Publikohet historia e panjohur e Qemal Stafës, i cili në vitin 1935, pas vdekjes së të atit, kolonel Hasan Stafës (ushtarak i Monarkisë së Zogut me detyrën e shefit të Zyrës së Rekrutimit të Qarkut të Shkodrës), së bashku me nënën, motrat dhe vëllezërit, u shpërngulën dhe erdhën familjarisht në Tiranë, nën kujdesin e Ramazan Xhepës, një nga miqtë e ngushtë të familjes Stafa, që kishte shërbyer si ordinancë e babait të tij, Hasanit, i cilit i’a la amanet dhe familjen.
Dëshmitë e rralla të Beqir Xhepës duke filluar nga periudha kur ai e njoh për herë të parë Qemalin në vitin 1938, kur bashkë me të jatin, Ramazanin ndiqnin gjyqin e tij në një nga sallat e Bashkisë së Tiranës, pasi më parë ishte interesuar edhe për t’i gjetur avokat, si e ngarkoi atë Qemali me detyrën e korrierit personal të tij dhe porositë që i jepte, komunistët e tjerë që streoheshin tek shtëpia e tyre., si: Enveri, Vasil Shanto, Mustafa Gjinishi, Nako Spiro, Hasan Reçi, Kajo Karafili etj., raportet e Qemalit me Enverin, Nexhmijen, Bab Myslymin etj., misteri i vrasjes së Qemalit më 5 maj ’42 ku shqëruesi i tij, Vançi Bajrakatari, me pseudonimin “Hekuri”, u dërgua me “shërbim” më datën 4 maj, dhe përse Xan Xhepa të nesërmen shkoi te dyqani “Flora” dhe i tha Enverit: “Gjakun e Qemalit ta kërkoi ty”?!, e deri tek persekutimi i familjes Xhepa gjatë periudhës së regjimit komunist me burgje dhe internime, ku vetë Beqiri, edhe pse kishte qenë i internuar në Kampin nazist të Mat’hauzen-it, u dënua katër herë me burg, dhe përse ai nuk pranonte të dorzonte reliket, veshjet, dokumentet dhe revolverin e Qemalit?!
“Miqësia jonë me familjen e Qemal Stafës, u shtua akoma dhe më tepër pas vitit 1935, kur pak kohë para vdekjes, babai i tij, kolonel Hasan Stafa, e la me amanet që baba jonë Xan Xhepa, të kujdesej për fëmijët e tij. Nisur nga kjo miqësi e madhe që ne kishim me atë familje, në 6 prillin e vitit 1939 kur pritej të zbarkonte Italia fashiste dhe u shpërthyen burgjet, Qemal Stafa i palgosur erdhi dhe u strehua në shtëpinë tonë Aty vinte vazhdimisht për ta mjekuar, daja i tij, Dr. Qemal Sejdini. Nga shtëpia jonë, Qemal Stafa u largua vetëm dhjetë ditë para se të vritej, pasi Prefekti i Tiranës, Qazim Mulleti, i cili ishte shok i babës sonë, Xanit, i dërgoi fjalë atij me anë të Shefit të Policisë së Tiranës, Man Kukaleshit e dy oficerëve të tij, Xhelal Pezës e Gëzim Latifit, duke i thënë që ta largonte Qemalin nga shtëpia e ta niste për në Pezë, pasi shokët e tij e kishin spiunuar atë në Kuesturë dhe ai kërkohej me qiri. Pas kësaj baba mezi ia mushi menjen Qemalit, që të largohej nga shtëpia jonë dhe ai iku e u vendos në një bazë tjetër, tek shtëpia e L.D., ku dhe u rrethua e u vra më datën 5 maj 1942. Sapo mësoi për vrasjen e Qemalit, baba ynë Xani, shkoi në dyqanin “Flora” dhe i tha Enver Hoxhës: ‘Gjakun e Qemalit e kërkoj vetëm tek ty”.
Kështu e kujtonte një nga historitë më të përfolura që nga periudha e Luftës e deri në shëmbjen e regjimit komunist, por edhe më pas, Beqir Ramazan Xhepa, ish-korrieri i Qemal Stafës, i cili na rrëfente të gjithë misteret e asaj ngjarje të bujshme të ndodhur në 5 majin e largët të vitit 1942, ngjarje që tronditi jo vetëm komunistët shqiptarë, por dhe mbarë qytetin e Tiranës. Po kush është Beqir Xhepa, cila është e kaluara e tij, çfarë lidhjesh kishte ai me Qemal Stafën dhe çfarë detyrash iu ngarkuan në atë kohë kur ai shërbente si korrier i tij personal? Përse Prefekti i Tiranës, Qazim Mulleti, i kishte thënë Ramazan Xhepës, për Enver Hoxhën: “Ky është i yni”? Kush i’a shtyu Qemal Stafës udhëtimin e tij për në Vlorë me datat 4 e 5 maj të vitit 1942, dhe në çfarë rrethanash u rrethua dhe u vra Qemali në shtëpinë që beqir Minxhozi kishte marrë me qera?
Përse shoqëruesi personal i Qemalit, Vançi Bajraktari, apo siç njihej ndryshe me pseudonimin “Hekuri”, më datën 4 maj u nis me “shërbim” për në qytetin e Shkodrës, cili ishte debati i ashpër që ai bëri me Enver Hoxhën në dyqanin “Flora” të nesërmen e vrasjes së Qemalit dhe përse që nga ajo ditë ai u tërhoq nga Lufta e nga Partia? Kush ishte Jani Kristo, personi që spiunonte Qemalin në Kuesturë dhe si e vrau atë me atentat, Kajo Karafili, pasi ia nxorri në vëndin e caktuar, Shefi i Policisë së Tiranës, Man Kukaleshi? Përse në mbrëmjen e asaj dite që u vra Qemali, Ramazan Xhepa, shkoi në dyqanin “Flora” dhe i tha Enver Hoxhës: “Gjakun e Qemalit e kërkoj tek ty”? Si u shfajësua Enveri pas akuzave të Xan Xhepës e Vançi Bajraktarit dhe cilin nga komunistët akuzoi ai si spiunin e Qemal Stafës dhe si urdhëroi ekzekutimin e tij pas daljes nga burgu i Tiranës? Cilat ishin marrëdhëniet e familjes së Qemal Stafës me Enver Hoxhën pas Luftës dhe përse nëna e motrat e tija refuzuan ta prisnin Enver Hoxhën në shtëpinë e tyre me rastin e 5 majit? Si i eleminoi Enver Hoxha, duke i ekzekutuar të katër personat që e akuzuan atë për vrasjen e Qemalit dhe si i burgosi, internoi apo ekzekutoi edhe të gjithë ata persona që u rrethuan në shtëpinë ku u vra Qemali ditën e 5 majit 1942?
Përse e masakroi Enver Hoxha të gjithë familjen e Xhepa-ve, duke i burgosur, torturuar dhe ekzekutuar e përse vetë Beqir Xhepa, ish-korrieri i Qemal Stafës i cili kishte vuajtur në kampin nazist të Mat’hauzen-it, u burgos katër herë duke vuajtur vite të tëra në burgjet dhe spitalet psiqiatrike të regjimit komunist, prej nga doli vetëm në vitin 1988? Përse ngjarja e vrasjes së Qemal Stafës bashkë me atë të Këshilltarëve të Hekalit, ishin dy ngjarjet e vetme të periudhës së Luftës që regjimi komunist i vazhdoi hetimet deri në mesin e viteve ’70-të dhe kush ishin personat që u dënuan për to? Për të gjitha këto mistere dhe plot fakte të tjera rreth një prej historive më të përfolura që nga periudha e Luftës, na njeh dëshmia ekskluzive e Beqir Xhepës, i cili gjithashtu na vuri në dispozicion edhe shumë, letra, foto, dokumenta dhe sende personale të heroit të famshëm, Qemal Stafa (që po i publikojmë në këtë shkrim), ku ditëvdekja e të cilit u përdor nga regjimi komunist si dita simbol për përkujtimin e të gjithë dëshmorëve të Shqipërisë.
Zoti Beqir, u shprehët se mund të jepni shumë fakte që vërtetojnë se Enver Hoxha në atë kohë, nuk kishte ndonjë funksion determinant ndër krerët kryesorë të Partisë Komuniste, dhe se Qemali e Gjinishi kishin më shumë autoritet në Parti. Ç’mund të na thoni tjetër rreth kësaj?
Përveç sa thashë më lart, që Enverin, deri aty nga pranvera e vitit 1942 nuk e njihte as Myslym Peza, po ju them edhe këtë tjetrën, se edhe në fundin e vitit 1943, Enveri përsëri nuk kishte autoritetin dhe prestigjin që gëzonte Mustafa Gjinishi ndër shokët kryesorë të Partisë.
Si e shpjegoni këtë gjë?
Për këtë jam vetë dëshmitar. Aty nga nëntori i vitit 1943, kryeministri Ibrahim Biçaku me prefektin e Tiranës, Qazim Mulletin, i thanë babës sim, Xanit, që t’i çonte fjalë Myslym Pezës, pasi forcat gjermane po përgatiteshin për një goditje të rreptë ndaj forcave partizane, në kuadrin e një operacioni të përgjithshëm, që më pas u njoh si “Operacioni i Dimrit”. Pas këtij njoftimi që mori baba nga dy miqtë e tij të ngushtë, ai më dha mua një letër dhe më tha që ta dërgoja në Pezë, duke i’a dhënë në dorë, ose Spiro Moisiut, ose Mustafa Gjinishit. Pra baba nuk më tha që letrën t’ia jepja Enverit dhe këtë gjë ai nuk e bënte me kokën e vet, por ishte konsultuar dhe me krerët e tjerë komunistë që vinin në shtëpinë tonë. Sipas porosisë që më dha baba, unë letrën i’a dhashë në dorë Mustafa Gjinishit dhe në atë rast që shkova atje, u plagosa dhe u arrestova më pas nga gjermanët.
Deri në çfarë kohe pati qëndruar Qemal Stafa në shtëpinë tuaj?
Qemali në shtëpinë tonë qëndroi deri në fundin e prillit të vitit 1942 dhe ai u largua nga shtëpia jonë për në një bazë tjetër, vetëm dhjetë ditë para se të vritej.
Përse u largua Qemali nga shtëpia juaj?
Aty nga fundi i prillit të vitit 1942, Prefekti i Tiranës, Qazim Mulleti, i çoi fjalë babës sim, Xanit, duke i thënë që ta largonte Qemal Stafën nga shtëpia, pasi Kuestura kishte rënë në gjurmët e tij dhe e kërkonte gjithë ditën duke e gjurmuar për të parë edhe bazat e tjera ku futej ai.
Me kë i dërgoi fjalë Qazim Mulleti babës suaj, Xanit?
Qazimi e lajmëroi babën me anë të Shefit të Policisë së Tiranës, Man Kukaleshit dhe dy oficerëve të Kuesturës, Xhelal Pezës e Gëzim Latifit.
Çfarë i thanë ata Xanit?
Man Kukaleshi i shkoi Xanit tek dyqani dhe i tha: “Më ka thënë Qazim beu, që ta largosh atë djalin nga shtëpia dhe ta nisësh për në Pezë, pasi nuk kam ç’të bëj, sepse atë po e spiunojnë shokët e tij”. Sipas porosisë së Qazim Mulletit, Man Kukaleshi i tregoi babës sim që në bazë të spiunimve që i bëheshin Qemalit prej shokëve të tij, Kuestura kishte ngarkuar agjentin e saj, Jani Kristo (me origjinë nga Përmeti), i cili e gjurmonte atë nga pas, duke survejuar të gjitha lëvizjet e tij.
A e kishte pyetur babai juaj, Xani, Shefin e Policisë, Man Kukaleshin apo Qazim Mulletin, se kush ishte shoku i Qemalit që e spiunonte atë tek italianët?
Baba e kishte pyetur Manin se kush ishte komunisti që e spiunonte Qemalin në Kuesturë, por as ai, dhe as Qazimi në atë kohë nuk dinin gjë. Në atë kohë ata nuk e njihnin atë person me emër, sepse komunisti që spiunonte Qemalin, e bënte atë me anë të letrave pa shkuar vetë në Kuesturë.
Po ndonjë dyshim a kishte babai juaj, se kush mund ta spiunonte Qemalin në Kuesturë?
Që kur ia tha Man Kukaleshi atë gjë, Xani kishte dyshime për Enver Hoxhën.
Ku i mbështeste ato dyshime për Enverin babai juaj?
Xani dyshonte për Enver Hoxhën, pasi kur kishte shkuar njëherë tek shtëpia e mikut të tij të ngushtë, Qazim Mulletit, ai e kishte parë atje Enver Hoxhën, i cili rrinte tek kunati i tij, Bahri Omari që ishte qeraxhi tek Mulletët. Kur e kishte parë Enverin, baba i kishte thënë Qazimit, se ai djalë nuk i dukej njeri i mirë. Pas kësaj Qazimi i kishte thënë: “Lene, lene, Xan, Enveri është i yni”.
Pas porosisë që i dha Xanit, Qazim Mulleti, a iku Qemali nga shtëpia juaj?
Në fillim Qemali nuk deshi që të ikte nga shtëpia jonë, duke i thënë babës: “Si të jetë kismet, dasëm pa mish nuk ka”. Por baba i tha se kur ishte mundësia që të behej dasma pa mish, pse të bëhej me mish?! Duke parë insistimin e babës, Qemali pranoi të ikte nga shtëpia jonë dhe shkoi e u strehua tek shtëpia që komunisti Beqir Minxhozi kishte marrë me qera, ku dhe u rrethua e u vra më datën 5 maj 1942.
Kur Qazim Mulleti me anë të Man Kukaleshit, i dërgoi fjalë babës suaj, Xanit, që ta largonte Qemalin nga shtëpia dhe ta niste për në Pezë, pasi atë po e spiunonin shokët e tij në Kuesturë, a mori takim Xani me Qazim Mulletin për ta pyetur atë për më tepër?
Si fillim desha t’ju them se: si me Prefektin e Tiranës, Qazim Mulletin, ashtu dhe me Shefin e Policisë dhe nënkuestorin, Man Kukaleshin, baba jonë Xani, kishte një miqësi të madhe familjare dhe për çdo sebep e mbanin njëri-tjetrin në krye të vëndit. Nisur nga kjo miqësi e madhe që ekzistonin në mes tyre, ata i dërguan fjalë që ta largonte Qemalin nga shtëpia, pasi atë po e spiunonin shokët e tij në Kuesturë dhe Qazimi nuk kishte mundësi që ta urdhëronte Kuesturën, pasi atje komandonte vetë Kuestori Papalilo. Si Qazimi, ashtu dhe Man Kukaleshi, nuk mund ta arrestonin Qemalin në shtëpinë tonë, kjo gjë as që mund të mendohej, se ajo do ishte një turp i madh që do u ngelej atyre në derë. Prandaj për burrërinë dhe karakterin që kishin Qazmi me Man Kukaleshin, i dërguan fjalë babës për largimin e Qemalit nga shtëpia jonë.
A mori takim baba juaj, Xani me Qazimin për ta pyetur konkretisht se kush mund të ishte njeriu që spiunonte Qemalin?
Po atë ditë që baba u njoftua me anë të Man Kukaleshit, ai shkoi dhe e takoi vetë Qazim beun dhe me të foli gjerë e gjatë. Unë nuk i di hollësirat e bisedës së tyre, por baba na ka pas treguar se Qazim Mulleti i pati thënë se: Kuestura dhe ai vetë, e dinin se ku hynte dhe dilte Qemali dhe sa kafshata bukë hante ai nëpër ato shtëpi ku futej. Për të gjitha ato lëvizje të Qemalit, sipas Qazim Mulletit, Kuestura informohej nëpërmjet njërit prej shokëve të tij komunistë që e spiunonte me anë të letrave. Pas kësaj Kuestura kishte ngarkuar agjentin e saj, Jani Kristo (me origjinë nga Përmeti) i cili e survejonte dhe e ndiqte këmba këmbës, Qemalin, në mënyrë që të diktonte bazën tjetër ku fshihej ai pas largimit nga shtëpia jonë. Dhe këtij qëllimi, Kuestura ia arriti, sepse Qemali u rrethua në shtëpinë e Beqir Minxhozit ku u arrestua nga Kuestura në paraditen e 5 majit 1942.
Si e dini ju ngjarjen e vrasjes së Qemalit më 5 maj 1942?
Siç thashë i’u thashë, pas largimit nga shtëpia jonë, Qemali shkoi dhe u strehua në një bazë tjetër, tek ishte shtëpia e komunistit Ymer Minxhozi, i cili kishte dy shtëpi, një ku banonte vetë dhe tjetrën që më duket e kishte marrë me qera, ku streoheshin komunistët e tjerë të celulës së tij. Paraditen e 5 majit 1942, Kuestura dërgoi policët e njerzit e saj tek Pazari i Vjetër dhe arrestoi Beqir Minxhozin i cili punonte tek një dyqanxhi tiranas. Gjatë arrestimit, atij i gjetën me vete një revolver dhe sipas rregullit, Kuestura e mori atë me vete duke i thënë që t’i çonte në shtëpinë e tij, për t’i bërë kontrollin e banesës. Por, Beqiri, në vënd që t’i çonte agjentët e policët e Kuesturës, në shtëpinë e tij ku nuk kishte asnjë komunist të strehuar, u tregoi atyre nga larg, shtëpinë tjetër të tijën, atë ku ndodhej Qemal Stafa me disa shokë të tjerë?
Kush ndodhej tjetër në atë shtëpi bashkë me Qemalin?
Me sa di unë, në shtëpinë e Ymerit, bashkë me Qemalin, streoheshin dhe një grup i vogël komunistësh, si: Kristo Themelko, Marie Lezhja, Gjystina Sata, Fiqret Sanxhaktari, Isuf Keçi e ndonjë tjetër. Në atë celulë komunistësh bënte pjesë edhe Nexhmije Xhunglini, Naxhije Dume dhe i zoti i shtëpisë, Beqiri.
A keni dijeni se si është diskutuar nga babai juaj me miqt e tij, arrestimi i Beqir Minzhozit, pikërisht paraditen e 5 majit, pak para vrasjes së Qemalit?
Ka mundësi që gjatë survejimeve që i bëheshin Qemalit nga ana e Kuesturës, ai të jetë parë duke u takuar me komunistin Beqir Minxhozi dhe kështu Kuestura ka arrestuar atë dhe e ka detyruar atë që t’ju tregonte shtëpinë ku fshihte Qemal Stafën. Por kjo gjë është vetëm një supozim, që është diskutuar prej kohësh, por asgjë nuk mund të thuhet me saktësi.
Pas kësaj u bë rrethimi i shtëpisë nga Kuestura?
Po menjëherë, pasi Kuestura mësoi se ku fshihej Qemal Stafa, ajo bëri rrethimin e shtëpisë, gjë të cilën Qemali me Kristo Themelkon, Drita Kosturin, Marije Lezhjen e Gjystina Satën, e kuptuan vetëm në çastet e fundit kur karabinierët e policët dukeshin nga dritarja e shtëpisë së tyre. Pas kësaj ata tentuan të largoheshin nga shtëpia dhe duke ikur, vetëm Qemali mbeti i vrarë.
Po të tjerët?
Tre vajzat u arrestuan, kurse Themelko mundi që të largohej pa u ndjekur fare nga karabinierët.
Është thënë, se Qemal Stafa ishte ngarkuar nga Partia për të shkuar me shërbim në Vlorë ku do takonte Sadik Premten (Xhepin) dhe ajo gjë i’u shty për dy ditë me rradhë në datat 4 dhe 5 maj 1942. Dini gjë ju rreth kësaj?
Po, kjo gjë është një fakt i njohur qysh në atë kohë. Qemali kishte marrë një detyrë Partie për të shkuar në qytetin e Vlorës ku do të organizonte Lëvizjen Antifashiste, por ajo që nuk dihet është se kush ishte personi që i’a shtyu udhëtimin për në Vlorë, dy here, në datat 4 dhe 5 maj?
Po ju çfarë mendoni, nga babai juaj, Xani, a patët mësuar ndonjë gjë rreth kësaj?
Babai im, Xani, është marrë shumë me këtë gjë, pra me të vërtetën e vrasjes së Qemalit, sepse atë djalë e kishte amanet dhe vrasja e tij e tronditi rëndë Xanin, pasi ai e konsideronte Qemalin njëlloj si djalin e tij. Sipas të gjitha atyre që arriti të mësonte Xani nga bisedat e shumta që bëri në atë kohë me të gjithë bashkëpunëtorët e afërt të Qemalit, të gjitha dyshimet binin mbi Enver Hoxhën. Ai dyshohej si njeriu që i’a shtyu atij dy herë udhëtimin për në Vlorë, në datat 4 dhe 5 maj 1942, sepse përveç atyre që bisedoi baba, nuk kishte njeri tjetër që ta urdhëronte Qemalin, përveç Enverit.
Pas vrasjes së Qemalit, a u takua babai juaj, Xani, me Enver Hoxhën dhe a i pati shprehur atij ndonjë dyshim për të gjitha ato që dinte ai për vrasjen e Qemalit?
Që mbrëmjen e 5 majit 1942 apo të nesërmen, pasi Xani kishte marrë vesh mbi vrasjen e Qemalit, ai shkoi në dyqanin “Flora” dhe atje u takua me Enver Hoxhën me të cilin bëri një debat shumë të ashpër. Fjalët e para që Xani i tha Enverit ishin këto: “Enver, gjakun e Qemalit e kërkoj tek ty, sepse e di mjaft mirë që ai është tradhëtuar nga shokët e vet”.
Cila ishte përgjigjia e Enver Hoxhës pas asaj akuze që i bëri Xani?
Enver Hoxha e mohoi që të kishte gisht në atë vrasje, duke i thënë babës: “Po gabohesh rëndë Ramazan”. Por babai nuk hiqte dorë nga dyshimi i tij sepse atë gjë i’a shtoi akoma dhe më shumë edhe shoqëruesi i Qemalit, Vançi Bajraktari, i njohur me pseudonimin “Hekuri”.
Kush ishte ky person?
Vançi Bajraktari ishte një djalë i ri dhe me trup shumë muskuloz, i cili ishte ngarkuar nga Partia me detyrë që të shoqëronte në çdo hap, Qemal Stafën. Vançi ishte me origjinë nga Korça dhe ai kishte ardhur shumë herë në shtëpinë tonë gjatë kohës që Qemali strehoej aty. Vançi ishte një djalë shumë besnik dhe atë kishte qejf ta prisje në shtëpi, sepse ai ishte një tip që të bënte për vete me mirësinë dhe komunikimin që shprehte me njerzit. Dy ditë para vrasjes së Qemalit, në datat 4 dhe 5 maj, ai ishte ngarkuar me një detyrë Partie për të shkuar në qytetin e Shkodrës. Kështu që ai nuk ndodhej në qytetin e Tiranës ditën e vrasjes së Qemal Stafës. Por sapo mësoi lajmin e vrasjes së Qemalit, ai erdhi menjëherë në Tiranë ku u takua dhe bëri një debat të ashpër me Enver Hoxhën.
Çfarë ka biseduar ai me Enverin gjatë debatit që bëri me të?
Gjatë asaj bisede ndërmjet Enverit dhe Vançi Bajraktarit, nuk ka pasur njeri tjetër prezent aty, por të gjithë ato që ai pati biseduar me Enverin, i’a tregoi babës sim, Xanit, kur baba i tha atij: “Vançi, pse ma le Qemalin vetëm, kisha shumë besim tek ty”. Pas atyre fjalëve që baba i pati thënë Vançit, ai i ishte përgjigjur: “Unë nuk kam qenë këtu dhe sa po u ktheva nga Shkodra ku më çuan me shërbim. Tani sapo u ktheva nga dyqani “Flora” ku bëra shumë debat me Enverin”. Kështu i pati thënë Vançi babës atë ditë. Unë nuk e di të them gjithë bisedën që Vançi pati bërë me Enverin, por baba më ka treguar se ai e kishte akuzuar direkt atë si përgjegjës kryesor për vrasjen e Qemalit dhe në fund të debatit që kishte bërë, ai i kishte deklaruar Enverit se në shenjë proteste ndaj vrasjes me të pabesë të Qemalit, që nga ai moment ai largohej nga Lufta dhe nga Partia.
A u largua vërtet Vançi nga Lufta dhe ç’u bë më pas me të?
Po, menjëherë pas asaj bisede me Enverin, Vançi u largua nga Lufta dhe Partia e punoi si hidraulik deri në mbarimin e Luftës në fundin e vitit 1944. Edhe pas Luftës ai vazhdoi të punonte disa kohë si hidraulik, por më pas e arrestuan dhe e futën në burg për politikë. Gjatë vuajtjes së dënimit ai u sëmur rëndë dhe vdiq në Sanatoriumin e Tiranës në rrethana të panjohura, në mos gaboj aty nga viti 1950, kur kishte dalë nga burgu. (Vançi ka njerzit e tij në Korçë, një familje shumë e mirë dhe një nip i tij ka ardhur e na ka takuar disa herë)
Po pas largimit nga Lufta dhe Partia, a erdhi më në shtëpinë tuaj Vançi Bajraktari dhe çfarë bisedonte ai me babanë tuaj?
Edhe pas largimit nga Lufta, Vançi vinte në shtëpinë tonë dhe problemi i vetëm që ata diskutonin me babën, ishte vrasja e Qemalit. Si Xani ashtu dhe Vançi, ishin të njëjtit mendim se Enver Hoxha ishte përgjegjësi kryesor dhe njeriu që kishte gisht direkt në vrasjen e Qemalit.
Po nga krerët e tjerë komunistë që streoheshin në shtëpinë tuaj, a pati dyshime për Enver Hoxhën, lidhur me atë vrasje?
Përveç Vançi Bajraktarit, që në mbrëmjen e 5 majit 1942, në bisedat që bënë me babën tonë, dyshimet mbi Enver Hoxhën i hodhën dhe disa komunistë të tjerë. Por ndër ata që ishin më të ashpër në këto dyshime dhe që e akuzonin direkt Enverin, ishin Vasil Shanto, Mustafa Gjinishi dhe Hasan Reçi.
Edhe Vasil Shanto ishte i atij mendimi për Enver Hoxhën?
Jo vetëm që Vasil Shanto ishte i atij mendimi, por që nga ajo kohë e deri ditën që u vra, ai i kishte të ftohura mardhëniet me Enver Hoxhën. Këtë gjë e dinë mirë shumë nga komunistët e asaj kohe që jetojnë akoma edhe sot, të cilët gjithashtu e dinë që edhe Vasili u vra gjatë një shërbimi që i kishte ngarkuar Enver Hoxha.
Po nga familja e Qemal Stafës a bisedoi njeri me babanë tuaj atë ditë pas vrasjes së tij?
Në mbrëmjen e 5 majit në shtëpinë tonë erdhi Alajdini, vëllai i Qemalit dhe i tha babës: “Ramazan, na e vranë Qemalin”. Baba me kokë ulur iu përgjigj: “E di”. Po atë natë baba shkoi tek Qazim Mulleti për t’i kërkuar që ta merrnim trupin e Qemalit për t’i bërë ceremoninë e varrimit.
A ia dha Qazim Mulleti trupin e Qemalit?
Kur e takoi baba Qazimin, ai i tha: “Trupin e Qemalit nuk ua jap dot ta merrni në shtëpi, sepse kam frikë se na bëjnë ndonjë demostratë Rinia Komuniste, por le të shkoj familja tek morgu dhe aty të bëjë ritet e rastit dhe ceremoninë e varrimit, duke e çuar direkt në Varrezat e Bamit”.
Çfarë bëri babai juaj, Xani, pas asaj që i tha Qazim Mulleti?
Pas lejes që i dha Qazim Mulleti babës, që së bashku me familjen e Qemalit të shkonin tek spitali dhe aty t’ia bënin ritet e rastit dhe ceremoninë e varrimit, e gjithë familja jonë, së bashku me djalin e dajës së Qemalit, Fejzo Sejdinin, dy motrat, Jalldizi e Drita, vëllai i tyre, Alajdini dhe dado Shahja, që i kishte rritur, shkuan të gjithë tek spitali ku ndodhej trupi i Qemalit. Aty pasi pritën disa nga njerzit që erdhën për ngushëllime, e morën trupin e Qemalit dhe e varrosën tek Varrezat e Bamit. Pas varrimit, pothuaj të gjithë pjestarët e familjes sonë qëndruan për disa ditë tek familja e Qemalit ku prisnin njerzit që i vinin për ngushëllime.
Po pas asaj dite a u takua më babai juaj, Xani, me Enver Hoxhën?
Që të nesërmen e varrimit të Qemalit, Enver Hoxha shkoi vetë tek dyqani i babës.
Çfarë patën biseduar ata të dy me njëri-tjetrin dhe a u hap përsëri debati për vrasjen e Qemalit?
Siç më ka pas treguar baba, Enver Hoxha shkoi kastile atë ditë tek dyqani i tij, sepse Xani e kishte akuzuar direkt për vrasjen e Qemalit dhe ai donte të shfajsohej për atë gjë. Por përsëri baba i qëndroi asaj çka i kishte thënë që në fillim, sepse ai kishte një bindje të plotë, se Enveri kishte gisht në atë vrasje.
Çfarë qëndrimi mbajti Enver Hoxha në lidhje me vrasjen e Qemalit dhe çfarë shpjegimi u dha nga Partia Komuniste për antarët e saj a po për popullin. Kë bënë fajtor ata dhe si e justifikuan atë vrasje. Me një fjalë, cili ishte qëndrimi zyrtar i Partisë Komuniste për vrasjen e Qemalit?
Pas akuzave që i’u bënë Enver Hoxhës si nga baba, ashtu dhe nga shoqëruesi i Qemalit, Vançi Bajraktari, apo dhe dyshimet që hodhën krerët e tjerë të lartë të Partisë Komuniste, si Mustafa Gjinishi, Hasan Reçi, Vasil Shanto, e ndonjë tjetër, Enveri krijoi një alibi, duke thënë se Qemali ishte spiunuar nga komunisti Zef Ndoja. Ky ishte dhe njoftimi që u bë nga Enveri dhe Partia Komuniste në lidhje me vrasjen e Qemalit dhe kjo gjë u mundua të popullarizohej sa më shumë prej tyre./Memorie.al