Studentët tre kërkesa qeverisë: Anulo pagesat e konvikteve dhe të vitit akademik…

0
147

Situata e COVID-19 preku dhe arsimin e lartë, pasi studentë prej marsit janë duke zhvilluar mësimin online edhe pse jo të gjithë i kanë mundësitë. Ministria e Arsimit mori vendimin që në qershor auditoreve t’iu rikthehen vetëm studentët që diplomohen këtë vit.

Sot, Lëvizja Universitetin ka mbajtur një komunikatë para godinës së ministrisë së Arsimit ku kanë bërë tre kërkesa për qeverinë.

Ata kanë shprehur vështirësitë që kanë hasur gjatë kësaj kohe izolimi dhe kanë bërë thirrje për:

1- Anulimin e mungesave të marra gjatë mësimit online dhe krijimin e një arkivi leksionesh të çdo lënde, me qëllim rikuperimin e leksioneve të humbura nga studentët.

2- Anulimin e pagesave të qirave dhe konvikteve si masë e domosdoshme për të lehtësuar vështirësitë ekonomike me të cilat po përballemi.

3- Anulimin e pagesave të tarifave për këtë vit akademik. Kërkesa jonë për arsim publik falas është sot më aktuale dhe e nevojshme se kurrë.

Deklarata e plotë:

TË DREJTA, JO DISKRIMINIM!

Prej vitesh kemi dëshmuar shndërrimin e universitetit nga një hapësirë e përbashkët e kultivimit të dijes në një strukturë të ngurtë feudale, të udhëhequr nga logjika perverse e fitimit. Demokracia në universitet duket një ëndërr e së shkuarës, ndërkohë aktiviteti studentor është reduktuar vetëm në pagesën e haraçeve absurde. Në kushtet e emergjencës shëndetësore, problematikat me zanafillë ligjin e arsimit të lartë janë shfaqur më të qarta se kurrë më parë.
Në pyetësorin e zhvilluar nga Lëvizja Për Universitetin, mënyra alternative e mësimdhënies doli të ishte tejet diskriminuese për një pjesë të konsiderueshme të studentëve, si pasojë e pamundësisë së tyre për t’u pajisur me mjetet e duhura teknologjike. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme drejtuar qeverisë për të siguruar qasje falas në internet dhe aparaturat e nevojshme për të gjithë studentët, si gjithnjë ne ramë pre e diskriminimit ekonomik. Studentët vinin në dukje edhe vështirësitë e jashtëzakonshme për të përballuar jetën studentore, tarifat e studimit dhe pagesën e qirave.

Si të mos mjaftonin këto, barra e shtuar ekonomike e studentëve gjatë kësaj kohe është kaluar në heshtje, gjë që nënkupton pagesën e plotë të tarifave, sikur mësimi të ishte zhvilluar normalisht.
Ndërkaq, sikur asgjë të mos kishte ndodhur, burokracia universitare në bashkëpunim me qeverinë ishin të vendosura ta shtynin përpara farsën e zgjedhjeve universitare, në të cilat vota studentore vlen vetëm 10%. E kemi thënë dhe e rithemi: Pa ngritjen e votës studentore deri në 50%, duhen bojkotuar të gjitha farsat zgjedhore në universitete.
Ne jemi sot këtu për të kërkuar asgjë më shumë se të drejtat tona të nëpërkëmbura dhe për t’i dhënë fund diskriminimit të studentëve. Prandaj bëjmë thirrje për:

1- Anulimin e mungesave të marra gjatë mësimit online dhe krijimin e një arkivi leksionesh të çdo lënde, me qëllim rikuperimin e leksioneve të humbura nga studentët.

2- Anulimin e pagesave të qirave dhe konvikteve si masë e domosdoshme për të lehtësuar vështirësitë ekonomike me të cilat po përballemi.

3- Anulimin e pagesave të tarifave për këtë vit akademik. Kërkesa jonë për arsim publik falas është sot më aktuale dhe e nevojshme se kurrë.

Ne nuk ndalemi deri kur universiteti t’u rikthehet atyre që u përket.
PËR UNIVERSITETIN, PËR SHOQËRINË!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here