Ish-deputeti i PD-së, Bardh Spahia, akuzoi qeverinë se ka lënë jashtë vëmendjes qytetarët që kanë nevoja të tjera shëndetësore, përtej koronavirusit.
Me një shënim në facebook, ku publikon edhe disa sms të sëmurëve kronikë, Spahia shkruan se ata janë lënë në mëshirë të fatit dhe se prej gati 2 muajsh janë pezulluar konsultat me mjekët specialistë, si në poliklinat e specialiteteve, ashtu edhe në QSUT.
“ Kush ka patur fatin e keq të ketë një urgjencë mjekësore, që nuk është Covid-19 në këto javë, ka hasur në absurdin më të madh.
Mjeku i familjes i izoluar plotësisht, ofron vetëm shërbim online për pacientët kronikë, duke i kontaktuar në telefon. Të gjithë ne që kemi privilegjin të veshim bluzën e bardhë, e dimë mire se kontrolli mjekësor nuk është një bisedë telefonike, por është kontakt i drejtpërdrejtë sy me sy me pacientin. Eshte vizita në dhomën e mjekut; është kontrolli me stetoskop; është ekzaminimi klinik, që nuk mund ta zëvendësojë asnjë teknologji, sado e përparuar”, shkruan mes të tjerash Bardhi.
Postimi i plotë:
Mirë që po bën eksperimente me Covid-19, por kjo qeveri ka harruar se qytetarët kanë edhe nevoja të tjera shëndetësore, përtej këtij virusi. Kush ka patur fatin e keq të ketë një urgjencë mjekësore, që nuk është Covid-19 në këto javë, ka hasur në absurdin më të madh. Mjeku i familjes i izoluar plotësisht, ofron vetëm shërbim online për pacientët kronikë, duke i kontaktuar në telefon.
Të gjithë ne që kemi privilegjin të veshim bluzën e bardhë, e dimë mire se kontrolli mjekësor nuk është një bisedë telefonike, por është kontakt i drejtpërdrejtë sy me sy me pacientin.
Eshte vizita në dhomën e mjekut; është kontrolli me stetoskop; është ekzaminimi klinik, që nuk mund ta zëvendësojë asnjë teknologji, sado e përparuar. Dhe ky problem nuk ndalet këtu. Prej gati 2 muajsh jane pezulluar konsultat me mjekët specialistë, si në poliklinat e specialiteteve, ashtu edhe në QSUT.
Mijëra të sëmurë kronikë mbeten në mëshirën e fatit, pa mundur të dinë ecurinë e sëmundjes, pa mundur të kryejnë ekzaminime e analiza. Prej 2 muajsh janë pezulluar gjithë ndërhyrjet kirurgjikale jo urgjente, duke cuar në përkeqësimin e pacientëve me sëmundje tumorale, atyre me sëmundje kardiovaskulare etj. E njëjta situatë edhe me problematikat stomatologjike, ku cdo mjekim a trajtim i vonuar, sjell dëme të pariparueshme e me kosto për pacientët.
Covid-19 është vetëm një problematikë shëndetësore, ndërsa neglizhenca totale dhe kolapsi që ka kapluar sistemin shëndetësor sot, rrezikon të shkaktojë më shumë dëme se SarsCov2.
Detyrimi i qeverisë shqiptare në këtë situatë, do të ishte pajisja e mjekëve, me të gjitha masat e duhura mbrojtëse në cdo shkallë të sistemit, që nga ai parësor, tek ai terciar; krijimi i kushteve të përshtatshme të punës dhe rikthimi i mjekëve pranë të sëmurëve, aty ku u takon.
Mendoni edhe për nevojat e tjera shëndetësore të qytetarëve zonja ministre; jepuni mbrojtjen e duhur mjekëve dhe lejojini të ushtrojnë profesionin e tyre, ashtu sic janë betuar. Janë të domosdoshëm dhe do ishin një ndihmesë shumë e cmuar, jo vetëm për përballimin e Covid-19, por për të gjitha patologjitë e tjera shëndetësore. Cdo vonesë e mëtejshme në hapjen e sistemit shëndetësor në cdo hallkë të tij, do të shkaktonte pasoja të padëshirueshme. Nuk është cështje dëshire personale apo politike, por detyrë, kushtetuese e njerëzore!