Fatmir Mediu, kreu i republikanëve fajëson qeverinë për “injorimin” e marrjes në kohë të masave për përballimin e pandemisë Covid-19. Mediu apelon përmes kësaj interviste për “Gazeta Shqiptare” se rrezikut të pasigurisë nga pandemia, shqiptarëve u shtohet rreziku i papunësisë masive, shkatërrimit të bizneseve, ndërprerjeve të aktiviteteve të kompanive të huaja, rrënimit ekonomik, varfëri dhe probleme të rënda sociale.
“Për fatin e keq – shprehet aleati i PD-së – kryeministri Rama ka një paketë shumë më të dobët edhe se Kosova për kapërcimin e situatës së pandemisë”.
Ai përmend se: “Shqipëria është vendi më absurd ku s’ka më as gjyqësor, parlament qesharak dhe qeveri që nuk ekziston”.
Në kushte të tilla, Fatmir Mediu si masë kyçe sugjeron rikthimin i ligjit dhe kushtetutshmërisë. Sipas tij, është e domosdoshme dhe urgjente një pakete e plotë ekonomike, që lufton problemin e papunësisë, mbështet biznesin dhe njerëzit në nevojë.