I morën të birin nëpër duar nënës, kush janë dy ish-hetuesit që përmend në rrëfimin e kobshëm Agron Tufa

0
635
Një dite me pare shkrimtari Agron Tufa percolli ne llogarine e tij ne FCB, rrëfimin e një nëne nga Berati së cilës në kohën e diktaturës i morën nga duart të birin 4-vjeçar.
Historia është publikuar nga Agron Tufa, drejtor i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, i cili nuk ka hezituar t’i përmendë me emra njerëzit përgjegjës për ngjarjen e kobshme.
Bëhet fjalë për Vjollca Meçen dhe Zamir Shtyllën, dy ish hetues të diktaturës që ia kanë dalë të bëjnë karrierë edhe në ditët e sotme.
Vjollca Meçe, ish-prokurore në kohën e monizmit, sot është në krye të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, një ndër organizmat kryesorë në mbrojtje të të Drejtave të Njeriut.
Komiteti i Helsinkit është një organizatë ndërkombëtare që ka degën e saj në Shqipëri që drejtohet pikërisht nga Meçe.
Më herët, Ish prokurorja e diktaturës është akuzuar nga nënë Barije Karabollaj, nëna e vogëlushit 4-vjeçar e cila ka ndarë historinë e saj publikisht.
Zamir Shtylla, ish -drejtori i hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme në kohën e Ina Ramës, zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Doganave në vitin 2015.
Shtylla dha dorëheqjen në dhjetor të vitit 2009 nga detyra që mbante në organin qëndror të akuzës, akt që u zyrtarizua në janar të vitit 2010 pasi u akuzua nga kryeministri Berisha si hetues i kohës së diktaturës. Por Ina Rama e emëroi në Elbasan, detyrë nga e cila u largua më vonë. Me ardhjen e Partisë Socialiste në pushtet, Zamir Shtylla u emërua zëvendësdrejtor i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm.
Nga qeveria Berisha Shtylla u akuzua se në vitet ’80, kur punonte si hetues në Berat e Sarandë, kishte dhënë disa vendime në gjyqe politike.
Sot, kreu i Institutit për Krimet e Komunizmit, Agron Tufa, e përmend emrin e tij bashkë me atë të Vjollca Meçes në historinë e dhimbshme të një nëne nga Berati së cilës i morën nga duart të birin 4 vjeçar dhe nuk e pa më kurrë.

HISTORIA E PUBLIKUAR NGA AGRON TUFA:

GJAKU I TIM BIRI
(sipas rrëfimit të një nëne)
– Të kërkon kryetarja e Komitetit të Partisë së Beratit, shoqja Jemine Guri, – më tha polici. Bashkë me tim bir për dore, Aturin e vogël katërvjeçar, ai na shoqëroi nga fshati i internimit deri në hollin e Komitetit. Ishte 10 tetori i vitit 198…
– Djalin lërja sportelistes, – tha polici. – Nuk mund të hysh në zyrën e shoqes Jeminé me djalin përdore… pesë minuta… mbaron punë dhe e merr.
Sportelistja, një grua e re me përparëse të kaltër, i buzëqeshi ëmbël Arturit të vogël me kaçurrela të arta, por ai u ngjesh pas meje. Për të kapërdirë parandjenjën e errët që më kaploi, nxorra një kallamsheqeri dhe ia dhashë. I bënë përshtypje vijat e kuqe, bardhë e blu dhe u gënjye. Polici me futi në një derë të katit të parë dhe vetë u largua. Brenda më prisnin dy gra dhe një mesoburrë me kostum gri.
– Ti ke një djalë, apo jo? – filloi burri.
Po, – i thashë, – sot ka mbushur katër vjeç…
Më përshkuan të dridhurat. Asnjë fjalë urimi.
– Ne, Partia, nuk do të lejojmë, që djali yt të rritet nga një reaksionare si ti… – tha, dhe pauzën që pasoi e mbushi me të trokitura thoi mbi siprinën e tavolinës. – Nuk do ta lëmë gjakun e shkokut tonë partizan, besnikut të Partisë, të bastardohet nga një nënë reaksionare, bijë bejlerësh gjakpirës! Dëgjon? Ndaj ne…
Mësyva derën shigjetë e dola jashtë.
As djalin, as gruan me përparëse të kaltër s’i pashë kund.
– Ku ma çuat djalin? Djalin! – piskata fort.
Burri me dy gratë kishin dalë në holl. Renda në oborr. Askund, asnjë shenjë e djalit tim.
– Kot e kërkon, – foli burri me kostum gri. – Ai ndodhet larg tashmë… nuk e arrin.
Pas kësaj rashë në koma. Pas 5 muajsh u përmenda, por nuk mund të lëvizja. Paraliza më mbërtheu në shtrat për 3 vjet. Vetëm nënën pata te kryet. Herë-herë vinte dhe im shoq. I shkatërruar. Vetëm një fjali ia përsërisja vazhdimisht: “Shko, gjeje djalin tonë!”. Ai vetëm qante. Kaloi paraliza dhe më dërguan fill në internim. Pastaj burg prapë, e prapë internim. Me radhë. Vinin oficerët e sigurimit papandehur. Bastisnin kasollen dhe ulërinin: “Ku i ke fshehur poezitë!”
Derisa ra diktatura. Nisa kërkimin e Arturit tim. “Tani do të jetë bërë 12 vjeç. A do të më njohë?” Derisa, një dite të mjegullt vjeshte të vitit 1991, një grua e panjohur trokiti në portën e kasolles sime.
– Zonjë, – më foli. – Ti nuk më njeh. Unë jam Afërdita nga Përmeti, një kushërirë e dytë e dajove të tu. Kam ardhur të të them diçka, e cila duhet të groposet midis nesh. Përndryshe, po ma nxorre emrin, unë bashkë me burrin e fëmijët e mi jemi të vdekur brenda ditës. Kam ardhur të të them mos e
kërko më djalin tënd, Arturin. Bëhu e fortë dhe mos ushqe iluzione. Djali yt ka vdekur. Që kur është rrëmbyer, është mbajtur në një shtëpi të fshehtë në Tiranë, bashkë me disa fëmijë të tjerë të mitur. Aty i ushqenin mirë dhe një herë në javë, u merrnin gjak. Në një nga këto raste, me 30 mars 1985, fill pasi i morën gjakun, Arturi… nuk u përmend më. E kam parë me sytë e mi. Vdiq, si shumë vogëlushë të tjerë, që zëvendësoheshin me të tjerë…
I gjori im bir! Gruaja nuk e dinte se atë ditë loçka ime do mbushte 6 vjeç…
Mos e kërko më… Bëhu e fortë, – tha gruaja dhe vrapoi në mjegull, duke më lënë të shituar në prag.
– As varrin mos ia kërko! – erdhi zëri i saj, tashmë nga mjegulla. – Janë sekrete që nuk hapen kurrë, – shtoi për herë të fundit gruaja, që kishte kohë e tretur në mjegull. Nuk e pashë më në jetë atë grua. Ua kishte thënë edhe dajave të mi. Po atë natë qe larguar familjarisht në Greqi.
Në verën e vitit 1997 im shoq më thirri të shkoj për të pastruar tek shtëpia e prindërve të tij në Vlorë. Në dhomën e vjehrrit që më pati urryer, gjeta dy blloqe të trashë. Në njërin ai kishte shkruar kujtimet e jetës së tij, ndërsa blloku tjetër ishte ditar. Nisa ta shfletoj e të lexoj pavullnetshëm, derisa u ndala, duke kërkuar, në shënimin “8 tetor 198…”:
“Gjithçka është ujdisur me kujdes… Plani që bëmë me shokët Vjollca Meçe, Zamir Shtylla dhe Ahmet Toporaku, s’ka pse të mos funksionojë. Djali i B… Artur S…, do të rrëmbehet në Komitetin e Partisë së Beratit… Do ta shlyejmë dhe këtë njollë. Më në fund….”
Më shungëllonin veshët. Si kështu!? Vjollca Meçe ishte kushërira e vjehrrit tim! Perëndi, gjëmën ma paskan kurdisur të mitë, mendova dhe ndjeva se po më binte zali. A e ka ditur vallë gjyshi enverist se ku po e çonte gjakun e nipit 4 vjeçar? Si ta pyes, tani që ka vdekur?
Do të shkoj t’i ulem mbi varr, t’i piskas… deri sa të ngrihet… të më japë përgjigje…

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here