Intervista/Kastriot Çipi: Kush do Teatrin duhet t’i bashkohet lëvizjes për rrëzimin e diktaturës….

0
227

Flet regjisori Kastriot Çipi, një nga njerëzit që i ka rezistuar lëvizjes së Aleancës për Mbrotjen e Teatrit, por edhe është përballur në çdo kohë me politikën kundër shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar duke i qëndruar protestës 24 orëshe për më shumë se dy vjet; “Gjendja e jashtëzakonshme, me alibinë e epidemisë, i ka dhënë mafias në pushtet, pushtet absolut…”

 

 

 

-Në kohën më të rëndë që po kalojmë, të kësaj pandemie mbarëbotërore, në Tiranë politika qeveritare vazhdon punën e saj kundër një vullneti qytetar siç është lufta juaj për mbrotjen e Teatrit Kombëtar, godinës së saj historike, tashmë të certifikuar nga Europa Nostra. Rasti i fundit ka të bëjë me vendimin për t’ja kaluar në pronësi Bashkisë, çfarë do të thotë për ju ky hap i ndërmarrë nga kryeministri, shumë zëra thonë se i hap rrugë shembjes? Për ju çfarë është në të vërtetë ky akt?

 

Për mua është provokimi i radhës. Një manovër për shmangien e vëmendjes, ndërkohë që Diktatori dhe Qeni i tij i Sulmit grabisin troje publike (1400 m2 në rrugën e Kavajës), shembin ndërtesa publike pa ekspertizë, për të vjedhur me tender rindërtimi (gjimnazi Sami Frashëri) apo sulmojnë objekte kulti e monumente trashëgimie (muri rrethues i Teqesë), sa për të përmendur tri raste vetëm javën e kaluar.

Por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të jemi vigjilentë. Gjendja e jashtëzakonshme, me alibinë e epidemisë, i ka dhënë mafias në pushtet, pushtet absolut.

 

 

-Protesta 24 orëshe, si dhe ajo e ditëve të fundit, ku u angazhuan forcat e policisë duke irrituar më tej situatën , a ju ka shteruar fuqinë? Çfarë keni vënë re në këto muaj e muaj rezistencë, çfarë nuk shkon me shoqërinë tonë, me politikën?

 

Jo, nuk na janë shterruar fuqitë. Idea e tubimeve jozyrtare, pra jo sipas protokollit që kërkon ligji, është zgjidhja më e mirë, në kushtet e pushtetit absolut, që i ka dhënë vetes qeveria dhe shpërdorimit të detyrës nga shefat e policisë. Meqë ata nuk duan të lejojnë tubime sipas ligjit, ne do të organizojmë vazhdimisht nisma qytetare, individuale, që mbështeten nga individë të tjerë.

Shoqëria shqiptare është në shumicë e zhgënjyer nga klasa politike, por e keqja e saj është se shpëtimin e pret nga një lider, nga një individ, nga një Skënderbe i dytë. Ne po punojmë që njerëzit të kuptojnë se pushteti nuk u duhet dhënë individëve, por qytetarëve, përmes një sistemi tjetër zgjedhor, referendumeve dhe një lëvizjeje të re qytetare që sfidon sistemin (establishmentin) aktual.

 

-Me vendimin e fundit të qeverisë Rama, për t’ja kaluar pronësinë e traullit të Teatrit Kombëtar, bashkisë çfarë mendoni se mund të ndodhë? A keni parashikuar hapa të mëtejshëm, si do përballohet kjo situatë?

 

Unë kam dy vjet që them se Teatri nuk do të shembet, të paktën jo para se të jetë miratuar kontrata me firmën ndërtuese dhe leja e ndërtimit. Kur të vijë ajo ditë, nëse vjen, policët e diktaturës do të gjejnë aty një front të bashkuar qytetarësh, të mbështetur nga presidenti dhe opozita. No passaran!

 

Veliaj me të marrë “pronën” e Teatrit të “dhuruar” nga Rama, nisi menjëherë deklaratat e tij, me avazin e parë, se godina aktuale e Teatrit është prej kashte, pa dinjitet për artistët, dhe njëkohësisht duke injoruar grupimin që gdhin çdo natë aty, në mbrojtje të tij. Ne e dimë se Teatri tashmë nuk është cështje e artistëve, por çështje e polisit, qytetit, e publikut…Ne, e dimë se ranë dy tërmete të fuqishme dhe u përballua nga godina me jetë 80 vjeçare, keni një mendim pse ndodh kjo kokëfortësi e politikës, bashkisë, qeverisë…përveç arsyes se u kanë dhënë fjalën një biznesi, çfarë nuk është thënë deri tani?

 

Qeni i Sulmit që kontrollon Bashkinë Tiranë nuk është gjë tjetër veçse një halabak, injorant dhe i pacipë. E vetmja gjë që di të bëjë ai janë provokimet e debateve pa thelb intelektual, ku argumenti degjeneron në shpifje dhe fyerje ordinere. Po të ishte në dorën e tij, Teatri do të ishte shembur me kohë. Por ai e di që nuk ka dhëmbë për të kafshuar, prandaj leh pa pushim.

 

Akademiku Artan Fuga, ndër të vetmit që ka qëndruar consistent, në qëndrimin e tij për mbrotjene Teatrit, tha së fundi se duhet një referendum për Teatrin. Sa të drejtë a të dosmodoshme e shikoni këtë, dhe a mund të jetë tashmë thjesht çështje e Teatrit ky fenomen?

 

Akademiku Fuga është padyshim një figurë e respektuar në vijën e parë të mbrojtësve të Teatrit, por jo i vetmi që ka rezistuar. Askush nuk është tërhequr më nga kjo kauzë, qysh pas kapitullimit të disa artistëve, në korrik 2018, për turpin e tyre.

Referendumet vendore janë një zgjidhje e mirë demokratike, për çështje të ndryshme. Por kuadri ligjor ekzistues i pamundëson ato. Sistemi (establishmenti) aktual nuk ka dashur dhe nuk do t’u japë qytetarëve këtë armë të fortë për zbatimin e demokracisë direkte. Nuk e besoj se do të ndodhe, sa kohë është Diktatori Edvin në pushtet. Pas rënies së tij, nuk besoj se do të ketë nevojë për referendum për Teatrin, por mirë do të ishte të rregullohet kuadri ligjor për referendume të tjerë.

 

-Në gjithë këta muaj protestë besojmë se është një rast unik, edhe pse politika është mundur ta zhbëjë, ta injorojë si një grupim i vogël, dhe jo vullnet të një mase më të gjerë. Megjithatë ne kemi qenë prezent në protestat e fuqishme të juaja, para presidencës, se si iu bashkuan qytetarët, dhe shënoi një nga protestat  më masive, e më paqësore. Nisur nga kjo ide e fundit, a mendoni se forma paqësore mund t’I bindë politikën e qeverisë të heqë dorë nga vendimet e saj, që burojnë këtu e 20 vite të shkuara? Ku jeni me këtë besim? Çfarë nuk ka ndodhur në fillim(kujtoj vitin 2000) a mund të ndodhë tani?

 

Rezistenca gandiste është zgjidhje që vlen kur qeveria është demokratike, të paktën sa ajo britanike e pas Luftës II Botërore. Në Shqipëri kemi një bandë mafioze dhe antishqiptare në pushtet. Këtu duhen përdorur të gjitha mjetet e mundshme: grevat, protestat në rrugë, bllokimi i insitucioneve jodemokratike. Gjithçka.

 

-A keni menduar deri ku mund të shkojë rezistenca juaj, nëse vjen një hap konkret tashmë nga Veliaj për shembje, a do ketë forcë ky kryebashkiak ta ekzekutojë një vendim të tillë?

 

Besoj se jam përgjigjur në pyetjen tre.

 

-Luhet shumë me fjalët “Teatër i ri”, duke nënkuptuar se nga trualli ku është aktualisht teatri nuk do cënohet asnjë metër truall, por do të jetë një teatër i ri. Arkitekti anglez, është tërhequr. Nuk ka në dritë një tjetër projekt. Çfarë tregon sipas jush gjithë kjo vërtitje?

 

Teatri nuk është sot çështja kryesore e shoqërisë shqiptare. Çështja kryesore është diktatura sanitare që është instaluar tashmë. VKM 243 që ndalon tubimet, në kundërshtim me nenin 47 të Kushtetutës, që i lejon ato dhe në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, është shembulli më i qartë se jemi zyrtarisht në diktaturë. Kështu që, në vend që të mbyllemi në oborrin e Teatrit, duhet të dalim në sheshe, të luftojmë për të rrëzuar diktaturën.

E kam thënë qysh në shkurt 2018, kur nisi protesta në mbrojtje të Teatrit, se Teatri nuk do të fillojë të restaurohet sa kohë është në pushtet Diktatori Edvin. Rrëzimi i diktaturës bëhet kështu rruga e vetme edhe për ata që kauzën e Teatrit e kanë primare.

Mbyllja në oborrin e Teatrit i zgjat jetën diktaturës dhe krijon iluzionin se demokracia gjithësesi funksionon, përderisa një kauzë qytetare po fiton. Teatri mund të shpëtojë, por a ia vlen të lejojmë ndërkohë depresionin ekonomik, vdekjen e drejtësisë, varfërimin ekstrem dhe emigracionin masiv? Të gjithë ata që duan Teatrin duhet t’i bashkohen lëvizjes për rrëzimin e diktaturës, sepse vetëm kështu afrojnë ditën e restaurimit të Teatrit.Intervistoi: L.M

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here