Regjisori Çipi shpërthen ndaj gazetarit Hila: Koloneli i Ramës që donte të na mbushte me gaz në ditën e Europës

0
156

Nga: Kastriot Cipi

Z. Hila!
Do të kisha dashur të replikoja shumë më herët me ty, por tërmeti i 26 nëntorit më pengoi. Më 24 nëntor 2019, ti shkrove në profilin tënd në Facebook: “Qe ta them qysh tani, ne daten 8 kam planifikuar nje dreke. Ashtu si 29 vite me pare, nuk do te jem ne revolucionin e leshit, pasi gjithmone kam qene i bindjes se liria eshte çeshtje konstituimi shpirteror dhe jo pune turmash injorante qe ulerijne. Kush do marri pjese, zahmet e ka te na nisi ndonje foto. Dhe mos u qani per cilesine e gazit te Lleshit” (gabimet drejtshkrimore janë të autorit)
Unë jam një prej studentëve të “turmës injorante”, që në dhjetor 1990 thërriste “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!” dhe “Liri! Demokraci!”.
Unë jam injorant, sepse prej 30 vjetësh refuzoj të merrem me politikë. Platoni thotë: “Një nga ndëshkimet për refuzimin e pjesëmarrjes në politikë, është se përfundon të qeverisesh ata që janë inferiorë.” Dhe kështu, z. Hila, unë kam qenë i dënuar të qeverisem nga ti, një qenie inferiore. Ti ndoshta nuk je injorant, por ti je vrasës dhe unë i konsideroj vrasësit qenie inferiore, në raport me veten.
Ti je vrasës z. Hila! Ti eksitohesh kur shikon se si një gjeneral, që ka merituar nofkën Llesh Kimiku, e përdor gazin helmues edhe ndaj fëmijëve. Kishte fëmijë brenda banesave me tapi, tek ish-Stacioni i Trenit në Tiranë, të kujtohet? Llesh Kimiku i mbyti me gaz që pa gdhirë. Prindët dolën jashtë, për të shpëtuar fëmijët nga helmi dhe banesat e tyre u shembën. Ato familje nuk janë kompensuar ende.
Jam i sigurt se do të ishe eksituar, nëse policia e Simon Stefanit do të kishte përdorur plumbat kundër studentëve në dhjetor ’90, apo jo? Do ta kishe festuar me një drekë. Më thuaj z. Hila: si e festove vrasjen e katër të rinjve protestues, nga plumbat e policëve të Gramoz Ruçit, më 2 prill 1991? Ti jetoje në Shkodër atëhere. Punoje në ndërmarrjen tregtare. Një “turmë injorante” të bezdisi, por ti nuk e prishe terezinë. Partia të emëroi shef plani në Shërbimin Parësor Shëndetësor në Shkodër.

Në vitin 2000, unë injoranti isha pa punë. Bëja pjesë në një tjetër turmë, njësoj injorante, ku bënin pjesë artistë teatri dhe muzike, që kundërshtonin projekt-ligjin “Për Teatrin”, të porositur nga ministri i kulturës, Rama. Një pjesë e tyre, me dirigjentin Bujar Llapaj në krye, ishin aq injorantë, saqë bënë të parën grevë urie artistësh në botë. Ndërsa ty Partia të emëroi specialist buxheti në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Dy vjet më pas, unë denoncova publikisht planin e kryetarit të Bashkisë Rama për të shembur Teatrin Kombëtar. Mblodha qindra firma injorantësh të tjerë, në një peticion drejtuar Kuvendit. Ndërsa Partia të bëri konsull në Bari, ty, të diplomuarin për “sferë qarkullimi”, një specialitet i ekonomisë socialiste, që nuk përkthehet dot në anglisht (e ke përkthyer “trade flow” në versionin anglisht të biografisë sate, por “trade flow” do të thotë vëllim tregtar mes dy vendeve, pra import-eksport dhe nuk është profesion).

Çuditërisht (ose aspak çuditërisht), ti, ish-sekretari i rinisë, ekonomisti socialist, vazhdove të punosh në diplomaci, edhe pasi erdhi në pushtet PD. Nuk mbete asnjë ditë pa punë. U emërove konsull në Milano për dy vjet dhe specialist në MPJ deri në vitin 2013, kur Partia të bëri zv.ministër të Mbrojtjes. Ndoshta ke qenë i dalluar në zborr, z. Hila? Ke qenë i aftë të qëllosh në shenjë me pistoletë, nga 50 metra larg, në errësirë të plotë?

Ndërsa dje, ti shkrove: “Te organizosh miting ne kohe pandemie dhe te akuzosh policine per dhune ne shperndarje, kete vetem idiotet mund ta bejne. Pastaj, te akuzosh ata qe nuk behen pale me idiotet, si pro Rames, eshte nje standart qe e kapin vetem Idiotet shqiptare. Kam nje keshille per keta intelektualet: Ne vend se te jepni keshilla nga shtepia, nenshkruani nje deklarate qe ne rast se infektoheni, nuk doni sherbim shendetesor as per vete dhe as per familjaret. Kaq e thjeshte.
Edhe perendimi ka te tille hajvane, por nuk ju jep njeri ze ne gazeta serioze dhe as ka parti politike qe behen pale me ta. Perkundrazi. Ata qe degjohen jane profesionistet. Jane statistikat qe flasin per nje semundje vdekjeprurese qe trembi edhe mjeket. Degjoni Tritan Kalon, Arian Harxhin, Pellumb Piperon dhe profesioniste qe kane mbaruar shkolle e specializime per kete pune dhe jo gjithfare deficentesh e deficentesh mazokiste.” (Sërish gabimet gjuhësore janë të autorit).

Unë jam një nga idiotët, hajvanët dhe defiçentët mazokistë që dolën në sheshin “Skënderbej” në Ditën e Europës, sërish për të thirrur “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!” dhe “Liri! Demokraci!”. Për ty “ish-kolonelin” e Edi Ramës, siç e ke quajtur veten dhe “vrasësin”, siç të quaj unë, policia duhej të na kishte helmuar me gaz, meqë donin t’i kujtonim, Shqipërisë dhe Europës, se nuk kemi as gjykatë kushtetuese dhe as gjykatë të lartë, se kemi një qeveri që “shfuqizon” kushtetutën me VKM (VKM 243/2020 ndalon tubimet, që i garanton neni 47 i Kushtetutës).
Për ty, procesionet në varrezat e dëshmorëve në 5 maj, pa ruajtur largësinë dhe pa maska, nuk janë rrezik për shëndetin publik, ndërsa qytetarët e mbledhur në Sheshin Skënderbej, me maska dhe dy metra larg njëri-tjetrin, po.
Për ty nuk ka rëndësi kur ka ndodhur vdekja e fundit me Covid-19. Nuk ka rëndësi që spitalet janë bosh, sepse nuk po sëmuret askush nga Covid-19, por po rrinë në shtëpi ata që kanë sëmundje të tjera të rrezikshme. Nuk ka rëndësi që testimet rezultojnë pozitive për më pak se 5%. Për ty ka pandemi, sepse kështu thotë gjeneral-major Enver Hoxha. Pardon, Edi Rama.
Për ty nuk ka rëndësi që 110 mijë shqiptarë kanë humbur punën dhe nuk kanë marrë as asistencën, as pagën e luftës. Nuk ka rëndësi që gjysmë milioni fëmijë të pafajshëm janë dënuar me burg prej dy muajsh dhe nuk kanë të drejtë të dalin as dy orë në diell, siç kanë të drejtë të rriturit e dënuar për krime, që vuajnë dënimin në burgje. Sepse ti je pjesë e nomenklaturës së diktaturës. Ti dhe Gjeneral-majori keni të drejtë të udhëtoni, të shkoni edhe në bregdet, siç ia pohon me cinizëm në koment, një qytetari të thjeshtë, që nuk e ka këtë të drejtë.

Ti je vrasës, z. Hila! Ti vret me çdo fjalë, që nxjerr nga goja. Ti vret të vërtetën dhe kështu ndihmon diktaturën të vrasë lirinë. Ti thua se idiotë që protestojnë ka kudo, por nuk ka gazeta serioze që i përkrahin. Ti je mllefosur me mediat, përfshi edhe median ku punon, për mbulimin që i bënë ngjarjes. Por e vërteta është se më 9 maj, ndërkohë që shqiptarët u rrahën e u arrestuan pa hapur ende gojë, në Berlin u mblodhën për të protestuar mijëra gjermanë. Protestonin vetëm kundra masave, shumë më të lehta se ato që zbatohen në Shqipëri. Dhe lajmin e dhanë të gjitha mediat serioze, përfshi edhe median publike Deutsche Welle. Ata protestues kishin të drejtë të protestonin, sepse më 16 prill, Gjykata Kushtetuese (që Gjermania e ka funksionale dhe të pavarur) kishte vendosur se kjo e drejtë nuk mund të cenohet nga masat për mbrojtjen e shëndetit publik, duke rrëzuar kështu vendimin e qeverisë.

Ne injorantët, idiotët, hajvanët dhe defiçentët mazokistë, do të vazhdojmë të protestojmë përditë, z. Hila, derisa të rrëzojmë diktaturën, atë diktaturë që e plagosëm, por nuk e vramë në vitin 1990. Këtë herë nuk do të bëjmë të njëjtin gabim. Nuk do ta lemë veten të qeverisemi nga qenie inferiore si ti dhe të ngjashmit e tu.

 

Fotografia e Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit
Fotografia e Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here