NGA FATOS LUBONJA
E vërtetë, nga karantina ku ndodhemi, jeta që kemi lënë, me ato zakonet e përditshme, baret ku pinim kafen e mëngjesit me miqtë, daljet për ndonjë drekë jashtë qytetit, punën së bashku me të tjerë, na duket shumë më e bukur dhe më e dashur se më pare.
Është, prandaj, e natyrshme që ideja e daljes të shoqërohet me dëshirën për t’u kthyer atje ku ishim. Por, kujdes, “atë që ndodh përditë, mos e quani të natyrshme”, thotë Brehti. Në fakt, vetëm pak më thellë po të gërmojmë, do të zbulojmë se kjo që po ndodh sot, – qoftë si shkak i shpërhapjes së virusit, qoftë si pafuqi dhe papërgatitje për ta parandaluar e luftuar, qoftë si përdorim i pandemisë nga pushteti për të kontrolluar edhe më njerëzit- e ka origjinën mu te normalja apo e natyrshmja e djeshme. Prandaj, sot, kudo në botë, krahas kategorisë që mezi pret të kthehet ku ishim, po zgjerohet shumë kategoria e atyre që mendojnë se bota jo vetëm nuk do të jetë më, por as duhet të jetë më ajo që ka qenë.
Çfarë bote do të vijë apo duhet të ndërtojmë, çfarë Europe, çfarë shteti, çfarë demokracie, çfarë ekonomie? Janë pyetje që janë ndërfutur vazhdimisht në mendimet tona në intervalet e informimit mbi kurbat e infektimit, të shërimit e të vdekjeve nga koronavirusi.
* * *
Kategoria e ndryshimit ndahet në të dorëzuarit, të cilët, edhe pse e duan atë, thonë se asgjë nuk do të ndryshojë, pasi shumica syverbër do t’i kthehet asaj që e ka quajtur “e natyrshme”, nga e cila, po të perifrazonim Heiddeggerin, “vetëm një Zot mund të na shpëtojë” dhe ata që shprehin mendimin se e ardhmja do të ndryshojë. Por edhe këta të dytët ndahen në pesimistët që paralajmërojnë se e ardhmja rrezikon të jetë më e keqe se ajo që kemi lënë dhe optimistët që shpresojnë (dhe rekomandojnë se çfarë duhet ndryshuar) që e ardhmja do të jetë më e mirë.
Si pesimistët, edhe optimistët, takohen tek ideja se kriza e pandemisë ka shtruar imperativin e rritjes së rolit të shtetit, por ndërsa të parët shohin këtu rreziqet, të dytët shohin mundësitë. Le t’i shohim cilat janë idetë kryesore të tyre.
RREZIKU PËR MË KEQ
Shqetësimet e pesimistëve nisen nga fakti se situata e krijuar me karantinimin e gjithë shoqërisë ka evokuar fantazmën e “njeriut të zhveshur”, siç e quan Giorgo Agamben, sipas të cilit një shoqëri ku njeriu reduktohet në qenien biologjike, ku synimi për të mbetur gjallë e çon atë te zhveshja e dimensioneve sociale, politike, të humanizmit, afektivitetit, nuk mund të jetë një shoqëri e lirë. Agamben i referohet njeriut në regjimet totalitare, ku rasti më ekstrem ishin të burgosurit politikë, që zhvisheshin deri nga të drejtat më elementare të patjetërsueshme si liritë personale të lëvizjes, të fjalës, të jetës me familjen, të zgjedhjes e pasjes së një pasaporte e ku hebrenjve u zhvishej edhe emri, që u zëvendësohej me një numër. Por evokimi i kësaj fantazme nuk është pa lidhje me situatën që po përjetojmë. Sepse edhe në këtë gjendje të jashtëzakonshme u zhveshëm (apo po na zhveshin, kjo varet si ta shohësh) nga liritë personale dhe nga disa dimensione që janë vetëm të njeriut: kishat e xhamit, ku njeriu zhvillon dimensionin e tij religjioz janë ende bosh. Shkollat e universitetet që e bëjnë homo sapiens janë edhe ato bosh, Parlamenti që e bën homo politicon është bosh. Po ashtu, si qenie sociale, ne sot nuk mund as që të takohemi e jo më të tubohemi e të protestojmë. Gjykatat, që na mbajnë gjallë ndjenjën e drejtësisë, nuk funksionojnë. Një pjesë e mirë nuk mund të punojnë për të siguruar vetë punën e gojës dhe presin të marrin ndonjë ndihmë nga shteti ose filantropët etj.. Pyetja që ngrihet është: deri në ç’masë dhe për sa kohë mund të zhvishemi kësisoj në situata të ngjashme si kjo, pa vënë në rrezik lirinë?
Idetë që po qarkullojnë sot se shtetet autoritare si Kina janë treguar më funksionalë sesa shtetet demokratike në menaxhimin e kësaj krize janë një rrezik që gjendje të jashtëzakonshme si kjo të kthehen në një mundësi të jashtëzakonshme për shtetin autoritar, që, në emër të mbijetesës sonë, por, në fakt, për të forcuar sundimin e vet, të na i bëjë ato të zakonshme. Por nuk mungon as frika e dorëzimit të sigurisë sonë te multinacionalet, që dominojnë ekonominë dixhitale, të cilat, në aleancë me shtetin e kontrolluar fuqimisht prej tyre, të na kthejnë në qenie që jetojnë e punojnë gjithnjë e më virtualisht në emër të interesave të tyre.
SHPRESAT PËR MË MIRË
“Është mëkat të çosh dëm një krizë”, u shpreh Stiglitz, duke folur për pandeminë. Nobelisti nuk resht së rekomanduari ndryshimin e kësaj bote. Shpresat se kjo krizë do të na shtyjë të ndryshojmë, ndërtohen në idenë se ajo do të na shtrëngojë:
Të kthehemi te primati i politikave vizionare mbi ekonominë e udhëhequr nga syverbësia egoistike e tregut. Të kthehemi te primati i publikes mbi privaten – veçanërisht për sa i përket shëndetit publik.
Të kthehemi te shteti social sovran ose krijimi i një shteti social global kundër liberizmit globalist që i ka kthyer shtetet në menaxhues të interesave të pakicës. Të garantojmë për të gjithë disa të drejta themelore si ajo e shëndetit falas dhe e arsimit falas.
Të ndalim shfrytëzimin e shkalluar të natyrës, prishjen e ekosistemit – ku shumica gjejnë edhe burimin e këtij virusi të ri. Të marrim masa ndaj ndotjes globale. E të tjera. Të gjitha këto kuptohet se nënkuptojnë rritjen e rolit të shtetit.
CILI SHTET? SI? PSE? – DHE RASTI SHQIPTAR
Kur bëhet fjalë për atë ‘App’-in që mund të instalohet në smartfonët tanë për të na kontrolluar lëvizjet, sipas modelit korean, pyetja shtrohet: cili shtet do t’i ketë në dorë këto aplikacione, si do t’i përdorë ato dhe pse, për të ruajtur shëndetin tonë apo për të kontrolluar liritë tona? I njëjti parim, “cili”, “si”, “pse”, vlen dhe për çdo ndryshim në favor të rritjes së fuqisë së shtetit në menaxhimin e jetës sonë. Atje ku shteti është i qytetarëve, me qytetarët, për qytetarët, fuqizimi i tij nënkupton fuqizimin e demokracisë, atje ku shteti është i pakicës, me pakicën dhe për pakicën, atje fuqizimi i shtetit nënkupton fuqizimin e tiranisë.
Se ku pozicionohet Shqipëria në këtë alternativë u bë edhe më e qartë po të kemi parasysh “Si”-në e menaxhimit të krizës së koronavirusit. Kryeministri i një pakice oligarkësh dhe narkotrafikantësh, që ka shfaqur në mënyrë progresive sjellje të jashtëzakonshme, i thelloi këto sjellje në kushtet e reduktimit tonë në qenie biologjikë, duke thelluar parimin, sipas të cilit: atje ku njerëzit reduktohen në dele, lind nevoja e bariut. Shteti nuk është sjellësi bashkëpunues me qytetarët, por si terrorizues e frikësues i deleve. Arma kryesore që ka përdorur ka qenë karantinimi maksimal dhe ndihmat minimale ekonomike, sanitare, psikologjike: rritja e pushtetit të bariut mbi delet.
Në këto kushte, e gjithë drama e kësaj pandemie që ka shkundur sistemin neoliberist globalist edhe atje ku ai funksionon më mirë, në Shqipëri nuk ka hapur asnjë debat për si dhe çfarë duhet të ndryshojmë. Gjithçka po reduktohet në propagandimin e një “historie suksesi”, ende pa mbaruar pandemia. Nuk mund të ndodhë ndryshe në një regjim që punon sistematikisht dhe kapilarisht për shndërrimin e elitës intelektuale e mediatike në shërbëtore të propagandës së tij. Nga sa duket qartë prapa ekranit, po vazhdon rritja e peshës së parave të pista të krimit në strukturën e pushtetit, forcimi edhe më i pakicës të lidhur gjithnjë e më shumë me qeverinë si dhe varfërimi edhe më i shumicës, një pjesë e mirë e së cilës, në mungesë të aftësisë për t’u organizuar në një opozitë të besueshme, mezi po pret hapjen e kufijve për të emigruar.
Ndryshimet në Shqipëri, për mirë apo për keq, fatkeqësisht kanë ardhur gjithnjë nga jashtë. Kështu ka ndodhur kur ajo u krijua më 1912 (Lufta e Parë Ballkanike). Kështu ndodhi kur u çlirua nga regjimi i Zogut dhe u vendos regjimi komunist (Lufta e II Botërore). Kështu ndodhi kur u çlirua nga regjimi komunist dhe u hodhën themelet e këtij narkoshteti (Mbarimi i Luftës së Ftohtë). Dyshoj se kjo pandemi do të sjellë realisht ndryshime pozitive të botës, që të reflektohen edhe në provincën tonë. Ndoshta, për këtë, do të duhet një krizë edhe më e madhe sesa kjo. Por nëse shqiptarët presin t’i çlirojë bota nga narkoshteti i tyre, që është karikatura më e shëmtuar e sistemi neoliberist globalist, kjo nuk do të ndodhë pasi, në rastin më të mirë, do të vazhdojnë të mbeten skllevër, siç kanë mbetur deri më tani, dhe, në rastin më të keq, sepse kjo flamë që i ka rënë Shqipërisë, deri atëherë do t’i ketë shfarosur shqiptarët.