Pas protestës së zhvilluar në shesh, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit është zhvendosur para Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion. Protestuesit kanë kërkuar nga kjo prokurori të vendosë sekuestro mbi sheshin e teatrit dhe të kërkojë arrest me burg për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj.
Adriana Kalaja: I kërkojmë Prokurorisë së Posaçme marrjen e masës sekuestro preventive për truallin ku ka qenë Teatri Kombëtar. Së dyti, marrjen e masës së arrestit me burg për shtetasin Erion Veliaj dhe Arbian Mazniku.
Gjithashtu ata kanë deklaruar se do të dorëzojnë edhe kallëzime të tjera për vrasje te mbetur ne tentative ndaj disa zyrtarëve të lartë.
Adriana Kalaja: Një nga këto është vrasje e mbetur në tentativë ndaj Ministrit të Brendshëm, kryetari të bashkisë, kryetarit të këshillit bashkiak dhe drejtorit të policisë së shtetit Ardi Veliu.
Përfaqësuesit e Aleancës pretenduan se ndaj tyre po ushtrohet presion dhe kërcënime.
Robert Budina: Po shqetësojmë pushtetin, ai ka vënë në lëvizje gjithë makinerinë e errët për të kërcënuar njerëzit që janë marrë dhe i kanë dalë në ballë kësaj pune qoftë mediatikisht, qoftë personalisht.
Ndërkohë SPAK ka nisur hetimet për dy kallëzimet e bëra nga Alanca për Mbrojtjen e Teatrit më 31 dhjetor dhe në 6 maj, ku akuzojnë kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe nënkryetarin Arbian Mazniku për shpërdorim detyre dhe korrupsion.