Presidenti Ilir Meta ka mundur të gjejë dakordësinë e opozitës për shumë çështje, por jo për ndryshimet në kodin penal.
I pyetur se çfarë fshihet pas kësaj paqeje politike me kryeministrin Rama dhe nëse ka një marrëveshje mes tyre, Meta pati këtë përgjigje:
Meta: Nuk ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme apo e çuditshme në sjelljen time si President. Ajo që të gjithë duhet të kenë të qartë është se aktet e Presidentit kanë qenë terësisht publike. E vërteta është se qeveria dhe kuvendi si asnjëherë më parë kanë kërkuar një bashkëpunim paraprak me institucionin e Presidentit për ndryshimet në kodin penal me qëllimin për të evituar një përplasje publike që nuk do ti shërbente në terësi klimës aktuale por edhe menaxhimit të zbatimit të këtyre ndryshimeve. Është fakt i njohur që ndryshimet krijuan jo pak reaksion në opinionin publik nga organizata të ndryshme të shoqërisë civile, opozita, Avokati i Popullit që bënë edhe propozime konkrete se ku cedonte propozimi i parë në raport me të drejtat e njeriut dhe pasojat që mund të vinin.
Sigurisht që Presidenti ishtë në një situatë të tillë që mund të mos bashkëpunonte me parlamentin, mund të shfrytëzonte të drejtën e tij për ta kthyer njëherë këtë inciativë por kjo nuk do të pamundësonte miratimin e tyre, përkundrazi do të na sillte të kishim në fuqi disa dispozita tepër problematike për të garantuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut në vend. Unë kam zgjedhur rrugën më të mirë, më të shëndetshme për përballimin e kësaj pandemie. E vërteta është që në kodin tonë penal kishte boshllëqe sa i takon këtij aspekti të mbrojtjes së shëndetit publik, të gjitha ndryshimet që janë bërë dhe propozimet që kanë qenë publike tre orë para se Kuvendi të shprehej me votim për këto ndryshime në kodin penal kanë qenë të standardeve më të larta europiane.