Këtë të martë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua me qytetarë dhe biznese në Tiranë. Sipas selisë blu, gjatë takimeve me kryetarin e opozitës, sipërmarrësit ndanë shqetësimin për krizën e rëndë ekonomike, që shoqërohet me largimin e njerëzve nga puna dhe me mbylljen e biznesit. Një tregtar i tha Bashës se dyqanin e kishte mbajtur hapur gjithë kohës, por xhiro ka rënë me 70%.
”Pjesa më e madhe e qytetarëve që takoj në Tiranë i kanë respektuar rregullat e higjenës dhe të distancimit social. Megjithatë shqetësim serioz mbetet situata ekonomike e rënduar nga pandemia e COVID-19. Janë të shumtë qytetarët që nuk kanë marrë asnjë lek ndihmë për kohën e kaluar mbyllur në shtëpi. Edhe bizneset përballen me vështirësi të mëdha. Mungesa e ndihmës rrezikon mbylljen e shumë prej tyre ndërsa të shumtë janë dhe ata që janë detyruar të heqin të punësuar nga listpagesat. Qeveria Rama i la pa ndihmë shumicën e qytetarëve dhe bizneseve. Rinisja e aktivitetit normal është shumë e vështirë për ta tashmë që veç faturave dhe taksave të larta, përballen me uljen e numrit të blerësve dhe ankthin për të ardhmen e pasigurt. Xhepat e shqiptarëve janë shkundur nga pandemia ekonomike e qeverisë Rama. Asnjë formë propagande dhe cirku qeveritar nuk e fsheh dot pasigurinë dhe varfërinë e tejskajshme që po pllakos në familjet shqiptare”.