Përmes një mesazhi në “Facebook”, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, njofton se do të ndihmojë tri komunat me shumicë shqiptare, Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, për të fituar betejën me koronavirusin.
Mesazhi i Albin Kurtit:
Qeveria e Kosovës i del në ndihmë Preshevës, Medvegjës e Bujanocit në luftën kundër COVID-19
Qytetarë të dashur,
Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Financave dhe Transfereve ka ndarë mjetet për ndihmë financiare në shumën prej 500 mijë euro për komunat me shumicë shqiptare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.
Ky vendim vërteton edhe njëherë gatishmërinë dhe interesimin që ne si Qeveri e Kosovës kemi ndaj popullatës shqiptare që jeton në këto komuna. Më e rëndësishme për ne në këto momente është që të solidarizohemi me qytetarët, në mënyrë që ata të marrin trajtimin bazik të mjaftueshëm për të mbrojtur shëndetin e tyre.
Jemi të vetëdijshëm që situata me COVID-19 ka rritur jashtëzakonisht nevojat sa i përket pajisjeve mjekësore dhe që buxheti i cili fillimisht është ndarë për pjesën e shëndetësisë është i ultë për shumë institucione. Me këtë ndihmë financiare ne kemi arritur t’i ndihmojmë sadopak këto komuna që të mund të ballafaqohen me vështirësitë që i ka sjellë Coronavirusi në shumë aspekte. Në këtë vendim, mjetet financiare janë ndarë në këtë mënyrë:
– Për Preshevën kemi ndarë 200,000 mijë euro,
– Për Bujanocin kemi ndarë 200,000 mijë euro,
– Për Medvegjën kemi ndarë 100,000 mijë euro.
Këto pagesa janë realizuar më 27 prill, nga llogaria e Thesarit në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, përmes bankës korrespondente “Deutsche Bank AG”, në llogaritë e këtyre tri komunave në Bankën Qendrore të Serbisë.