Këshilltari për Ekonominë në PD, Dorian Teliti ne një intervistë për ‘News24 deklaron se qeveria duhet t’ju vijë në ndihmë sektorëve që kanë nevojë. Teliti tha se paketat ekonomike të qeverise janë tërësisht të pamjaftueshme dhe se propozimet e PD për këtë situatë do të nxirrnin vendin nga kriza.
Mes të tjerash ai tha se, PD ishte e para që ngriti shqetësimet për rrezikun që i kanoset fasoneve apo dhe call-centre, të cilat duhet të ishin mbyllur për të paktën për një periudhë 4-javore, dhe se bizneset apo dhe familjet, duhet të ndihmoheshin.
“Janë 70 mijë familje që punojnë në fisnori. Janë 760 biznese që punojnë. Pjesa më dërrmuese e tyre janë gra, gra familjare. Pagat në këto fasone janë të ulëta. Ne kemi kërkuar që në momentin e parë të pandemisë, duke qenë se këto biznese janë me shumë njerëz, që të mbylleshin këto biznese, në mënyrë që të mos kemi kontaminim të njerëzve. Vetëm para disa minutash kemi një rast tjetër të një fasonerie këtë afër Tiranës. Nëse një person preket, ai rrezikon dhe persona të tjerë. Fatkeqësisht situata ka dalë jashtë kontrollit. Kostoja ishte 15 milionë euro në muaj. Pse nuk i ka qeveria aq? I ka. Pasi ka 40 mln euro për shërbime luksi dhe për koncesionet. Ka fonde rezervë. Paratë janë dhe gjenden. Nuk kemi para pa fund. Për të menaxhuar 3 muajt e parë të krizës, për t’i ardhur në ndihmë fasonëve, dhe call centreve, biznesit të vogël dhe të madh, konsumatorëve, jua siguroj se me paketën e PD, situata do menaxhohej.”, tha ai.
Këshilltari për Ekonominë në PD, Dorian Teliti tha se ‘korona-ekonomia’ do vrasë më shumë në këtë situatë që ndodhemi.
“Dy paketat që ka ndërmarrë qeveria janë të pjesshme. Ne propozojmë që çdo biznes që ka nevojë për mbështetje minimale. Duhet të mbështetet me fonde buxhetore, pasi ato do të falimentojnë. Do kemi dhe problematika sociale në rritje. Janë 60 mijë familje që nuk kanë të ardhura minimale për të jetuar. A duhet të jetojmë ne një vend që qeveria ka para për oligarkë dhe për tendera sekretë, për abuzimet që bën, po nuk ka para për ti dhënë një pagesë financiare familjeve në nevojë?! Qeveria shqiptare, ministri i njohur i aferave korruptive, Beqaj, propozon ulje të pensioneve dhe pagave. Por t’ju them se nga këta 174 mijë punonjës që ministri propozon që t’i ulë pagat, ato janë punonjës të thjeshtë. Çfarë propozon qeveria? Propozon që nga muaj maj deri në dhjetor, atyre muaj për muaj t’i jepet nga 10 përqind më pak. A mund të jetojnë këta njerëz me aq? Ndërkohë që paguhen kontratat koncensionere dhe bëhen abuzime. Qeveria duhet të tërhiqet pas nga këto masa shkatërruese për konsumin familjar tek familjet e varfra.”, pohoi Teliti.