Ish- deputeti i LSI, Luan Rama i ka uruar ditëlindjen e 86-të piktorit të mirënjohur Hasan Nallbani.Teksa rendiste arritjet e piktorit, Luan Rama zbulon se sot ka shkuar dhe ia ka uruar personalisht Nallbanit ditëlindjen.
STATUSI NGA LUAN RAMA
Në 86-vjetorin e lindjes së
piktorit Hasan Nallbani:
MJESHTRI ELEGANT I PENELIT
Profesor Hasan Nallbani është një emër referencial në panteonin e personaliteteve të rendit të parë të pikturës shqiptare.
Me kontribute fondamentale që zenë fill prej fillimit të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar e tëhu, sfidant i kohës së vet dhe pararendës vizionar, në një jetë mes ngjyrash e pa e ndarë për asnjë çast penelin nga dora, piktori ynë që sot feston 86 vjetorin e lindjes, na ka dhënë e vazhdon ende të na japë mjeshtërisht me madhështinë e artin e vet, përjetime të një frekuence të epërme shpirtërore, krejt unike për nga qasja realiste dhe elegante, dhe po aq universale, për nga mesazhi dhe forca e ideve që tejçon.
Krijimtaria e Hasan Nallbanit është e lidhur pazgjidhshmërisht me fatet e njeriut shqiptar, ndaj dramave të të cilit, ai nuk është soditës.
Pikërisht, tek kjo marrëdhënie që më parë se të jetë e piktorit me subjektin, është e shpirtit në gjithanshmërinë kompleksive të përjetimeve, me njeriun dhe fatin e tij, Hasan Nallbani ridimensionon korpusin e krijimtarisë së vet, tipikisht të përveçuar prej asaj që Dritëro Agolli e ka cilësuar ngjallje që vjen prej Apokalipsit, “… që sipas Biblës është fundi i botës, kurse në të vërtetë është një Apokalips i fillimit të botës, është një tragjedi ku sidoqoftë ndjehet jeta që vjen”.
Vepra e Hasan Nallbanit, edhe pse na vjen prej dy kohësh, asaj të realizmit socialist dhe kësaj tjetrës në vijim, është një e tërë dhe ka të blatuar brenda saj gjithë madhështinë e fisme të një njeriu që ia ka dalë të bëjë art.
Piktorë ka shumë e më shumë akoma ka piktura të tyre.
Por jo të gjithë ata bëjnë art.
Arti është privilegj i atyre që nuk derdhin bojërat mbi telajo, por shpirtin.
Dhe Hasan Nallbani është njëri prej tyre.
Gëzuar ditëlindjen mjeshtër!
Të uroj që edhe njëqindvjetorin e lindjes,ta festosh siç të gjeta sot kur erdha për të të uruar; me penel në dorë e duke punuar mbi telajo!
Arti shqiptar ka nevojë për mjeshtra si Hasan Nallbani…