Djegia e bankave dhe dhuna ka vijuar ne Liban per te dyten nate rradhazi, teksa qytetarët po rikthejnë edhe një herë vëmendjen te kriza e rëndë ekonomike që po kalon vendi, edhe gjatë kësaj periudhe pandemie.
Në Liban vazhdojnë protestat qytetare kundër krizës disamujore ekonomike, e përshkallëzuar së fundmi edhe nga izolimi i vendit si pasojë e pandemisë.
Dhuna e tubuesve precipitoi sërish të martën mbrëma me zjarrvënien dhe vandalizimin e fasadave të bankave e bankomateve në kryeqytetin Tripoli.
Për të dytën natë radhazi, ndaj forcave të rendit u lëshuan objekte të forta.
Këtyre akteve policia iu kundërpërgjigj duke qëlluar me plumba gome dhe gaz lotsjellës.
Të paktën një i ri ka mbetur i vrarë nga trazirat, ndërsa me dhjetëra janë arrestuar që prej nisjes së rebelimit qytetar fundjavën e kaluar.
“Kjo që shohim sot është vetëm fillimi,” shprehet një protestues, teksa shton se politika duhet tani të përballet me vuajtjet dhe pakënaqësitë që do i vijnë nga rruga.
Protestat në Liban shpërthyen tetorin e kaluar, kur qindra mijëra njerëz demonstruan kundër elitës udhëheqëse dhe se si korrupsioni po e gjunjëzonte ekonominë e vendit.
Që atëherë monedha kombëtare është zhvlerësuar më tej, 1 dollar shkëmbehet me 4,200 sterlina libaneze, inflacioni dhe papunësia janë rritur, ndërsa bankat kanë pezulluar tërheqjen e depozitave, duke i vënë si rezultat në objektivin e dhunës qytetare.
Ambasada amerikane në Liban i ka quajtur justifikuar protestat në vend, por ka apeluar ndaljen e dhunës dhe cenimin e pronave private e publike.