Nga Kastriot Çipi
Sot në ora 12:00, unë do të shkoj te monumenti i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Nuk do të dal për të mbajtur fjalim, as për të dëgjuar fjalimet e të tjerëve. Do të dal si qytetar i lirë, i një shoqërie të skllavëruar, si njeri që nuk i dorëzohet diktaturës.
Nuk më ka thirrur asnjë parti, asnjë kryetar, sepse unë nuk kam nevojë për thirrje. Do të dal për vete, për fëmijën tim. Por do të dal edhe për ty, që ke frikë nga diktatura.
Nuk dua t’ia di edhe nëse do të jem i vetëm. Dikush duhet ta fillojë. Por nëse vjen edhe ti, do të jetë më mirë për të dy. Diktaturat kanë frikë nga njerëzit e bashkuar dhe të vendosur. Nëse Ditën e Europës (9 maj) do të jemi dy, me siguri në Ditën Ndërkombëtare të Drejtësisë (10 maj) do të jemi katër. Nëse dalim përditë, 30 ditë rresht, në Ditën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit do të jemi 200 dhe në Ditën e Rinisë (8 dhjetor), kur mbushen 30 vjet nga protestat e studentëve, që sollën rrëzimin e diktaturës komuniste, do të jemi 200 mijë!
Unë nuk jam hero. Nuk isha hero as 30 vjet më parë. Isha thjesht një i ri zemërplasur, që nuk e duroja dot më nënshtrimin dhe hipokrizinë. Isha një i ri që besoja se Shqipëria nuk duhej të mbetej përjetësisht e dënuar me diktaturë, se Shqipëria ishte pjesë e Europës dhe duhej të bëhej një vend normal për të jetuar, si çdo vend europian. Kur kërkova pluralizmin politik, në vend të pluralizmit të mendimit, që na ofronte Ramiz Alia me ligjin e tij për zgjedhjet pluraliste false, ku duhej të votonim mes partisë mëmë (PPSH) dhe organizatave bija të saj, e dija se mund të arrestohesha e të akuzohesha për agjitacion e propagandë. E dija se nuk isha i vetmi që e mendoja ndryshimin. Por e dija edhe se për sa kohë nuk do të ngrinim zërin, diktatura do të vazhdonte të mbijetonte, si në Kubë a Kore të Veriut.
Në shtator 1990, kur dhashë intervistën për RTSH, nuk më arrestuan. Një muaj më parë, Sigurimi i Shtetit më kishte hapur dosjen e “përpunimit paraprak” dhe më kishte vënë në ndjekje. Nëse nuk pësova asgjë, kjo ndodhi sepse ti u bashkove me mua në Qytetin Studenti në dhjetor 1990. Nëse më arrestojnë sot, kjo nuk do të më shqetësojë aspak. Do të shqetësohem nëse ti nuk do të dalësh të nesërmen të më mbështetësh. Atëhere po, do të jemi të humbur të dy!
Video:Kastriot Çipi, Shtator 1990 -RTSH