Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Qysh para pandemisë, ishte e qartë se qeveria e Kryeministrit Rama kujdesej fare pak për një nga themelet e Bashkimit Evropian, shtetin e së drejtës.
Edhe Reforma në Drejtësi e lëvduar kudo, por e zbatuar keq, nuk e trajtoi kurrë çështjen e sundimit të ligjit, por përkundrazi, rendi vetëm pas një simptome të qartë të mungesës së shtetit të së drejtëskorrupsionit të përhapur brenda sistemit gjyqësor.
Shumë shpejt u kuptua se kjo reforme ishte si të vije leukoplast në një këmbë të thyer.
Me shpejtësi njëra pas tjetrës, u bëmë dëshmitarë të ngjarjeve që edhe një aspirant diktator si Viktor Orbán nuk i ka ëndërruar. Prova e parë e fuqive “të jashtëzakonshëm” që Rama mori për epideminë, ishte bllokimi i beftë i faqes popullore të blogjeve Medium.al rreth një muaj më parë.
Javën e shkuar, u arrestuan me dhunë nga policia disa protestues në Sheshin Skënderbej, edhe pse ata mbajtën distancën e duhur sociale gjatë protestës.
Pastaj erdhi përpjekja për të mbyllur televizionin Ora News, një nga kanalet e pakta që kritikonte masat e qeverisë ndaj epidemisë.
Qeveria, gjithashtu, përshpejtoi shkatërrimin e trashëgimisë arkitekturore nëpër Tiranë, duke shkatërruar një vilë historike javën e kaluar për t’i hapur rrugë ndërtimeve shumëkatëshe në pronësi të oligarkisë, e cila tashmë është gërshetuar plotësisht dhe në mënyrë kriminale elitën politike sunduese.
Duke e përdorur pandeminë si maskim, qeveria transferoi pronësinë e tokës së Teatrit Kombëtar tek Bashkia Tiranës, e cila menjëherë prodhoi një raport të falsifikuar inxhinierik, zhvilloi një votim të paparalajmëruar dhe në shkelje të çdo procedure të Këshillit Bashkiak.
Këshilli votoi gati unanimisht për prishjen e ndërtesës. Në një javë u bë gjithçka.
Natën e 14 majit, policia gjobiti masivisht artistët dhe qytetarët që kanë protestuar për 27 muaj tek Teatri për ta mbrojtur atë nga prishja. Pastaj, mëngjesin e të dielës, policia hyri në ndërtesë, nxori me forcë dhe ndaloi protestuesit që kishin mbetur brenda, rrethoi ndërtesën dhe, menjëherë, filloi shkatërrimin e saj, së bashku me të gjitha kostumet, butaforinë, arkivat dhe historinë shekullore të teatrit shqiptar. Në mëngjes çdo gjë kishte mbaruar tashmë.
E gjithë kjo nuk kishte të bënte më me vetë ndërtesën e Teatrit Kombëtar, restaurimin ose rindërtimin e tij.
Duke filluar nga viti 2018, lëvizja për të mbrojtur Teatrin Kombëtar ishte bërë epiqendra e rezistencës kundër regjimit Rama dhe një nga vendet e fundit të grumbullimit fizik për shoqërinë civile.
Kur tërmeti goditi Durrësin në nëntor, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ishte nga të parat që u përgjigj duke mbledhur dhe shpërndarë furnizime për të prekurit nga katastrofa, duke lënë prapa qeverisë Rama që u përgjigj shumë ngadalë.
Vendi i Teatrit Kombëtar ka gjithashtu një rëndësi të jashtëzakonshme historike dhe simbolike. Është menjëherë pas Ministrisë së Brendshme dhe ngjitur me ndërtesën e zënë më parë nga arkivat e Policisë Sekrete të diktaturës komuniste, të cilat u shkatërruan kryesisht në 1990 dhe 1991, kur regjimi “u shndërrua” në Partinë Socialiste, e drejtua tashmë prej 15 vjetësh nga Edi Rama.
Teatri Kombëtar është gjithashtu pranë Muzeut Bunk’Art 2, ku qeveria është përpjekur të lyejë me bojë të bardhë regjimin e zi diktatorial dhe shërbëtorët e tij si Gramoz Ruçi, Skënder Gjinushi, Ardian Dvorani dhe bashkëpunëtorët e tjerë që janë akoma, sot, në pushtet.
Dy ndërtesat e vetmuara, të holla të Teatrit Kombëtar ishin një kujtesë e vazhdueshme, m’u në qendër të pushtetit politik, se kultura e qëndresës qytetare mund dhe duhet të rezistojë ndaj sulmit të shtetit mafioz të etur për fitime dhe të depërtuar nga droga.
Prandaj ato dy ndërtesa duhet të shkatërroheshin.
Mbetet për t’u parë se cili do të jetë rezultati i kësaj ngjarje, por është padyshim një shenjë tjetër që Edi Rama po përdor pandeminë globale për të konsoliduar pushtetin e tij, tani shumë të ngjashëm me atë të një diktatori.
Parlamenti është jofunksional. Gjyqësori është i paaftë për të vepruar. Protestuesit nuk lejohen në rrugë. Media e pavarur është mbyllur.
Dhe, megjithëse Komisionerja Evropiane për Inovacionin, Kërkimin, Kulturën, Arsimin dhe Rininë, Mariya Gabriel, personalisht ka përqafuar kauzën e mbrojtjes së Teatrit Kombëtar, i renditur si një nga 7 vendet më të rrezikuara të trashëgimisë evropiane nga Europa Nostra, do të isha i befasuar nëse Ambasadori i BE-së Luigi Soreca do të shqiptonte ndonjë fjalë të kuptimtë kritike për këtë.
Ata të gjithë janë investuar shumë në “suksesin” e regjimit Rama në rrugën e tij drejt Evropës.
Ne nuk presim asgjë nga ndërkombëtarët. Asgjë përveç heshtjes dhe turpërimit.
Ndihem i zemëruar, i trishtuar, shqetësohem për miqtë dhe kolegët e mi në Tiranë.
Por tani dua t’ju them këtë: Vetëm ndryshimi i regjimit tashmë nuk mjafton.
A mendoni se gjërat do të jenë më të mira kur të ndërrojmë Ramën me të korruptuarin e rradhës?
Teatri Kombëtar ishte vendi ku u krijuan ide—ide si të jetojmë ndryshe së bashku, ide për një politikë të ndryshme.
Po, nuk ishte utopik, ishte plot konflikte dhe ishte një vend i vështirë—ata që kanë qenë atje për më shumë se dy vjet i dinë të gjitha këto—por ai vend ofroi shpresë, qoftë edhe vetëm një fije shprese.
Kjo shpresë, dhe historia e asaj shprese, tani është shtypur nga banaliteti i së keqes (po, dua ta përdor këtë frazë).
Nuk mjafton më të kërkosh përmbysjen e regjimit Rama—kjo është shumë pak.
Kalbëzimi shkon thellë, dhe kalbëzim shkon shumë larg, përtej kufijve të Shqipërisë.
exit.al