Po e çojnë vendin në luftë, për mos humbur kaparin që morën për teatrin

0
149

Nga Andi Bejtja

 

Deri dje, propagandën dhe gënjeshtrat për të ashtuqujturën ‘shembje dhe rindërtim’ të Teatrit Kombëtar mund t’i ripërsëriste edhe ndonjë aktor ëndërrimtar që shpresonte të performonte në godinën e projektuar nga arkitekti i madh, i caktuar gjithsesi, pa garë nga Bashkia, apo dhe ndonjë tjetër që ka ëndërruar të marë shtëpi falas në kullat prapa teatrit.

Por sot, këto teza i ka të vështirë t’i ripërsërisë dhe militanti më i thekur i Rilindjes, fatkeqësisht, përveç dy-tre gazetarëve që pashë mbrëmë në studiot televizive, të cilëve nuk po ua përmend emrat, sepse jam i bindur që nuk mund t’i bëj unë më keq imazhit të tyre, se çfarë i kanë bërë ata vetë në raport me opinionin publik dhe historinë e këtij vendi.

Sot është e pamendueshme, e paimagjinueshme, që kur pas dy tërmeteve dhe kësaj pandemie që na çoi dy dekada mbrapa ekonomikisht, kur ka me qindra njerëz akoma në çadra dhe qindra e mijëra të tjerë që nuk po kuptojnë që po marrin pagën e luftës apo atë të pulës, Kryeministri dhe Kryetari i Bashkisë të Kryeqytetit, që është goditur më shumë nga të gjithë qytetet nga pandemia, jo vetëm gjejnë kohë të merren me shembjen e Teatrit, por bëjnë dhe dhjetëra akrobacira e shkelje ligji, duke na dëshmuar më qartë se kurrë, se kjo histori më shumë se gjithçka është një histori më shumë se 20-vjeçare e projektuar korrupsioni.

Logjikë tjetër është e vështirë të gjesh, kur në këtë kohë Bashkia ka guximin të thotë se do marrë kredi për rindërtimin e Teatrit, kur një organizatë si Europa Nostra ka bërë publik qëndrimin se është gati të financojë në masën 80 përqind rikonstruksionin e godinës aktuale.

Në këtë situatë dramatike ekonomike, shembjen dhe rindërtimin e Teatrit Kombëtar, përpara se ta kundërshtonte Europa Nostra apo Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, Lubonja apo Plasari, duhet ta kundërshtonte Guvernatori, Zëvendëskryeministri, Ministri i Financës, Ministri i Rindërtimit, ekonomistët me emër të qendrës, të së majtës të së djathtës, adhuruesit e koncensioneve, për të mos ardhur anëtaret e Këshillit Bashkiak apo te Kryetari i Bashkisë së Kryeqytetit që në një vend demokratik duhej të ishte përkrah protestuesve dhe ta kundërshtonte më shumë se të gjithë këta së bashku, edhe sikur në një kohë më para të ketë qenë partizan i prishjes.

Gjithashtu, është dëshpërues fakti që nuk gjen një zë të arsyeshëm nga maxhoranca, qoftë dhe një të vetëm, që të thotë meqë ka një institucion si Presidenca që ka depozituar një akt-padi në Gjykatën Kushtetuese, të presim fjalën e saj. Por, përkundrazi po i shkojnë kësaj çështje me arrogancë dhe kokëfortësi, duke dëshmuar se janë gati ta çojnë vendin dhe në një luftë civile, vetëm e vetëm për të mos humbur ndoshta një kapar të marrë më parë ose për të mos humbur mundësinë e një pastrimi të shpejtë të ëndërruar parash prej më shumë se 20 vjetësh.

Logjikë tjetër, për të vepruar kështu në kohë pandemie, nuk ka.

Ndaj, kjo pandemi përveçse veting i mirëfilltë për çështjen e Teatrit, dhe për demokracinë, është pasqyra më e mirë për ta na treguar si funksionojnë institucionet, se ku dhe kush janë hajdutët, të korruptuarit, barbarët, bashkëpunëtorët e heshtur të hajdutëve, por dhe qytetarët, të ndershmit, që fatkeqësisht janë kaq pak në këtë vend.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here