INTERVISTA/ Flet Aranita Brahaj: Qeveria vendosi arbitrarisht për tenderat sekretë. Shtesa në koncensionin e “Porto Romano”, antiligjore

0
139

Drejtorja ekzekutive e Open Data Albania, Aranita Brahaj shpreh në një interviste per ‘STANDARD’ per vendimet e fundit të qeverisë mbi kontratat e PPP-ve. Po ashtu ajo komenton kontratat koncensionare të Qeverisëpër të cilat pohon se : ” Prej kohësh kjo qeveri shfaq interes për kontraktorë të mëdhenj apo bën politika fiskale për biznesmenë shfrytëzues të pasurive të nëntokës duke mos respektuar sipërmarrësin e ndershëm i cili në ndonjë rast shihet me mentalitet komunist si një kulak që pasurohet dhe që në momentin e parë të krizave ekonomike mund të artikulohet si shënjestër e pakënaqësisë qytetare”. 

 

Cili është vlerësimi juaj mbi tenderët sekretë te ndërmarre nga qeveria ne kohe pandemia?

Dy VKM të Këshillit të Ministrave për të cilësuar Kontratat gjatë Covid 19 si kontrata për interesa thelbësor të shtetit dhe automatikisht Kontrata Sekrete janë vendime jo kushtetuese këto veprime të Qeverisë si antikushtetues, jo ligjore, jo të përligjura  dhe në cenim të parimeve bazë të mirëqeverisjes që janë Llogaridhënia dhe Transparenca. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 118 pika 2 të parashikon se: “Ligji duhet të autorizojë nxjerrjen e akteve nënligjore, të përcaktojë organin kompetent, çështjet që duhen rregulluar, si dhe parimet në bazë të të cilave nxirren këto akte”. Neni 6 i Ligjit të Prokurimit Publik (ku është mbështetur KM për nxjerrjen e kësaj VKM) nuk autorizon nxjerrjen e një Akti Normativ të Veçantë për kontratat sekrete, kontratat që kërkojnë masa të veçanta sigurie dhe kontratat që diktohen nga interesa thelbësorë të shtetit. Pra, Këshilli i Ministrave ka vendosur arbitrarisht t’i japë vetes kompetenca për të klasifikuar këto procedura si Kontrata Sekrete. Përfaqësues të mazhorancës po përpiqen të thonë se kategorizimi për interesa thelbësor të shtetit, nuk do të thotë kontraktim sekret, por nga ana tjetër Ligji për prokurimet dhe neni 6 është i qartë, kontratat që kategorizohen për interesa thelbësore të shtetit automatikisht bëhen kontrata në kontekstin e nenit 6 të Ligjit pra Kontrata Sekrete. Jo për faj të Ligjit por për faj të këshillit të ministrave janë deri tani 17 kontrata për të cilat dimë vetëm titullin e tyre dhe subjektin. Nuk dimë për këto blerje sasinë, ofertën, fondin limit, cilësinë e mallit, modalitetin e dorëzimi apo pagesës. Kjo procedurë e mbyllur dhe sekrete është regres dhe keqmenaxhim i furnizimeve për Covid 19 pasi përtej eficencës buxhetore sfida ka qenë sigurimi i mallrave dhe furnizimeve. Përmes blerjeve të mbyllura nuk ftohen Biznese Furnizues eficent të mallit. Duke ju drejtuar vetëm një subjekti dhe në mënyrë kofidenciale sekrete qeveria ka ulur aftësinë e saj për të siguruar me fleksibilitet mallin. Pas kësaj qëndron edhe mungesa e konkurrencës, barazisë në proces dhe mungesa e eficensës buxhetore.

Problemi më i madh është se sa kontrata sekrete do të kemi deri në fund të muajit qershor kur përfundon kjo gjendje e fatkeqësisë natyrore. Besimi Publik është cenuar sa kohë që situata humanitare konsiderohen sekrete. Këto situata nuk kanë të bëjnë me armatime, struktura të mbrojtjes ushtarake, furnizime për institucione të sigurisë së lartë. Janë situata civile dhe vendimet e qeverisë që i kategorizojnë si vendime për Kontrata Sekrete janë akte të keqmenaxhimin pa transparencë dhe pa eficensë.

 

Deputetët e Kuvendit votuan, gjatë gjendjes së jashtëzakonshme të fatkeqësisë natyrore për shkak të COVID-19, konkretisht në seancën parlamentare të datës 30 Prill një Ligj për Miratim të Ndryshimit, Shtesës Koncesionare të Portit Porto Romano Durrës. Si e konsideroni këtë vendimmarrje, a është konform ligjit?

Kjo vendimmarrje politike e Këshillit të Ministrave dhe Parlamentit, në opinionin tonë bëhet në kundërshtim të Ligjit për Koncesionet dhe Partneritetet Publike dhe Private Nr 125/2013 konkretisht neni 33 Rregullat për Dhënien e Punëve dhe Shërbimeve shtesë për Konsulencat Partneritetet PP, ku shtesa të objektit koncesionar duhet të bëhen vetëm në disa kushte specifike që lidhen me nevojën për kryerjen e punës apo shërbimit të parashikuar  në kontratën ekzistuese. Në asnjë rast nuk lejohet negocim dhe vendimmarrje politike për shtesaan dhe zgjerime të objektit koncesionar jashtë procedurës së prokurimit duke shtuar të drejtat  dhe përfitimet e koncesionarit.

Në datën 24 shkurt 2020 Koncesionari i bën kërkesë Qeverisë të ndryshojë objektin duke e zgjeruar nga Përpunim i mjeteve lundruese që transportojnë hidro karbure në përpunim i mjeteve të transportit të mallrave të tjera. Kjo shtesë e Objektit Koncesionar është pranuar nga Qeveria Brenda pak ditësh dhe në datën 31 mars është lidhur kontrata shtesë e koncesionit, në emër të qeverise shqiptare përmes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Kjo shtesë kontrate u votua në sesionin parlamentar të të enjtes datë 30 prill. Një ndryshim i tillë në Objektin Koncesionar sjell efekte sa i takon transportit detar të mallrave në vend dhe rajon.

Ndryshimi dhe shtimi i objektit koncesionar nuk është bërë me procedurë konkurruese por thjesht me vullnet politik. Po njësoj ndryshimi i objektit koncesionar nuk është shoqëruar me studime tregu, ndryshime tarifash koncesionare, ndryshime të vlerës së investimit, studime teknike apo konsultime dhe vlerësime te efekteve.

Mos respektimi kërkesave ligjore për Miratimin e kontratave koncesionare dhe për më keq me vendimmarrje politike dhe në kohë të një situate të gjendjes së fatkeqësisë natyrore është një papërgjegjshmëri politike e mazhorancës aktuale.

Kontratat Koncesionare dhe Partneritetet Publike e Private pritet të afektojnë fort ekonominë e vendit dhe financat publike në vitet që vijnë. Vendimmarrjet pa rregullim ligjor, arbitrare në emër të vendimmarrjes politike pa rregull prokurimi janë momente me risk të lartë për këtë sektor ekonomik.

Por ka shumë vendimmarrje politike dhe me efekte edhe për ekonominë që po kalohen në këtë situatë pa marrë vëmendjen dhe analizën e duhur. Parlamenti është kthyer në një turmë pa personalitet e gatshme të votojë pa kuptuar çdo vullnet politik të një grupi të vogël pranë Kryeministrit. Amnisti Fiskale, Tendenca për të rregulluar tregje financiare dhe për të legalizuar monedhën virtuale, kontrata qiradhënie të programit Shqipëria 1 Euro tregojnë se ky vit po rrit numrin e vendimmarrjeve me efekte të mëdha për ekonominë vendase. Në vitet që vijnë këto kontrata koncesionare apo këto politika të tregut do të krijojnë vështirësi të mëdha për ekonominë dhe sa do mirë të qeverisemi kostot e PPP apo të arbitrazheve për mosmarrëveshje do ti kushtojnë shumë taksapaguesve në dhjetë, njëzet apo tridhjetë vitet që vinë.

 

A mendoni se kontratat koncesionare nga Qeveria duhej te ishin pezulluar?

Çdo kontratë duhet parë më vete, por mendoj që edhe dy kontrata që janë pezulluar ajo e Laboratorëve dhe ajo e Check Up do të na kushtojnë shtrenjtë. Koncesionari pasi lidh kontratën ka të drejtë të kërkojë dëmshpërblim për fitimin e munguar për çdo datë që qeveritë bëjnë ndërprerje apo pezullime. Koncesionet dhe PPP janë kontrata afatgjata nga të cilët është mision i pamundur shpëtimi. Janë dëme të bëra dhe shumë të vështira për tu riparuar. Nuk është çudi që edhe koncesionarët që veprojnë në fushën e transportit (aeroport, mirëmbajtje rruge) të kërkojnë fitim të munguar ose shtyrje të afatit të kontratës për shkak të kësaj ndërprerje të punës me akte normative. Kjo është arsyeja që unë kundërshtoj çdo shtesë apo kontratë të re që bëhet me vendimmarrje politike e pa argument dhe analizë të mirë tregu. Por nga ana tjetër nuk mund të artikuloj për prishje apo ndërprerje të këtyre kontratave në mënyrë të njëanshme pasi arbitrazhet mund të na ndërshkojnë me goditje fatale për financat publike. Precedenti Beketi është rast tipik se si paligjshmëritë e politikës i paguan taksapaguesi i thjeshtë. Në ndonjë rast ky taksapagues nuk ka lindur ende por pas 20 vitesh do punojë e do tatohet në mënyrë të tillë që Shqipëria të paguaj penalitete të keqqeverisjes.

 

Dhe pyetja e fundit, lidhet me uljen e mases se pensionit, nje nga vendimet qe po komentohet mjaft. A eshte normale, qe te vihet dore mbi pagen e moshës se trete?

Besoj se po komentohet një frazë e artikuluar nga zoti Ilir Beqaj, politikë bërës dhe eksponent i Qeverisjes Rama mandati i parë dhe programues i Rilindjes në sektorin e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Pa komentuar dhe pa shfaqur ndonjë sensibilitet për deklarimin e Beqajt mendoj që skema jonë e sigurimeve shoqërore nga ku varen edhe pensionet është një skemë me risk të lartë. Në kohë krizash si kjo ku numri i të punësuarve po ulet dhe për pasojë edhe numri i kontribuesve kjo skemë është krejt afër falimentimit total. Skema është skemë solidariteti, nëse punoj sot unë dhe të tjerë si unë me kontributet që derdh apo mi mbajnë nga paga ime paguhet pensioni i prindit tim apo brezit të pensionistëve. Nëse unë dhe të punësuar të tjerë kemi më pak mundësi për të punuar fondi ka më pak të ardhura. Pjesën bosh të fondit duhet ta subvencionojë Buxheti i Shtetit. Kjo gjithashtu ka vështirësi. Nuk besoj të ketë ulje pensionesh por nuk përjashtohet një përkeqësim i skemës dhe një nënvlerësim i Lekut. Ajo që parashikoj unë është që pensionet do jenë me të njëjtën vlerë por më të vola pasi me një sasi të caktuar lekësh në javët apo muajt në vijim do blemë më pak artikuj ushqimorë apo të konsumit nga çfarë po blemë tani. Gjithsesi Beqaj duhet lexuar me kujdes, me sa kam kuptuar ka referuar nevojën për të ulur pensione suplementare pra pensione që marrin individ që kanë shërbyer si deputet, ministra apo në funksione të tjera në qeverisje. Gjithsesi zgjidhjet e artikuluar publikisht nga drejtues të lartë të shtetit për Ekonominë kanë qenë arrogante, pa kuptim, pa logjikë dhe në ndonjë rast totalitariste. Këtu e kam fjalën për artikulimet populiste dhe agresive kundër biznesit, mundësisë për ta parë zgjidhjen tek shitja e makinës së sipërmarrësit apo biznesmenit punëdhënës. Deklarata të Ramës, Bracës dhe Veliajt tregojnë që asnjëri prej tyre nuk ka kuptuar rolin që ka sipërmarrësi në ekonomi. Prej kohësh kjo qeveri shfaq interes për kontraktorë të mëdhenj apo bën politika fiskale për biznesmenë shfrytëzues të pasurive të nëntokës duke mos respektuar sipërmarrësin e ndershëm i cili në ndonjë rast shihet me mentalitet komunist si një kulak që pasurohet dhe që në momentin e parë të krizave ekonomike mund të artikulohet si shënjestër e pakënaqësisë qytetare. Ky mentalitet është i dëmshëm dhe duhet distancim i fortë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here