Mjeku infeksionist, Tritan Kalo në një intervistë për emisionin ‘Kjo Javë’ në ‘News24’ deklaroi se është pro zgjerimit të fashës së orarit për lëvizjen e qytetarëve deri në orën 21:00.
“Nga e hëna do të ketë hapje më të madhe. Kemi pasur 18 raste, sot 17. Në tri ditë rresht kishim vetëm nga katër raste. Është diçka e pritshme.
Ne shohim që shtrimet nuk janë shtuar dhe po ashtu intubimet. Ky optimizëm real, nuk duam që të kthehet në një optimizëm të rremë, nëse qytetarët të mos respektojnë masat.
Për orarin mund të jetë hera e pestë që reagoj. Mund të kapërcehet dhe ora 21:00. Por duhet thënë se edhe pse ka qenë 17:30 orari i fundit, pas kësaj ore ka pasur lëvizje.
Për mua deri në orën 21:00 të lëvizin. Pas kësaj ore iu jepet mundësia qytetit që të furnizohet dhe institucionet që merren me sterilizim të bëjnë të mundur përgatitjen për ditën e nesërme.
Njerëzit nuk duhet të lëshojnë krahët. Nuk duhet të neglizhohen. Jeta jetohet, edhe nëse disa zakone duhet t’i lëmë mënjanë.