, ishte ndërhyrë në pothuaj të gjitha mjediset e saj”, duke mundësuar studime në mjedise moderne të nxënësve të kësaj shkolle. Mirëpo tërmeti i 21 shtatorit dhe 26 nëntorit, prishën në themel rikonstruksionin moderne të godinës së shkollës, fiks 1 vit e 4 muaj pas rikonstruksionit. Por Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Arsimit as që e prishën terezinë, për këtë situatë të krijuar. Bashkia deklaroi se “nxënësit do të hynin në mjediset e tyre, në janar 2020” dhe  rrethoi shkollën për një rikonstruksioni fasadë, për të na mbushur mendjen se po riparoheshin dëmet e tërmetit. Por, erdhi pandemi dhe planet e bashkisë, ndryshuan tërësisht. Duke ju përgjigjur interesit të mediave për fatin e ndërtesës së shkollës “Sami Frashëri”, Bashkia Tiranë jep këtë përgjigje:“Sipas ekspertëve të Institutit të Ndërtimit, tërmeti i 21 shtatorit, si dhe tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit, kanë shkaktuar dëme të mëdha në strukturën mbajtëse dhe për këtë arsye kanë dalë në përfundimin se shkolla, pra themelet dhe struktura e saj, nuk do t’i bënte ballë një tërmeti tjetër të ngjashëm me dy të parët. Prandaj, Bashkia e Tiranës ka vendosur rindërtimin nga e para të shkollës, për të shmangur çdo rrezik të mundshëm për nxënësit e saj. Shkolla e re “Sami Frashëri” do të ndërtohet më e madhe dhe me cilësi shumë herë më të mirë, me kushte moderne për nxënësit, e gjithashtu do të funksionojë si një shkollë me një turn.” Pra Bashkia e Tiranës ka qenë në dijeni që më 21 shtator 2020, që shkolla “Sami Frashëri”, kishte dëme të mëdha në strukturën e saj dhe ka lejuar vijimin e mësimit duke rrezikuar jetën e nxënësve. Pas tërmetit të 26 nëntorit, Bashkia Tiranë, nuk ka folu kurrë për dëmtime serioze në strukturë, përkundrazi e kufizonte gjithë kritikën që i bëhej, se “në shkollën “Sami Frashëri” ishin dëmtuar kornizat mbajtëse të dyerve dhe dritareve”.  Por duket se me fillimin e pandemisë, Corona virusi i ri , ka përshpejtuar degradimin e strukturës mbajtëse dhe themeleve të shkollës, prandaj Bashkia e Tiranës ka vendosur shembjen e saj dhe rindërtimin nga e para me mjedise moderne, sikundër na premtoi edhe në korrik të vitit 2018. Po ja ta zëmë se të gjitha këto janë të vërteta, a mund t’i përgjigjet Bashkia Tiranë, pak pyetjeve të thjeshta: Kush e mbajti të fshehtë raportin e ekspertëve të Institutit të Ndërtimin mbi themelet dhe strukturat mbajtëse të ndërtesës të cilat ishin dëmtuar shumë rëndë? Përse godina e shkollës nuk u shpall e pabanueshme dhe nuk u shemb në dhjetor 2019, por ju nënshtrua një rikonstruksionit sërish? Sa është shuma e rikonstruksionit prej dhjetorit e deri tani dhe përse u harxhuan miliona në një godinë që ishte planifikuar për tu shembur? A ka një projekt për ndërtimin e shkollës “Sami Frashëri”, kush është fituesi, do të ndërtohet nga donatorët, njësoj si procedura që u ndoq në rikonstruksionin  e 2018-ës, apo do të jepet me PPP? Sa merret prej taksës së përkohshme për arsimin dhe sa prej kësaj shume do të përdoret për ndërtimin e shkollës “Sami Frashëri”?  Akoma më i rëndë është rasti i Thumanës. “Kryetari i bashkisë së Krujës, Artur Bushi theksoi se infrastruktura arsimore është prioriteti kryesor i bashkisë dhe ky investim është tjetër shembull. “Dëmtimi i shkollës e kishte bërë të pamundur nisjen e vitit të ri shkollor, pasi kushtet jo vetëm që ishin të papërshtatshme, por kishte dhe rrezik shembje të mureve”. Për këtë bashkë me Ministrinë e Arsimit, bashkëfinancuam këtë projekt fantastik, që ofron kushtet bashkëkohore në shtator. Ky projekt arrin vlerën 58.785.179 lekë dhe parashikon ndërhyrje të plotë në godinën aktuale, sistem ngrohës, ndërtimin e palestrës dhe pajisje të reja shkollore.” Kryetari i Bashkisë së Krujës, z. Artur Bushi, nuk e prishi terezinë fare dhe i ra shkurt telashit me shkollën “Ramazan Jangozi”. E ndërtuar në shtator të vitit 2020, me paratë e Ministrisë së Arsimit dhe bashkisë Krujë, e bekuar prej deputetes Eglantina Gjermeni me urimet më të pamata, shkolla u rrafshua në themel, më 4 dhjetor 2020. 550 mijë euro investim, u shndërruan në pluhur e zhavorr në më pak se 1 orë, në mes të ditës, pa ja bërë tërr syri askujt.

Po përse Besa është e lumtur me shembjen e shkollës “Sami Frashëri” dhe “Ramzan Jangozi”?

Në rastin e shkollës “Sami Frashëri”, për hir së të vërtetës, përftimi ekonomik dhe politik përfshin tre persona: ish-Ministren e Arsimit Nikolla, ministren aktuale Shahini dhe kryetarin e  Bashkisë Veliaj. Lindita ishte ajo që na mbushi mendjen e fillimit të epokës digjitale në shkollën “Sami Frashëri” ku instaloi infrastrukturën dhe u shpërndau tabletat e mësimit digjital nxënësve. Tableta avulluan për një kohë të shkurtët, duke zhdukur edhe disa mijëra e miliona euro nga Tirana deri në Përmet. Pasardhësja e Linditës, Besa na bëri me dije se tabletat ishin në shkollë, por nuk mund të dilnin dot që aty, për shkak të karantinimit. Tani tabletat dolën nga shkolla, ose më saktë nuk dihet ku janë groposur dhe me këtë rast, nuk do të kemi asnjë gjurmë të tyre dhe asnjë mundësi të hetojmë nëse ato ishin në gjendje pune, apo thjesht ishin sa për numër dhe inventar. Besa me këtë rast ka mbuluar një aferë që bie shumë erë të paraardhëses së saj, ndërkaq që me shembjen e shkollës, ka larë duart si institucion. MASR, e cila, asnjëherë nuk vuri ujin në zjarr, për shkollat e dëmtuara nga tërmeti, paçka se ligji e bën përgjegjëse për sigurinë e fëmiut ne institucionet  arsimit parauniversitar. Shembja e shkollës, i leverdis Besës, po aq sa z. Veliaj. Ky i fundit ka një mundësi të artë, që të mos hetohet asnjëherë se ku përfunduan mijërat e euros, në korrik të 2018. Po kështu edhe ca mijëra në 2019 për rikonstruksionin që do ta gjente në gjendje për vijimin e mësimdhënies shkollën “Sami Frashëri”, në janar 2020. Po të të njëjtat përfitime në rrafshin politik ka edhe financiar Shembja e shkollës “Ramazan Jangozi”. Besa u lumturua e para që nuk ka më prova për zhduken e 550 mijë eurove brenda dy muajve, z. Bushi, po ashtu nuk mban ndonjë përgjegjësi si bashkëfinancues në ndërtimin e shkollës, ndërsa znj. Gjermani mezi pret përurimin e shkollës  së re, të ngritur mbi themelet e shkollës së re inaugurua në 2002, që të hap lajmin e madh për “mësimin në kushte moderne, mundësuar nga kontributi i Rilindjes për arsimin”. Ka edhe fakte të tjera edhe më të rënda, për grabitjet në kohë pandemie në arsim, por kaq mjaftojnë që Prokuroria të nis hetimet, prindërit të mbrojnë të drejtat e fëmijëve të tyre dhe organizmat e “pavarura”, brenda dhe rreth MASR, të ngrenë një gjysmë zëri për këto vjedhje ditën për diell.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here