Posta në Laç vazhdon të prodhojë skandale me pensionistët. Dje, në orët e para të ditës, dera ishte mbyllur me çelës, qepenat qëndronin gjysmë të hapur, dritaret ishin të mbyllura… ndërsa dy gra brenda, në sportel as, nuk e çonin kokën për të parë kush troket, kush ka hall, e për më tepër se për çfarë paguhen, dhe ç’detyrë kanë?!
Edhe pse xhamit të derës i biem me forcë, ato sërish vazhdojnë kokëulur , pa denjuar të shohin se çfarë po ndodh jashtë. Pensionistët, një grup i madh burra e gra disa të veshur mirë, disa me rroba shtëpie, disa të lodhur, të nxirë nga dielli, me shkop me fuqi të pakta për të qëndruar në këmbë, disa që nuk dëgjonin mirë – kishin mbetur prapa derës pa marrë përgjigje për pagën e tyre mujore, që është po aq denigruese sa edhe këto momente.
Ata kërkojnë pensionin, ta merrnin aty ku e kishin marrë përherë, në sportel, në postë. Por askush nuk u përgjigjet. E vetmja fjalë është: bëni fotokopje të kartës së identitetit, shënoni adresën dhe numrin e telefonit. “Do t’jua sjellim në shtëpi”- u është thënë. Ky, në fakt, ka qenë “vendimi” i kryeministrit Rama, që pensionistët të mos ishin të rrezikuar për të dalë nga shtëpia, për të mbrojtur jetën e tyre nga koronavirusi. Këtë masë kryeministri e shpalli sapo vendi u fut në karantinë, në 10 mars, ku pensionistët ishin një hall më vete, si shtresa më e rrezikuar por edhe më e brishta e shoqërisë sonë, për shkak të pagës qesharake që u jep shteti.
Sot, pensionistët ishin gati të protestonin. Askush nuk i dëgjonte. Jam pa bukë, – tha njëra, që kishte ardhur me rroba shtëpie, qysh në mëngjes, dhe ishin sosur durimi dhe nervat nga mospërgjigja e grave të postës. Tre burra, qëndronin mënjëanë dhe hezitonin të flisnin. Por, kur iu drejtuam kameran e telefonit e kuptuan se ishte ora. Duhej të flisnin, sepse halli i tyre ishte shumë i madh. “Kam dy muaj që kam plotësuar letrën, siç është kërkuar, por askush nuk më ka sjellë lekët në shtëpi”, tha një prej tyre, I cili ishte detyruar të vinte tek poste prej dy ditësh, por pa marrë përgjigje.
Një tjetër zonjë, tha se kishte ardhur enkas nga Tirana, pasi fëmijët e kishin marrë pranë tyre, për të mos qëndruar vetëm në Laç. “U bë dy muaj që nuk marr pensionin, dhe ja vij sot këtu, e më thonë se nuk japin para, duhet të hedh letrën tek kutia, se na I sjellin në shtëpi. Kur unë jam këtu, pse duhet të mos m’I japin lekët”, tha zonja e ardhur sot, nga Tirana, por banuese në Laç.
Po të njëjtin problem kishte edhe një tjetër pensionist, 80 vjeçar që i mbahej fryma kur ecte. Ai kishte dy muaj pa marrë pensionin, pasi ishte zhvendosur në Tiranë pranë vajzës së tij, bashkë me gruan, po pensioniste. “Mezi morëm lejen e makinës, për të ardhur vetë këtu. Bëranjë përpjekje në fillim për ta transferuar në bankë pagën, si më lehtë. Por tek agjencia e sigurimeve, drejtori më tha se tani nuk punon asnjë, zyrtarët janë “pushim”, sepse duhej shmangur radha…Pra, dhe tashi e kam të pamundur të bëj kërkesën. Këtu po më thonë se do na sjellin lekët në shtëpi, por unë jam në Tiranë…”, tha 80 vjeçari.
Kur papritur doli njëra nga punonjëset e postës, kur të gjithë iu vërsulën që t’i kërkonin paratë, që t’i merrnin tani, sepse çdo gjë iu dukej aburde që ishin pas dere duke pritur, dhe pse të prisnin dhe dy muaj të tjerë…ose fare. Në këtë lodhje, të të moshuarve, punonjësja e postës gjithë arrogancë, u përgjigj se kishin marrë urdhër nga drejtori, që të mos paguhej asnjë pensionist, por të hidhnin letrën në kuti. Kutia ishte vendosur në mur, e lyer me të verdhë dhe asnjë nuk besonte se ajo “kuti” do të realizonte ëndrrën e tyre raskapitëse të marrjes së pensionit qesharak, sa për të blerë bukë thatë.
Më pas shkuam të takonim drejtorin e agjencisë së sigurimeve në Laç, për t’i paraqitur problemin. Pasi u lëshua nga muhabeti me dy tre burra, dhe bëri sikur po dizifektonte duart, një burrë i shkurtër, trashaluq, i kuq e fryrë në fytyrë, – bëri me shenjë që të hynim. I thamë ankesën e pensionistëve. Entuziasmi i tij ishte i madh, kur na përplasi në fytyrë se nuk ishte përgjegjësi e tij, por e Postës, duhej të flisnim me drejtorin e Postës, jo me atë. Sigurisht që këtij zotërisë, pas paraqitjes së problemit, nuk ja ndjeu shumë për shqetësimin e pensionistit 80 vjeçar që i trokiti tek dera, pasi kishte dy muaj pa marrë pensionin, por ja ktheu se “zyratarët” e tij nuk mund të punonin, se rrezikonin jetën e pensionistëve!!
Ikëm, por pa shpresë për të gjetur drejtorin tjetër, atë të Postës, sepse ora tashmë po shkonte 13.00 dhe fuqia për të qëndruar aty, në radhë, tek dera e postës kishte rënë bashkë me humbjen e shpresës për të marrë paratë, atë shumë qesharake, për dy muajt që ikën…
Tani Ramës i duhet me detyrim të kthejë “vendimin” e pashpallur, e pa bërë ligj, që pensionistët të dalin vetë për të marrë paratë. Ndryshe ata do të vdesin parakohe, dhe kjo do të shkonte në kusur të koronavirusit, që s’ka faj në këtë rast…Vdekjet e të moshuarve, egërsisht, po i përshpejton politika e qeverisë, dhe jo kjo sëmundje e mallkuar që veç të keqes, është edhe justifikim për kryeministrin për të mbuluar “arkën bosh” shtresën më të brishtë të shoqërisë sonë… Kush tjetër mund t’i mbrojë ata? A mjafton një qese me një kilogram miell, sheqer, dhe oriz, dhe një pagurë kokakola?! Jo, pensionistët duan thjesht hakun e tyre, dhe shkojnë e marrin vetë tek dera, të paktën kryeministri të kursejë edhe këtë ironi të rëndë, me jetën e tyre, se paratë do jua dërgojë në shtëpi! Mjaft zoti kryeministër, liroje situatën dhe lëri këta njerëz të jetojnë në hallin e tyre, të qetë, me aq pak para, por jo me mundimë të shtuara!!! “Kam tetë ditë pa marrë pensionin, që pres këtu tek dera. Nuk kam çfarë të ha, veç henksha këmbët e mia tani…” – thotë Feridja, që vazhdon të rrijë prapa dere, dhe pse gruaja e postës ua mbylli gojën, thjesht: kemi urdhër të mos u japim para! V.M/ standard.al