Klodjan Turja mjek i sëmundjeve të brendshme në Hanover, në një intervistë për “ABC News” ka folur për menaxhimin e pandemisë në Gjermani. Ai u shpreh se masat u morën shumë shpejt dhe nga qytetarët pati një respektim masiv të rregullave të vendosura nga qeveria.
“Gjatë gjithë kësaj kohë janë bërë takime të përditshme me mjekët e familjes. Në këtë mënyrë bëhet edhe ndarja e personave që duhet të trajtohen në spital. Pacientët janë relativisht në një moshë të madhe dhe kanë sëmundje shoqëruese. Në spitalin tonë nuk ka pasur shumë raste fatale. Por edhe për rastet që kemi pasur COVID-19ka qenë arsyeja e fundit që ka ndikuar në humbjen e jetës. Për momentin nuk kemi një medikament specifik për koronavirusin.
Në Gjermani janë rreth 2.5 milion kontrolle. Rregullat janë shumë strikte, pacientët janë me masa mbrojtëse, deklarojnë shenjat që kanë pasur gjatë kësaj situate. Masat që Gjermania ka marrë nuk janë të njëjta me ato në Shqipëri. Ka rreth 10 ditë që është shtuar detyrimi i maskës. Qytetarët janë treguar shumë serioz dhe masat e marra i respektojnë në mënyrë të veçantë”, u shpreh Turja.
Sa i përket rrezikut të rikthimit të koronavirusit ai theksoi se mund të ndodhë një rikthim i COVID-19, por kjo sipas tij nuk do të jetë në të njëjtat nivele të fillimit të shfaqjes së kësaj pandemie.