Nga Ergys Mërtiri
Ethet e pandemisë sollën me vete jo vetëm frikë dhe pasiguri për jetën, por edhe për sistemin politik që kemi ndërtuar. Të shumtë qenë ata që panë te mënyra sesi publiku reagoi, një paralajmërim alarmues për tundimet totalitare që gjallojnë në brendësi të shoqërisë sonë moderne. Lehtësia, me të cilën turmat e flakën tutje lirinë (në disa vende, madje edhe të drejtat e njeriut) dhe egërsia, me të cilën ato pushkatuan çdo zë kundër, ishte drithëruese.
Gjithçka ishte një eksperiment që vërtetoi pohimet e shumë studiuesve mbi totalitarizmin latent të fshehur pas lëkurës demokratike të shoqërive moderne. Bauman, Nisbet, Aron, Markuze, Horkheimer e shumë të tjerë kanë vënë në dukje nga perspektiva të ndryshme brishtësinë e qytetërimit tonë përballë mundësisë së ripërsëritjes së historisë tragjike të shekullit të kaluar. Siguresat e këtij qytetërimi, siç ka shpjeguar Bauman, nuk funksionojnë dhe do të mjaftonte një krizë dhe disa faktorë specifikë, për të rikthyer edhe një herë ato modele politike që prodhuan holokaustin.
Pikërisht, ndjenja e sigurisë që kemi se makthet e së shkuarës nuk përsëriten, është një arsye më shumë për të besuar se shoqëritë tona e kanë humbur aftësinë për t’i pikasur rreziqet. Bauman thotë se ne ndihemi sot të sigurt, duke e përjashtuar mundësinë e rikthimit të politikave si ato që prodhuan Holokaustin, ne nuk ua vëmë veshin atyre që shqetësohen për indiferencën tonë ndaj mundësisë së kësaj ripërsëritjeje, dhe madje i tallim ata, duke i quajtur “profetë të fundit të botës” e duke refuzuar paralajmërimet e tyre.
Por edhe në vitin 1941, askush nuk e parashikonte Holokaustin, e madje, edhe kur ai nisi të zbatohej një vit më vonë, shumica vazhdonin të mos e besonin, duke mos i vlerësuar faktet që kishin para syve.
TOTALITARIZMI SIPAS RAMËS
E njëjta gjë ndodh edhe sot me ata që konstatojnë mendësi totalitare në gjuhën dhe veprimet e Kryeministrit Rama. Shumë komentues dhe analistë i konsiderojnë këto ekzagjerime, duke konsideruar se diktatura nuk mund të kthehet më dhe se teprimet e qeverisë nuk rrezikojnë lirinë tonë.
Në fakt, thelbi i kësaj analize nuk ka të bëjë me llojin e regjimit të instaluar, por llojin e politikës që prodhon qeverisjen që kemi. Sigurisht, shteti që Rama drejton nuk është totalitar (të paktën ende jo), por pa dyshim, e tillë është mendësia, me të cilën ai qeveris. Nëse shteti nuk ka zbritur ende në nivelin e mendësisë së Kryeministrit, kjo vjen për shkak të faktorëve që e kapërcejnë fuqinë e tij. Por kjo nuk do të thotë që rreziku nuk ekziston dhe se efekte të kësaj mendësie nuk e kanë dëmtuar edhe mënyrën sesi ky shtet funksionon.
Praktikisht, realiteti tregon se institucionet shqiptare po shndërrohen gjithnjë e më shumë në zgjatime të personalizuara të kreut të qeverisë, duke humbur pavarësinë dhe funksionalitetin e tyre. Ndërkohë, Reforma në Drejtësi dhe kapja e gjyqësorit ka shkatërruar ndarjen e pushteteve, ndërsa kapja e mediave dhe shoqërisë civile, si dhe monopolizimi i jetës ekonomike e kulturore, ka rrënuar kushtet për funksionimin e një demokracie normale. Në mos riprodhimin e historisë, fara e një politike totalitare po shtyn përpara avancimin e projekti autokratik.
MURTAJA E SHOQËRIVE MODERNE
Zbulimi i totalitarizmit prapa kërcënimeve epidemike na rikthen përfytyrimet e Alber Kamysë në romanin “Murtaja”. Ai ka vizatuar aty në mënyrë të shkëlqyer e mjaft realiste të gjitha format e reagimit të një shoqërie nën pushtetin e vdekjes. Mund të gjejmë aty shumë prej dukurive të realitetit që po jetojmë prej gati dy muajsh, jo vetëm frikën dhe gjunjëzimin e shoqërive, por edhe prototipat abuzues, tenderët që vjedhin vdekjen, përdorimin e saj për manipulimin turmave, si dhe reflektimet njerëzore mbi jetën dhe lirinë.
Në fakt, romani është në thelb një alegori për nazizmin. Murtaja e vërtetë për të është pikërisht politika totalitare, e cila i merr shoqërisë lirinë dhe vetë jetën. Gjunjëzimi i shoqërive përballë saj, ashtu si edhe në rastin e Covid-it, tregon se shoqëritë tona janë të paimunizuara dhe të viktimizueshme ndaj propagandës.
Shoqëria shqiptare ka qenë ndër ato me predispozitën më të madhe për ta falur lirinë gjatë këtyre ditëve. Jo vetëm që gjuha apokaliptike e Kryeministrit ka qenë si e askujt në botë, por edhe shtrëngesat e planit të masave kanë qenë të pakrahasueshme me asnjë vend tjetër. E gjithë kjo u shoqërua edhe me ndërhyrje të rrezikshme në Kodin Penal dhe pezullim të të drejtave të njeriut, të cilat kaluan pa asnjë pengesë. Gjithçka u realizua me përkrahjen e turmave, të cilat, për javë të tëra, shtruan vetëm një kërkesë ndaj qeverisë: Shpëtimin e jetëve, – pa u ndalur aspak të arsyetojnë nëse janë vërtet aq të kërcënuar sa ç’u thoshte Kryeministri dhe nëse liria që po i falnin pushtetit, ndihmon apo jo për këtë qëllim.
Tridhjetë vjet pas rënies së regjimit komunist, duket se shoqëria shqiptare nuk ka mësuar ende sesi të sillet ndaj pushtetit. Mendësitë totalitare vazhdojnë të trashëgohen duke prodhuar një mjedis të gatshëm për përsëritje të historisë, në mos jo si tragjedi, të paktën si farsë.
“Murtaja nuk zhduket dhe nuk vdes asnjëherë përfundimisht, – thotë Kamy në mbyllje të romanit. Ajo qëndron e fshehur për dhjetëra vite… te mobiliet ose rrobat… ajo pret me padurim në dhomat e gjumit, qilarët, te shamitë apo letrat e vjetra dhe kur të vijë dita për fatkeqësinë e njerëzimit, murtaja do të ringjallet dhe do të dërgojë minjtë e saj për të mbjellë vdekjen në një qytet që jeton mirë e bukur”.