Presidenti Meta: Zbatimi i ndryshimeve në Kodin Penal nuk duhet të lërë asnjë shteg për keqinterpretim

0
144

Në një letër drejtuar autoriteteve më të larta në vend, Presidenti Meta bën thirrje për zbatimin e unifikuar të ndryshimeve në Kodin Penal. Gjithashtu Meta thekson se këto ndryshime nuk duhet të lënë shteg për keqinterpretime.

Letra e plote

KËSHILLIT TË LARTË GJYQËSOR

KËSHILLIT TË LARTË TË PROKURORISË

PROKURORIT TË PËRGJITHSHËM

MINISTRISË SË SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE

MINISTRISË SË BRENDSHME

MINISTRISË SË DREJTËSISË

INSTITUTIT TË SHËNDETIT PUBLIK

DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË POLICISË SË SHTETIT
Tiranë
Për dijeni:
KRYETARIT TË KUVENDIT

KRYEMINISTRIT

AVOKATIT TË POPULLIT

Në datën 16 prill 2020, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi Ligjin nr. 35/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

Ky ligj u shpall me dekret në datën 22 prill 2020 dhe në datën 23 prill 2020 u botua në Fletoren Zyrtare.

Dekretimi i këtij ligji në datën 22 prill, u shoqërua me një deklaratë për shtyp ku shprehimisht u kërkua që, përpara hyrjes në fuqi të dispozitave të reja në Kodin Penal:
• Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Komiteti i Ekspertëve dhe Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile, të vlerësojnë plotësimin e kuadrit ligjor apo nënligjor që lidhet drejtpërdrejt me aplikimin e legjislacionit penal, si dhe përcaktimin e qartë dhe shterues sipas ligjit nr. 15/2016 të listës së sëmundjeve infektive të rrezikshme, që lidhen me zbatimin e masave të jashtëzakonshme, procedimin administrativ apo penal;
• Të gjitha kufizimet, masat e veçanta apo rregullat, shkelja e të cilave sjell sanksione administrative e më pas, penale, të nxjerra nga ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave apo çdo organ tjetër i ngarkuar nga ligji, t`i nënshtrohen një fushate të gjerë e të vazhdueshme informimi publik, përpos botimit të detyrueshëm dhe brenda afatit në Fletoren Zyrtare;
• Fushata e informimit duhet të përfshijë edhe normat e reja penale;
• Pushteti vendor dhe Qeveria duhet të rrisin kapacitetet e tyre për t`iu përgjigjur në kohë kërkesave dhe nevojave më jetësore të shtresave më në nevojë dhe sidomos të pensionistëve, të cilëve iu është kufizuar liria e qarkullimit;
• Njoftimi i menjëhershëm dhe i drejtpërdrejtë i personave të diagnostikuar, karantinuar apo izoluar, dhe i të afërmve të tyre dhe personave të tyre të kontaktit, të jetë i dokumentuar.

Deri më sot, nuk kemi administruar informacion zyrtar se si është punuar nga ana juaj në këtë drejtim, por sjell në vëmendjen tuaj edhe një herë nevojën për bashkëpunim dhe koordinim mes institucioneve shtetërore përgjegjëse për sa më sipër.

Gjithashtu, ritheksoj se, zbatimi i ndryshimeve në Kodin Penal që përmbajnë figurat e dy veprave të reja penale, e që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me situatën në të cilën ndodhemi për shkak të pandemisë COVID- 19, nuk duhet të lërë asnjë shteg për keqinterpretim sa i takon rrethit të subjekteve dhe veprimeve apo mosveprimeve që ngarkojnë me përgjegjësi penale.

Për shkak të rëndësisë së madhe që kanë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, që mund të preken apo ndikohen nga legjislacioni penal, bëjnë të domosdoshme që normat e reja penale, të aplikohen me transparencë, objektivitet, dhe në respektim të parimit të ligjshmërisë dhe të sigurisë juridike.

Një normë e re penale rrezikon të aplikohet me vështirësi dhe të cenojë të drejta, nëse përmbajtja e saj nuk kuptohet në mënyrë të unifikuar, e për pasojë, as nuk zbatohet në mënyrë të unifikuar. Në këtë këndvështrim, zbatimi i normës penale në mënyrë të unifikuar, ka një funksion garantues për liritë themelore të njeriut dhe mbrojtjen e dinjitetit njerëzor.

Përpos sa më sipër, lind nevoja e një bashkëpunimi midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Institutit të Shëndetit Publik, Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Ministrisë së Drejtësisë, Prokurorit të Përgjithshëm, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për hartimin e udhëzuesve integralë që do të orientojnë Policinë e Shtetit, dhe sistemin e drejtësisë penale në tërësi, për aplikimin e dispozitave të reja të Kodit Penal, bazur në kritere të qarta teknike dhe aktet ligjore e nënligjore në fuqi që lidhen me kuptimin e termave si “gjendje e epidemisë”, “masa të jashtëzakonshme”, “urdhër i organeve kompetente për karantinim ose izolim”, “person mbartës”, “detyrimi i njoftimit nga autoritetet shtetëtrore përkatëse”, apo “sëmundje infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin”.

Miratimi i këtyre udhëzuesve dhe publikimi i tyre, duhet t`i paraprijë hyrjes në fuqi të dispozitave të reja të Kodit Penal, për të patur një zbatim objektiv, në përputhje me parimet kushtetuese dhe me rrethanat që kanë diktuar miratimin e këtyre normave të reja penale në këto momente.

Orientimet e unifikuara do të garantojnë që këto norma të reja penale të aplikohen në mënyrë sistematike, për përmbushjen e funksioneve të këtyre figurave të reja të veprave penale, funksionin garantues se do të zbatohen këto dispozita vetëm sipas elementëve që janë përcaktuar qartë në ligj, ashtu si dhe funksionin mbrojtës ndaj lirive dhe të drejtave themelore që lidhen me jetën e shëndetin e njeriut, ashtu si dhe me shëndetin publik në tërësi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here